Policia ka arrestuar anëtarët e një bande të lidhur me një rrjet trafiku njerëzish, i cili kontrabandonte emigrantë shqiptarë nga Spanja në Britani duke i fshehur në gomone dhe tragete, tha të shtunën policia spanjolle.
Emigrantët, disa prej tyre fëmijë, i paguanin bandës nga 3,000 euro dhe deri në 15,000 euro për të bërë udhëtimin e pasigurt për në Britani.
Banda ka trafikuar emigrantë nga Shqipëria në Britani që nga viti 2014, tha Garda Civile, por nuk dihej se sa persona kishin hyrë në Angli.
Shtatë shtetas shqiptarë janë arrestuar në kuadër të një operacioni me Agjencinë Kombëtare Britanike të Krimit, raporton noa.al duke cituar Reuters.
Emigrantët mblidheshin pranë porteve të Santander dhe Bilbao në Spanjën veriore përpara se të përdornin tragetet dhe rrugët e transportit të mallrave për të udhëtuar në portet e Britanisë së Madhe të Portsmouth, Southampton dhe Liverpool. Shumë prej tyre niseshin me gomone.
“Metodat e përdorura të fshehjes përbënin rrezik për jetën ose sigurinë fizike të migrantit, disa prej tyre të mitur,” tha Garda Civile.
Të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk u përmendën, u arrestuan midis 3-5 tetorit. Ata dolën para një gjykate në Barakaldo, në veri të Spanjës, të premten. Dy u lanë në paraburgim dhe pesë u liruan me kusht.
Burimi: GAZETA.MK