Starton sot sezonin me Kupën e FSHV-së

min lexim

Volejbolli shqiptar do të nisë sot edicionin 2023-2024 me aktivitetin e parë sezonal, Kupën e FSHV-së, eveniment më tepër testues për ekipet në prag të kampionateve, ndërsa ndeshjet do të mbahen për tri ditë me radhë në palestrën e Farkës.

Në ditën e parë të aktivitetit do të jetë radha për gjysmëfinalet e meshkujve, me dy sfidat që do të luhen sot. Ndeshja hapëse e kompeticionit do të jetë në orën 17:00, ndërsa përballë njëratjetrës do të jenë Tirana dhe Vllaznia. Bardheblutë e Arben Sakos janë edhe fituesit në fuqi të Kupës së FSHV-së, teksa ky trofe hapi serinë e tripletës gjatë sezonit të kaluar për ta, për t’u kompletuar më pas me Kupën e Shqipërisë dhe me Superligën.

Më tej, në orën 19:00, në parket do të zbresin Partizani dhe Erzeni për gjysmëfinalen e dytë, ekipe që gjithnjë kanë dhuruar përballje mjaft të bukura, ndërsa për shijakasit do të debutojë në pankinë trajneri Ilia Koja.

Për sa i përket finales, ajo do të zhvillohet të dielën në orën 19:00. Ndërkohë, në radhët e femrave gjysmëfinalet do të luhen nesër, ku ndeshja e parë do të jetë ndërmjet Partizanit dhe Vllaznisë në orën 19:00.

Të kuqet, tashmë nën drejtimin e trajneres Amarilda Prenga, janë fitueset në fuqi të Kupës së FSHV-së dhe pasi e mbyllën në mënyrën më të mirë sezonin e kaluar duke u shpallur kampione, do të kërkojnë ta nisin mbarë edhe edicionin e ri sportiv. Më tej në orën 19:00 do të kemi sfidën ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës.

Të dyja skuadrat vijnë me shumë ambicie edhe në këtë sezon, ndërsa për bardheblutë do të debutojë në pankinë edhe trajneri Hasan Gurabardhi, i cili rikthehet te Tirana bashkë me njërën prej lojtareve të tij më të besuara, Enkeleda Brahon. Finalja e Kupës së FSHV-së te femrat do të luhet të dielën në 16:30.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Biden arrin në Indi para në prag të samitit të liderëve të grupit G-20

Story i radhës

Kthupi: Basha kreu i Grupit, kemi ndjekur modelin e CDU, Bardhi zgjodhi jetën e vet politike

Të fundit nga