Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se është hapur thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët, në vlerë prej 6 milionë euro. Sipas saj, këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro gjatë dimrit të po vjen. Rizvanolli ka thënë që synojnë të përkrahin së paku 10 mijë familje dhe si rezultat i masave presin ulje gati 70% të konsumit të energjisë elektrike të konsumuar nga këto familje.
Në një konferencë për media, Rizvanolli ka thënë se pajisjet që do të subvencionohen përfshijnë dru, pelet, brikedë që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së investimit ose deri në 1200 euro.
Rizvanolli: Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarë
“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milion euro. Pajisjet që do të subvencionohen përmes kësaj thirrje përfshijnë kaldajet me biomasë- dru, pelet, brikedë, që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së investimit ose deri në 1200 euro, pompat termike të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70% do të subvencionohen në vlerë deri në 30% ose deri në 2500 euro, kondicionerët efiçiente të cilët gjithashtu ulin shpenzimet e energjisë elektrike deri në 70% do të subvencionohen me 40% të vlerës ose deri në 400 euro, dhe stufat individuale efiçiente me biomasë dru të cilat për familjet që janë në pjesë të skemës së asistencës sociale do të subvencionohen më 90% deri në 560 euro ndërsa për të tjerët deri në 70% ose deri në 435 euro”, ka thënë Rizvanolli.
Sipas saj, këto familje do të përfitojnë direkt nga subvencionimi për pajisje në vlerë prej 400 deri në 2500 euro, do të kursejnë faturat e energjisë elektrike për ata që e zëvendësojnë energjinë.
Rizvanolli: Këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro gjatë dimrit
“Familjet që kursejnë energji elektrike si rezultat i kësaj skeme përfitojnë shtesë subvencionimin e qeverisë lidhur me kursimin e energjisë, ndërsa në përgjithësi këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro vetëm gjatë dimrit që po vjen”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se aplikimi për këto masa bëhet online përmes sistemit e-kosova.
Rizvanolli: Qëllimi i masave është të ndihmojmë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera
“Qëllimi i këtyre masave është i dyfishtë, të ndihmojmë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera si peleti, druri, briketi, ose me pajisje elektrike që shpenzojnë 60 deri 70% më pak energji elektrike. Qëllimi i dytë është që të ndihmojmë të gjitha familjet pavarësisht se më çfarë janë ngrohur deri tani dhe veçanërisht familjet me kushte të vështira ekonomike, për të pasur efiçiencë më të lartë, për të arritur ta mbajnë ngrohtë shtëpinë e tyre gjatë dimrit dhe ta bëjnë këtë me më pak shpenzime për dru apo lëndë të tjera djegëse që i përdorin. Me këto masa synojmë të përkrahim së paku 10 mijë familje, si rezultat i masave presim ulje gati 70% të konsumit të energjisë elektrike të konsumuar nga këto familje për ngrohje”, ka thënë ajo.