Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg do të dalë para gjykatës për “mosbindje ndaj policisë” në protestën e klimës që mori pjesë në Malmö në qershor, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze, Annika Collin dhe prokurorët thuhet se Thunberg u akuzua për mosrespektim të paralajmërimeve të policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes gjatë një proteste në Malmö.
Prokurorja Charlotte Ottosen i tha gazetës lokale “Sydsvenskan” se dënimi për mosbindje ndaj policisë është zakonisht një gjobë.
Thunberg dhe aktivistë të tjerë të klimës u arrestuan nga policia më 19 qershor pasi ata bllokuan rrugën në terminalin e naftës në Portin Malmö, raportoi gazeta “Sydsvenskan”.
Thunberg bëri emër me grevën javore të shkollës që filloi në Suedi për të tërhequr vëmendjen ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Kjo grevë frymëzoi veprime të ngjashme në gati 100 vende.