Drejtori i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë, Emir Sulejmani nëpërmes një statusi në rrjetet sociale ka bërë një njoftim shumë të rëndësishëm edhe atë duke njoftuar se prej sot, përkatësia etnike do të figurojë në certifikatat e lindjes, njofton indeks.mk
Ai ka thënë se ky akt u finalizua me Ministrinë e Drejtësisë dhe njofton se ndryshimet e parapara do të hyjnë në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
“Përkatësia etnike në certifikatat e lindjes! Pas një periudhe të konsiderueshme bashkëpunuese të Drejtorisë për udhëheqjen me librat amë dhe Ministrisë së drejtësisë, sot finalizuam Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë; drejtimin e procedurës dhe hartimin e procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë në të cilën do të shtohet përkatësia etnike.
Ndryshimet e parapara do të hyjnë në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 Janar 2024. Me këtë po dëshmojmë se kur puna është serioze, rezultatet nuk mungojnë!”, ka shkruar Sulejmani.
E gjithë kjo, sipas Qeverisë, po edhe drejtorit, bëhet me qëllim që të mos keqpërdoret përkatësia etnike gjatë punësimit dhe të mos deklarojnë rrejshëm qytetarët përkatësinë etnike vetëm për të zënë një vend pune.