Suedia dhe Finlanda zyrtarisht do të aplikojnë për anëtarësim në NATO

May 16, 2022
min lexim

Invazioni rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022 ishte një shkelje e të drejtës ndërkombëtare pasi që është sulmuar një vend sovran në mënyrë të paligjshme dhe ai agresion i paprovokuar po shkakton vdekje të njerëzve të pafajshëm në një shtet anëtar të OKB-së, pra të Ukrainës. Agresioni rus e ka përkeqësuar dukshëm rendin dhe situatën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë.  

Duke pasur parasysh faktorët e lartpërmendur, është e qartë që Finlanda dhe Suedia si fqinjë të afërt ndihen të kërcënuara nga një sulm apo agresion i mundshëm rus kundër tyre. Dhe këto dy shtete kanë bashkëpunim të afërt mes vete dhe kanë partneritet me vendet e NATO-s. Prandaj para disa ditësh kanë filluar përgatitjet dhe proceset e përshpejtuara për të aplikuar për anëtarësim në NATO duke e ditur se një anëtarësim i tillë do të iu siguronte mbrojtje më të mirë kundër ndonjë sulmi eventual rus ndaj këtyre shteteve sovrane nordike.  

Finlanda 

Finlanda ka kufirin me Rusinë rreth 1300 kilometra dhe ndjehet e rrezikuar nga një sulm i mundshëm rus. Finlanda ka luftuar kundër rusëve rreth tre muaj në vitet 1939-1940, duke humbur rreth 10% të territorit por edhe ish Bashkimi Sovjetik kishte humbur rreth 250 mijë ushtarë dhe nuk kishte mundur ta nënshtroj atë dhe Finlanda megjithatë kishte arritur të ruaj pavarësinë e saj. Duke pasur një histori të tillë me rusët dhe duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë, Finlanda ka vendosur zyrtarisht që të aplikoj për anëtarësim në NATO. Këtë vendim zyrtar e deklaruan kryetari S. Ninistös dhe kryeministrja e vendit S. Marin, në konferencën për shtyp më 15 maj 2022.  

Suedia 

Suedia ka qenë këto 200 vitet e fundit neutrale ushtarakisht duke përfshirë edhe qëndrimin jashtë aleancës së NATO-s këto 73 vitet e fund dmth. që nga themelimi i NATO-s më 1949.  

Socialdemokratët si parti udhëheqëse në qeverinë suedeze miratuan kërkesën që Suedia të aplikoj për anëtarësim në NATO. Edhe shumica e opozitës e përkrah një kërkesë të tillë. Vetëm e majta dhe të gjelbrit kanë deklaruar se janë kundër aplikimit për anëtarësim në NATO me motivimin ”se aty ka vende jodemokratike dhe ajo është një aleancë që ka armë bërthamore”.  

Gotlandi është një ishull shumë i rëndësishëm suedez në detin Baltik dhe nga aty do të mund të përkraheshin dhe furnizoheshin vendet baltike nga ana suedeze. Në rast se rusët do të kontrollonin atë ishull me rëndësi të madhe strategjike atëhere ata do të mund të mbyllnin rrugët detare për përkrahje eventuale vendeve baltike në rast të krizave. Edhe në një raport të fundit  të përgatitur nga ekspertët e sigurisë të Ministrisë së Jashtme suedeze dhe atyre të mbrojtjes thuhet se Gotlandi/Suedia do të mund të ”ishte zonë e interesave strategjike ruse” dhe do të ishte e rrezikuar nëse Suedia nuk bëhet anëtare e NATO-s, sipas shtypit suedez.  

Vizita e kryeministrit britanik, z. Boris Johnson dhe takimi i tij me kryeministren suedeze, znj. Magdalena Andersson, më 11 maj 2022 ishte shumë e rëndësishme pasi që ata nënshkruan një marrëveshje politike (deklaratë politike solidariteti) përmes të cilës Britania e Madhe i premton Suedisë mbrojtje, këmbim të informacioneve të sigurisë, bashkëpunim teknologjik gjatë procesit sa zgjat aplikimi, dmth deri në anetarësimin në NATO, sipas televizionit (SVT1) dhe shtypit suedez. (por marrëveshje e ngjashme u nënshkrua edhe me Finlandën të njëjtën ditë, në mbrëmje në Helsinki). Në pyetjen e gazetarëve suedezë se çfare ndihme mund t`i ofroj Britania e Madhe Suedisë në rast krize apo lufte, z. Johnson theksoi ”se nësë Suedia sulmohet, ne do t`i japim çdo ndihmë që ajo kërkon por varet se çka kërkon Suedia”. 

Çka do të thotë anëtarësimi në NATO në praktikë, çfarë të drejtash dhe detyrimesh kanë vendet anëtare? 

NATO është një aleancë politike dhe ushtarake mbrojtëse transatlantike. Ajo është themeluar më 1949 nga 12 shtete dhe sot numëron 30 shtete anëtare. Detyra e NATO-s është të iu ofroj përkrahje politike dhe mbrojtje ushtarake vendeve anëtare. NATO përmes diskutimeve dhe partneritetit angazhohet të pengoj konfliktet mes vendeve anëtare dhe jashtë kufijve të tyre. Nëse dështojnë bisedimet politike, NATO ka kapacitetin dhe forcën të zgjidh konfliktet dhe të dërgoj trupa në misone të paqeruajtjes si është psh. rasti i Kosovës etj. Neni 5 është më i rëndësishmi pasi ai thotë që ”një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është sulm ndaj të gjitha vendeve”. Vendi i sulmuar me atë rast do të mbrohet dhe përkrahet ushtarakisht nga vendet e tjera. 

Vlerësohet se NATO ka rreth 100 bomba atomike në pesë vende anëtare, sipas shtypit suedez, dhe ato janë Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia dhe Turqia, por NATO nuk ka armë të vetat bërthamore. Një vendim për përdorim eventual të armëve bërthamore do të kërkonte unanimitet nga të gjitha vendet anëtare dhe vendim nga presidenti i SHBA-së.  

Shqetësimi i Turqisë për aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO 

Ministri i jashtëm turk M. Cavusoglu ka deklaruar se ”mbështetja e grupeve terroriste në vendet e tyre (dmth bëhet fjalë kryesisht për organizatat kurde në Suedi dhe Finlandë), të ofrojnë garanci sigurie dhe të heqin ndalimin e eksporteve të Turqisë” nëse duan përkrahjne turke për anëtarësim. Diplomatët suedezë janë duke zhvilluar bisedime që të adresojnë këto shqetësime, poashtu edhe SHBA dhe Britania e Madhe deklaruan se do të ndihmojnë në bisedime dhe se presin përparime në këto çështje, sipas shtypit suedez. Një pjesë e analistëve suedezë mendojnë se Turqia po tenton të nxjerr përfitime në këtë proces.  

Vendimi historik i socialdemokratëve dhe deklarimi i kryeministres suedeze 

Vendimi i Partisë Socialdemokratike suedeze që të aplikoj për anëtarësim në NATO është historik për Suedinë (më 15 maj 2022). Duke qenë si parti udhëheqëse në qeverinë suedeze pritet që zyrtarisht të miratoj aplikimin për anëtarësim në NATO në qeveri më 16 maj dhe duke pasur edhe përkrahjen e opozitës suedeze ekziston shumica e nevojshme parlamentare. Pastaj Suedia bashkë me Finlandën do të dërgoj aplikimin për anëtarësim brenda disa ditësh, gjithnjë sipas shtypit suedez. Aplikimi për anëtarësim të Suedisë në NATO do të thotë që 200 vite të neutralitetit të Suedisë marrin fund. Kryeministrja suedeze Andersson i deklaroi sot gazetës suedeze Aftonbladet dhe televizionit SVT 2 ”se neutraliteti na ka shërbyer mirë gjatë gjithë këtyre viteve por tani e tutje nuk do të na shërbej njësoj në të ardhmen. Invazioni rus në Ukrainë ka ndryshuar rregullat dhe politikat e sigurisë në rajon dhe Suedia ka nevojë për garancione të sigurisë, të cilat i ofron NATO-ja”. Në vazhdim kryeministrja Andersson theksoi se ”në Ukrainë po shohim shkelje të ligjeve të luftës, varreza dhe dhunime masive dhe nuk përjashtohet që gjëra të tilla mund të ndodhin edhe në Suedi”.  

Si pjesë e vendimit, në Suedi nuk do të ketë baza ushtarake të përhershme të NATO-s dhe as vendosje të armëve bërthamore dhe do të bëjmë sikurse Danimarka dhe Norvegjia por do të kemi ushtrime ushtarake dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, nënvizoi kryeministrja Andersson. Ajo theksoi poashtu se gjatë procesit të aplikimit, Suedia do të ndodhet në një situatë të ndjeshme e me rreziqe si psh.”ka rrezik për sulme kibernetike, përhapje të dezinformatave, shkelje të hapësirës ajrore/territoriale suedeze etj. dhe bëri thirrje për vigjilencë dhe që populli suedez të qëndroj i bashkuar”.  

Edhe kryetarja Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen theksoi para disa ditësh që Rusia paraqet ”kërcënimin më të madh për rendin botëror”.  

Përfundimisht, anëtarësimi në NATO i Suedisë dhe Finlandës dhe atë me proces të përshpejtuar, është shumë i rëndësishëm për të forcuar paqen dhe sigurinë në pjesën veriore të Evropës dhe për të siguruar mbrojtje dhe bashkëpunim të këtyre vendeve me vendet e tjera të NATO-s.  Sipas disa vlerësimeve procesi i përshpejtuar pas aplikimit për anëtarësim do të mund të merrte rreth 1 muaj e më së gjati deri në 1 vit, për të ratifikuar kërkesën e Suedisë dhe të Finlandës nga 30 vendet e tjera anëtare të NATO-s. Me atë rast, këto dy vende dhe NATO-ja do të bëhen edhe më të forta dhe më stabile për tu përballur me sfida të ndryshme të sigurisë. 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Gratë e mbrojtësve të Azovstal thonë se ushqimi dhe uji po mbarojnë

Story i radhës

Rriten temperaturat, por çfarë do të sjellë pasditja?

Të fundit nga

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e prostatës, njoftoi zyra e tij. 75-vjeçari u diagnostikua me një infeksion urinar si pasojë e
ShkoLartë