Spanjë, mijëra persona marshojnë në mbështetje të Palestinës

Në qytetet e mëdha ë Spanjës, kryesisht në Madrid dhe Barcelonë u mbajtën protesta me pjesëmarrje të gjerë në mbështetje të Palestinës, raporton Anadolu.

Mijëra persona morën pjesë në protestat e organizuara në kryeqytetin Madrid nga organizatat e shoqërisë civile me ide të majta me temën “Gjithmonë pranë rezistencës palestineze”.

Spanjollët që marshuan në qendrën e qytetit me flamujt palestinezë në duar brohoritën me sloganet: “Kjo nuk është luftë, është gjenocid”, “Izraeli vrasës”, “Bojkot ndaj Izraelit” dhe “Rroftë Palestina e Lirë”.

Zëvendëskryeministrja spanjolle, ministrja e Punës dhe liderja e Partisë Sumar, Yolanda Diaz e cila mori pjesë në protestë, në një deklaratë për media tha: “Izraeli shkel hapur të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Në Gaza duhet të shpallet armëpushim urgjent. Është e qartë se Izraeli po kryen krime lufte. Kur flasim për këtë, flasim për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe për përcaktimin e përgjegjësve ligjorë. Nuk duhet të zbatohet standard i dyfishtë”.

– Ministrja spanjolle, Belarra: “BE e bën politikën e saj të jashtme sikur të ishte nxënëse e SHBA-së”

Në protestë mori pjesë edhe ministrja e të Drejtave Sociale dhe axhendës 2030 të Spanjës dhe liderja e partisë Podemos, Ione Belarra e cila është një nga ministret e rralla që ngre zërin kundër Izraelit në Evropë.

Ajo tha se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, se duhet të shpallet armëpushim urgjent për të ndaluar këtë spastrim etnik dhe se përgjegjësit duhet të vendosen para drejtësisë. Ndaj liderëve evropianë, Belarra përsëriti thirrjen e saj: “Mos qëndroni të heshtur. Mos na bëni partner të këtij gjenocidi dhe kaloni në veprim. Ndërpritini të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Izraelin”.

Në pyetjen e gazetarit të AA-së se “Jeni ministrja e vetme në Evropë që ngritni zërin kundër Izraelit. Përse ministrat e tjerë evropianë nuk kanë mundur të deklarohen?”, ministrja Belarra u përgjigj: “Bashkimi Evropian politikën e saj të jashtme e bën sikur të ishte nxënëse e SHBA-së, aleatit më të madh të Izraelit. Ne nuk do të heshtim, do të vazhdojmë të mbrojmë paqen dhe të ngremë zërin kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në këtë konflikt”.

– “Pamjet në Gaza më copëtojnë zemrën”

Esperanza Rodriguez, një nga qytetarët që mori pjesë në protestë tha: “Pamjet në Gaza më copëtojnë zemrën. Ky është gjenocid. Po bëjnë gjenocid para syve të gjithë botës. Zgjidhja, ndalimi menjëherë i kësaj masakre”.

“Ndiejmë dhimbjen e madhe të kësaj masakre që bëhet kundër popullit të Palestinës. Është e trishtueshme që grupet e majta në veçanti nuk mund të veprojnë në mënyrë etike, të përbashkët dhe të koordinuar kundër këtyre ngjarjeve çnjerëzore. Nevojiten zhvillime që do të sjellin paqe dhe që do të sigurojnë bashkëjetesën për popullin e Palestinës dhe për popullin e Izraelit”, tha Luis Finol, një tjetër pjesëmarrës në protestë.

Protesta në mbështetje të Palestinës u mbajtën edhe në qytete të tjera të mëdha të Spanjës, ku në protestat e zhvilluara në Katalonjë u kërkua armëpushim urgjent dhe ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe ushtarake me Izraelin.





Story i mëparshëm

Në Bosfor parakalojnë rreth 100 luftanije turke me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Türkiye-s

Story i radhës

Goditën policin dhe i morën armën, një i arrestuar dhe një i ndjekur penalisht në Tiranë

Të fundit nga