“Velo” ishte pseudonimi i personit që me sa duket ‘tradhtoi’ përfundimisht edhe gjithë grupin e personave që u gjetën me një arsenal armësh një vit më parë.
Armët e kalibrave më të sofistikuar, aq sa për t’i pasur zili edhe vetë Policia, u sekuestruan në disa baza, por kryesorja ishte ajo nipit të Nehat Kullës. Po ashtu, me armët dhe prangosjen e tre personave, asokohe Policia pretendoi se ka mundur të godasë një prej grupeve më të fuqishme që kanë operuar në Tiranë.
“Velo”, pas të cilit fshihej emri i Enver Jamakut, ishte personi i arrestuar si ‘vrasës me pagesë’ për llogari të Gjergj Cukalit. Kështu pretendoi asokohe Policia dhe vijon të pretendojë në dosjen e vet Prokuroria e Posaçme. Atëherë u tha se ai kishte tentuar të vriste me minë të telekomanduar Gjon Menën kundrejt shumës prej 30 mijë euro, shumë që sipas tij ia kishte dhënë Cukali.
Prokuroria tha se Jamaku ishte zbërthyer duke dhënë detaje për një mori ngjarjesh të cilat duket se mbajnë vulën e Cukalit dhe të një prej personave më të kërkuar në vend, Sokol Gjurës! Autorësinë e tyre, sipas Policisë dhe Prokurorisë, e mbajnë atentate të bujshme deri edhe ish-oficerë të Policisë së Shtetit. Gjergj Cukali është arrestuar disa herë, por ka mundur të dalë i pafajshëm derisa në skenë doli dëshmia e “Velos”.
Policia veproi shpejt dhe e solli në pranga Cukalin në fillim të marsit të 2021, duke e vënë nën akuzën e pjesëmarrjes në një ngjarje dhe më pas e përballën me dëshminë e Enver Jamakut.
Bashkë me kushëririn e tij, Ermondin, Enveri është arrestuar në shkurt, pikërisht për atentatin që ndodhi në Kamzë ndaj Menës, atentat nga i cili shënjestra mori vetëm plagë në këmbën e majtë. Kjo është gjithçka ndodhi në shkurtmajin e vitit të kaluar, ndërkohë që SPAK ka hetuar një mori ngjarjesh, aktesh dhe faktesh për të mbyllur hetimet dhe për të bërë të mundur dërgimin në Gjykatë të një prej grupeve më të rrezikshme, sipas Policisë, në vendin tonë.
Dje, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije zyrtarisht se ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim Gjergj Cukalin, Enver dhe Ermond Jamakun, Sokol Xhurën si dhe 7 të pandehur të tjerë.
Gjergji Cukali, sipas të dhënave zyrtare, është i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” për interes, të mbetur në tentativë, në dëmtë shtetasit Gj. M., ndodhur në datë 09.02.2021, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurin Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal”.
Ndërsa Enver Jamaku, sipas SPAK, akuzohet për “Vrasje me paramendim” për interes, të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Gj. M., ndodhur në datë 09.02.2021, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Gjergj Cukali, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal”.
Po ashtu, SPAK tregon se Jamaku akuzohet edhe për vrasjen me paramendim të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., në muajin tetor të vitit 2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga dhe Ermond Jamaku, ky i fundit është dhe kushëriri i tij.
‘Firmën’ e Jamakut mban edhe kanosja e avokatit në shtatorin e 2017-s, ku është qëlluar me armë zjarri automjeti tip “Mercedes Benz ML”, në përdorim të shtetasit P. P. Prokuroria thotë se Enver Jamaku e kreu këtë ngjarje në bashkëpunim me të pandehurit Sokol Xhurën dhe kushëririn e tij, Edmondin.
Sërish në ngarkim të Enver Jamakut është lënë edhe një tjetër ngjarje, që daton 15 shtatorin e po atij viti, ku në bashkëpunim me të pandehurin tjetër Sokol Xhura akuzohen për futjen e sendeve të kundërligjshme (arma pistoletë, lënda narkotike-heroinë, kallëp tritoli dhe granata) në banesën e shtetasit E. S.
Po ashtu, Prokuroria ka vendosur ta akuzojë Jamakun edhe për arsenalin e madh të armëve që u goditen në majin e një viti më parë, arsenal që u zbulua në ambientet që ishin në pronësi të Sokol Xhurës dhe të Akil Kullës.
PJESA TJETËR E GRUPIT
Sipas të dhënave të dosjes hetimore të SPAK mësohet se në bankën e të akuzuarve në Gjykatë për një mori veprash penale do të ulen, veç Gjergj Cukalit dhe Enver Jamakut edhe Ermond Jamaku, i akuzuar si i përfshirë në atentatin ndaj Gjon Menës në Kamzë.
Po ashtu, Ermondi mësohet se është pjesëmarrës thuajse në të gjitha bëmat në të cilat ka qenë i përfshirë edhe kushëriri i tij, si tek atentatet, armët e deri tek futja e drogës dhe e armëve ne shtëpinë e një personi të njohur.
Sokol Xhura, Blendi Deda, Paris Penga, Flor Abazi, Akil Kulla, Algert Hysa, Arben Sufa, Bujar Jaupi dhe Petrit Shera, janë të gjithë të akuzuar si pjesëmarrës në vepra të ndryshme penale, për të cilat Prokuroria e Posaçme ka mundur të specifikojë rolin e së cilit.
Ata do të gjykohen tashmë për të gjitha krimet që sipas SPAK mbajnë autorësinë e tyre, ndërkohë që për atentatin ndaj Gjon Menës në Kamzë, Prokuroria ka gjetur gjurmë edhe në dëshminë e një tjetër personi të pajtuar si vrasës me pagesë.
Bëhet fjalë për atentatorin që i mori jetën biznesmenit Behar Sofia, i cili në rrëfimin e tij i ka thënë Policisë që personat që e rekrutuan i kishin folur më herët edhe për një atentat me minë të telekomanduar që duhet të kryhej për llogari të “Bajlozit” të Myslym Shyrit.