Stamenkovski nga “DokazM” ka përmendur një prokurore, si bashkëpunëtore në tekstet kundër shefit të Prokurorisë së Lartë

Sasho Rajçev nuk është i vetmi prokuror për të cilin Marjan Stamenkovski e ka përmendur si bashkëpunëtor për tekstet e publikuara në portalin “DokazM” kundër kreut të Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahi, përcjell TV21. Stamenkovski në një deklaratë me shkrim për kërkim falje në lidhje me tekstet e publikuara ka thënë se ka pasur ndihmë edhe nga një prokurore. Këtë e ka bërë të ditur vet Hajrullahi për TV21. Prokurori Hajrullahu shpreson se Stamenkovski do t’i tregojë para Gjykatës Civile emrin dhe mbiemrin e gruas që është pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që ka bashkëpunuar në publikimin e teksteve kundër tij.

Hajrrullahi shton se nëse konstatohet se prokurorja e përmendur ka bashkëpunuar me Marjan Stamenkovskin, duke porositur tekste me përmbajtje të pavërteta dhe fyese kundër tij, ndaj prokurores do të ketë përgjegjësi disiplinore.

“Në padi private i kam renditur titujt e teksteve të publikuara si dhe tekstet që janë publikuar kundër meje dhe po të njëjtat, në procedurat ligjore, avokatit tim Marjan Stamenkovski i ka dorëzuar një letër në të cilën, ndër të tjera, ai deklaron se ka pasur bashkëpunim me një prokurore publik. Në deklaratën me shkrim nuk e përmend emrin dhe mbiemrin e prokurores, por shpresoj që gjatë procedurës para Gjykatës Civile të dalë me informacion për prokuroren e përmendur”, thotë Hajrullahi.

Kreu i Prokurorisë së Lartë të Shkupit në deklaratë gjithashtu në gjuhën maqedonase për “Makfaks”, thekson se para seancës së ditës së enjte nuk ka pasur informacione për bashkëpunim të mundshëm ndërmjet kolegut të tij Rajçev dhe të dënuarit Stamenkovski.

“Më kanë habitur pretendimet e të akuzuarit Marjan Stamenkovski. Nuk dua t’i besoj pretendimeve të akuzuarit Marjan Stamenkovski, por sigurisht që do të kontrollohen dhe nëse mbështeten me prova që do ta vërtetojnë të njëjtën gjë, atëherë do të fillohet procedura disiplinore për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të prokurores publike që është përmendur”, shton Hajrullahi.

I pyetur nëse në tekstet e porositura ka njerëz tjerë të përfshirë nga jeta publike, përveç përveç prokurorëve, ai shton: “Vërtet nuk e di dhe nuk kam të dhëna të tilla.

Marjan Stamenkovskit, pronar i portalit “DokazM”, Gjykata Themelore Penale Shkup i shqiptoi dënimin e vetëm me burg në kohëzgjatje prej tre viteve e një muaji. Stamenkovski akuzohej për pesë vepra penale, përkatësisht për dy vepra përhapje e materialit racist dhe ksenofobik me atë të sistemit kompjuterik, shantazh, pirateri të veprës audiovizuale dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Përveç dënimit me burg, Stamenkovskit i ishte shqiptuar edhe dënimi në të holla prej 5 000 eurove për shkak të keqpërdorimit të të dhënave personale si dhe ndalesë e ushtrimit të profesionit apo veprimtarisë lidhur me veprat penale, përkatësisht i ndalohet regjistrimii domenit të portalit për periudhë prej 10 vjetëve, ndërkaq i ndërpritet regjistrimi i domeneve të cilat i ka regjistruar ai.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tani të dënuarit, policia konfiskoi dokumentacion, pajisje elektronike dhe 90.000 euro. Për këtë shumë parash Prokuroria dyshon se rrjedhin nga vepra të tjera penale dhe për to është hapur procedurë e re hetimore.

Ndaj Stamenkovskit është hapur edhe një rast, i cili po udhëhiqet në Prokurorinë e Shkupit, ku ndër të tjera po hetohet se kush i ka porositur tekstet e publikuara në “DokazM”. Stamenkovski në një seancë publike në Gjykatën e Apelit theksoi se një nga personat është prokurori Rajçev, i cili e ka përfaqësuar rastin para gjykatës së shkallës së dytë, ndërsa Stamenkovski ka kërkuar përjashtim për shkak të konfliktit të interesave, por që Gjykata e Apelit refuzoi të njëjtën kërkesë./tv21.tv

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Zelensky: Disa liderë arabë mbyllin sytë ndaj pushtimit rus

Story i radhës

SHBA-ja thekson rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese për Shkupin

Të fundit nga