​SPAK me njoftim zyrtar për kryebashkiakun Erion Veliaj, i përgjigjet për kallëzuesin anonim

December 27, 2024
1 minut lexim

Një ditë pasi Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë nga Prokurorët e Posaçëm, SPAK ka reaguar me një njoftim zyrtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024 i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal i mësipërm.

Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.

Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Minçev: Kur nuk ka ekzistuar balancuesi ka pasur numër më të madh të punësimeve të bashkësive etnike

Story i radhës

Osmani dekreton 24 prokurorë, gati gjysma gra

Të fundit nga

ShkoLartë