Një projekt i ri në Spanjën jugore shpreson që nëpërmjet mjeteve fluturuese të frenojë zgjerimin e shkretëtirës dhe të rikthejë biodiversitetin në një rajon që pritet të ndjejë efektet e nxehtësisë për shkak të ndryshimeve klimatike. Një studim i vitit 2016, i publikuar në revistën Science, parashikoi se Spanja jugore do të kthehet në shkretëtirë dhe se pyjet e gjelbra do të zhduken nga pjesa më e madhe e basenit të Mesdheut, nëse nuk merren masa të forta ndaj ngrohjes globale.
Për t’iu kundërvënë zgjerimit të shkretëtirës, shkencëtarët në Spanjën jugore po shfrytëzojnë mjete fluturuese.
Një dron që hedh fara po shpërndan kështu specie të ndryshme bimësh dhe pemësh përgjatë rrafshnaltës në stepën gjysmë të shkretuar Altiplano, e ndodhur mes rajoneve Granada, Almeria dhe Murcia.
Ekspertët mendojnë se qindra vjet më parë, këto treva ishin ndoshta të mbuluara nga pemë tradicionale evropiane, si lisi, apo nga dëllinjat.
Por, ato u zhdukën nga njerëzit të cilëve iu nevojitej druri për të mbijetuar. Në lartësinë mbi 1600 metra mbi nivelin e detit, uji është i rrallë dhe kushtet klimatike janë ekstreme, si gjatë dimrit me dëborë, ashtu edhe gjatë muajve tepër të nxehtë të verës.
Tashmë pas shumë shekujsh bujqësie, kultivimit të drithërave, pemëve të ullirit dhe aktivitetit blegtoral, qeveria lokale e Andalusisë dhe organizata joqeveritare AlVeLal po shpresojnë të rikthejnë një milion hektarë sipërfaqe të blerta.
“Kemi një program shumë ambicioz për të rikthyer bimësinë që mendojmë se dikur mbulonte këtë hapësirë, e cila është degraduar për shkak të shfrytëzimit të çrregullt për bagëtinë, drurin, barin etj”, thotë Jaime Lara, drejtor i parkut natyror Sierra de Maria-Los Velez.
Projekti ka filluar në vitin 2015 dhe mund të përmbyllet deri në vitin 2035. Degradimi prej disa shekujsh nuk mund të zhbëhet në vetëm 20 vjet. Por, ekspertët besojnë se ndryshimet fillestare do të vihen re pas disa dekadash.
Ripyllëzimi i rajonit të Andalusisë është i vështirë dhe i kushtueshëm.
Përdorimi i makinerive të mëdha për të hapur kanale në tokë që të depërtojë uji, do të shkatërronte bimësinë aktuale. Alternativa tjetër do të ishte ujitja për vite të tëra dhe fertilizimi i tokës.
Projekti në fjalë po bën restaurimin e hapësirës duke përdorur fidanë dhe teknika të mbjelljes. Në vetëm dy ditë, mbi 500 mijë fara u hodhën nga droni në vetëm rreth 50 hektarë tokë.
Tekniku i pyjeve Daniel Calatayud thotë se farat janë të mbrojtura nga kafshët e egra të zonës.
“I mbështjellim në një kapsulë. Kapsulat i mbrojnë nga minjtë dhe zogjtë dhe gjithashtu ruajnë lagështirën e farës pas reshjeve, në mënyrë që fara të mos thahet nga dielli dhe të ketë kohën e nevojshme për t’u mbjellë”, thotë zoti Calatayud.
Vendasit, fermerët dhe sipërmarrësit nga 76 bashkitë fqinje janë të inkurajuar të marrin pjesë duke ndihmuar në mbjelljen me dorë. Shpresohet që projekti do të rikthejë një mozaik speciesh.
“Do të mundemi të riprodhojmë në këtë vend një pyll, një mal me shumë specie pemësh që i përshtaten ndryshimeve të ardhshme klimatike dhe zjarreve ekstreme. Specie që do të jenë në gjendje të rezistojnë dhe të riprodhohen”, thotë inxhinieri pyjor Agustin Bermejo.
Ekspertët besojnë se një rritje në masën bimore do të krijojë korridore ekologjike përgjatë qindra miljeve në rajonin jugor të Spanjës. Biologu Fernando Bautista thotë se duke shtuar biodiversitetin e bimëve, rritet edhe biodiversiteti i kafshëve. Ai thotë se ndalimi i erozionit është tepër i rëndësishëm.
“Toka pjellore është një burim që nuk mund të rinovohet brenda ciklit të jetës së njeriut. Për çdo centimetër toke që humbet, asnjë gjallesë e planetit nuk do të mundet ta shohë të rikthyer”, thotë ai.
Biologu thotë se mënyra më e mirë për të ndalur erozionin është nëpërmjet bimësisë dhe se ripyllëzimi tashmë mund të përshpejtohet.
“Duke afruar farat që ndodhen larg, duke sjellë këtu pemët që sidoqoftë do të rriteshin vetë dikur, ne i paraprijmë me 100 apo 200 vjet asaj që vetëm natyra do ta realizonte”, thotë ai.
Për shkak të terrenit të vështirë, ekspertët thonë se rezultatet e para do të fillojnë të dallohen pas rreth 20 vitesh. Një studim i vitit 2016, i publikuar në revistën Science, parashikon se Spanja jugore do të bëhet shkretëtirë dhe se pyjet e gjelbërta do të zhduken nga pjesa më e madhe e basenit të Mesdheut, nëse nuk merren masa të forta ndaj ngrohjes globale./VOA