Stano: BE-ja është në kontakt me Kosovën për arrestimin e 3 serbëve për krime lufte

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano ka thënë se BE-ja nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës dhe është në kontakt me to për të pasur një pasqyrë të plotë rreth arrestimit të 3 serbëve, transmeton Anadolu.

Stano nëpërmjet një konference për media tha se BE-ja është në kontakt me autoritetet kompetente për të kuptuar plotësisht zhvillimin e ngjarjeve dhe nëse është e nevojshme të mund të reagojnë siç duhet.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës arrestoi të mërkurën 3 persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

I pyetur nëse po i vinte në pikëpyetje autoritetet e Kosovës për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe për të ngritur aktakuza Stano tha se “Kur fola për atë se çfarë po ndodh në veri të Kosovës lidhur me arrestimet nga ana e policisë, nuk thashë se po vëmë në pikëpyetje ndonjë gjë”.

“Thashë se jemi në kontakte të ngushta me partnerët tanë dhe me autoritetet relevante për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime. Po i mbledhim informatat e nevojshme në përgjithësi”, tha Stano.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale tha se 3 të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pa dhënë ndonjë hollësi se për çfarë krime lufte akuzohen ata.

Zëdhënësi i BE-së përsëriti rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe se BE-ja ka thënë qartë se formimi i Asociacionit duhet të fillojë menjëherë pa vonesa dhe kushte.

“Si do të bëhet, në çfarë mënyre, në çfarë forme do të jetë, do të diskutohet në dialog. Dialogu është platforma ku do t’i zgjidhim këto çështje. Procesi i negociatave duhet dhe do të jetë në dialog, jo në media dhe publik”, shtoi ai.





Story i mëparshëm

Parashikohet rënie drastike të shitjeve për kompjuterët gaming me përjashtim të një komponenti

Story i radhës

Kosovë, opozita dhe pushteti përplasen lidhur me komisionin hetimor për rezervat shtetërore

Të fundit nga