“E-mailet me njoftime për bomba të vendosura dërgohen nga jashtë dhe për hetimet kemi ndihmën juridike ndërkombëtare. Në hetim dhe në dhënien e informacioneve dhe provave janë të përfshira të gjitha kapacitetet e disa dikastereve të MPB-së, si dhe shërbimet partnere, dhe megjithëse deri tani të gjitha kallëzimet janë të rreme, secili duhet trajtuar sipas protokolleve rreptësisht të përcaktuara që nuk mund të përjashtohen”.
Këtë tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për TV24, në lidhje me denoncimet për vendosje të bombave nëpër shkolla, të cilat janë shtuar shumë ditëve të fundit. Ai tha se ajo që është karakteristike është se kërcënimet shfaqen të mërkurën, të enjten dhe të premten dhe vetëm në një turn të caktuar të nxënësve dhe mësimdhënësve dhe këto janë pjesë e aspekteve që analizohen.
“Përmbajtja e emaileve është e ndryshme. Sot kishte një përmbajtje të tillë që dikush gjoja donte të negocionte. Por nuk ka negociata me terroristët”, theksoi Spasovski.
Ministri Spasovski tha se Ministria e Punëve të Brendshme do t’i shpallë të gjitha informatat dhe konkluzionet kur të përfundojë hetimi dhe të ketë një realizim, i cili do të jetë shumë shpejt.
“Sapo t’i vërtetojmë të gjitha faktet dhe të dhënat, në bashkëpunim me prokurorinë publike do të dalim publikisht dhe gjithçka do të publikohet në mënyrë transparente”, theksoi ministri.
Spasovski theksoi se këto sulme hibride nuk janë rast i izoluar vetëm në Maqedoninë e Veriut, se sulme të tilla ka edhe në SHBA, Serbi, Kroaci, vende të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së. Ai ka kërkuar që të mos politizohet ky rast në mënyrë që institucionet të punojnë me efikasitet.
Burimi:________