Kthesa energjetike, automjetet elektrike, digjitalizimi, mbrojtja e klimës janë të pamundura pa metalet e rralla. Pjesa më e madhe e këtyre lëndëve të para vjen nga Kina. Sa e rrezikshme është kjo varësi e Europës?
Ndërkohë që Evropa e tronditur nga lufta në Ukrainë mundohet të zvogëlojë varësinë nga furnizimet ruse me energji, mbrapa skene grumbullohet një rrezik edhe më i madh. Për turbinat e erës, automobilët elektrikë, elementët diellorë, çipat e kompjuterave nevojiten metale të rënda dhe metale të rralla. Digjitalizimi në rritje dhe kthesa energjetike do të rrisin edhe më shumë kërkesën për këto lëndë të para speciale.
Shpesh nxjerrja e tyre është e përqëndruar në pak rajone të botës. Prandaj Kina mund të shkaktojë në të ardhmen situata me dhimbje të mëdha koke. Sepse Gjermania importon nga Republika Popullore shumë lëndë të para, që janë të pashmangshme që tani dhe do jenë në të ardhmen edhe më të domosdoshme.
Tantal
Përveç kësaj, jo vetëm në nxjerrjen por edhe në përpuninim e lëndëve të para në fjalë ekziston një përqëndrim i madh tregu dhe Kina është një nga përpunuesit më të rëndësishëm, thotë Siyamend Al Barazi nga Agjencia Gjermane për Lëndët e Para, Deutschen Rohstoffagentur (DERA).
Kina ka thuajse monopol për shumë lëndë të para
Bashkimi Evropian është i varur nga importet për pjesën më të madhe të metaleve, nga 75 deri 100 përqind. Nga 30 lëndët e para, që Bashkimi Europian i ka cilësuar si “kritike”, 19 vijnë kryesisht nga Kina. Këtu bëjnë pjesë për shembull magnezi, për të cilin Kina ka pothuajse monopolin (93 përqind nga Kina), metalet e rralla (98 përqind) dhe bismuthi (93 përqind).
Kërkesa për litium është rritur për shkak të makinave elektrike
Kjo varësi mund të rritet shumë në të ardhmen. Deri në vitin 2030, nevoja për kobalt do të jetë pesë herë më e madhe se deri tani, vlerëson BE. Nevoja për litium është rritur për shkak të elektromobilitetit, sepse litiumi përdoret për bateritë. Kështu nevoja për litium do të dhjetëfishohet deri në vitin 2030. Deri në vitin 2050, nevojat për litium do të jenë madje 60 herë më të mëdha.
Varësia mund të përdoret për presion politik
Që në vitin 2010 janë hedhur dyshime se Kina mund të përdorë fuqinë që ka me lëndët e para për të bërë presion politik. Atë kohë Pekini kufizoi eksportin e metaleve të rralla. Si pasojë, çmimet u rritën shumë. E gjitha kaloi në Organizatën Botërore të Tregëtisë, Kina shkoi në arbitrazh dhe i hoqi sërish kufizimet e eksportit. “Kjo forcoi mendimin e gjermanëve dhe europianëve, se Kina i njeh pak rregullat,” thotë Raimund Bleischwitz, drejtor shkencor në Qendrën për studimin e kërkimeve detare tropikale, në Lajbnic.
Europa nuk mund të ketë besim se kërkesat në rritje do të plotësohen edhe në të ardhmen. Sipas një artikulli të gazetës Handelsblatts (25 mars 2022), ekspertët e ministrisë kineze të industrisë dhe teknikës së informacionit kanë diskutuar në muajin janar 2021 ndalimin e furnizimeve të metaleve të rralla në SHBA. Europa nuk mund të çuditet nëse zvogëlohen furnizimet me lëndë të para nga Kina. Në planin e fundit pesëvjeçar, Pekini ka bërë të qartë se eksporti intensiv i lëndëve të para duhet të kufizohet dhe se vendi duhet të përqëndrohet më shumë në kërkesat brenda vendit. Në vend që të eksportojë lëndë të para, Kina duhet të kthehet në të ardhmen në kryesues tregu për teknologjitë e rëndësishme.
Minierë kobalti në Kongo
Përveç kësaj, Kina do që të kthehet në vend neutral për klimën deri në vitin 2060 dhe për këtë ka nevojë për lëndë të para me rezerva të pakta, po ashtu siç ka nevojë Europa. Kështu Pekini ka marrë masat paraprake dhe ka siguruar nëpërmjet investimeve të gjithanshme dhe kontratave qasje tek lëndët e para në vendet e tjera, përshembull në Afrikë.
Përpjekjet e Gjermanisë për të ulur varësinë nga importet
Edhe Gjermania e ka kuptuar rëndësinë e sigurimit të lëndëve të para. Prej vitesh bëhen përpjekje për të diversifikuar importet e lëndëve të para. Kështu për shembull metalet e rralla nuk i merr më nga Kina, por nga Brazili. Përveç kësaj, në vitin 2010 u krijua agjencia gjermane e lëndëve të para, Deutsche Rohstoffagentur (DERA), e cila ndjek me vëmendje lëndët e para me pakicë dhe praninë e tyre në treg. „Prej më shumë se dhjetë vjetësh ne e dimë se në sektorë të ndryshëm kemi përqëndrim të madh në treg,” – thotë Al Barazi.
“Për fat të keq, ekziston një lloj cikli në rritjen e vëmendjes së industrisë dhe politikës,” – thotë Bleischwitz. “Tema futet në fokus nëse çmimet rriten, siç ka ndodhur prej një viti e gjysmë. Kur çmimet rriten zhvillohen strategji tregtimi, por kur çmimet bien sërish, largohet vëmendja dhe nuk bëhet asgjë.”
Kështu Gjermania vazhdon të mbështetet tek importimi i lëndëve të para me rezerva të pakta nga Kina, siç vëren DERA. Agjencia sheh çdo dy vjet mes të tjerash nga vijnë 27 prodhime rafinerish. Rezultati: Varësia nga Kina është ende e lartë. „Tek 25 produkte të tilla, pra mbi 90 përqind, Kina është prodhuesi kryesor. Kjo dallohet menjëherë, kur diku në Kinë ndodh dicka, tregjet lëvizin,” thotë Al Barazi.
Nuk është e nevojshme që Kina të dojë të dëmtojë vendet e tjera. Edhe në Republikën Popullore kërkohet më shumë vëmendje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e ambientit. Kështu për shembull, kontrollet për çështjet e ambientit dhe racionimit të energjisë të prodhuesve të magnezit në fund të vitit të kaluar, bënë që disa prodhues të ndalonin prodhimin dhe çmimi u rrit brenda disa muajsh nga 3 mijë dollarë në dhjetë mijë dollarë për ton. E njëjta gjë ndodhi me silikonin, tregon Al Barazi. Për shkak të kontrollit të energjisë, prodhimi i salikonit, i cili shpenzon shumë energji, u ul.
Europa mund të hapë minierat e veta
Edhe në nivel europian, tema e sigurisë së lëndëve të para zien prej kohësh. Në vjeshtën e 2020, u krijua Aleanca europiane e lëndëve të para (European Raw Materials Alliance, shkurt ERMA). Kjo aleancë duhet të përmirësojë sigurimin e furnizimit për industrinë europiane, mes të tjerash duke diversifikuar importet e lëndëve të para. Përveç kësaj, Europa do që të hapë minierat e veta dhe të marrë vetë në dorë përpunimin.
“Prej vitesh bëhen përpjekje në BE që të mbështeten më shumë minierat vendase dhe që të tërhiqen sërish në Europë zinxhirët furnizues të lëndëve të para më të rëndësishme,” thotë edhe Al Barazi. Sepse lëndë të para ka edhe në Europë. Por shpesh europianët nuk duan që t` i kenë minierat e pista para derës së shtëpisë. Kështu për shembull në Spanjë, sapo u zhvilluan protesta kundër minierës që do nxjerrë litium në Estremadura. Edhe popullsia në Serbi dhe Portugali ka kundërshtuar nxjerrjen e litiumit. Litium ka edhe Gjermania, në shtresat e granitit të Rinit dhe në malet e Zaksenit. Meqenëse kërkimi i investitorëve pati vështirësi, nxjerrja e litiumit do të fillojë në Zaksen në vitin 2025.
Një problem ekziston edhe tek financimi i projekteve të shpimit dhe impianteve për përpunimin e lëndëve të para, thotë edhe Al Barazi. Ka mungesa kapitali. Po qe se shihet vetëm çmimi, prodhimi evropian nuk është konkurrues. Që prej viteve 1990, Kina mbështet me subvencione shtetërore nxjerrjen e lëndëve të para, ka zgjeruar shumë kapacitetet e përpunimit dhe ka rregulla liberale për çështjet e ambientit. Kjo krijon mundësinë për t´i mbajtur çmimet poshtë.
Riciklim dhe rezervim
Me minierat e veta, Europa, e varfër me lëndë të para nuk do të jetë në gjendje të mbulojë nevojat e veta. Për zgjidhjen e problemit mund të ndihmojë edhe zvogëlimi i mbeturinave, duke hedhur më pak poshtë. Kështu për shembull Europa ka bërë plane për të rritur ekonominë ricikluese. Por, edhe riciklimi ka kufijtë e vet.
Sa kohë që kërkesa për lëndë të para rritet, Gjermania nuk do jetë në gjendje të mbulojë nevojat me riciklim, thotë Peter Buchholz nga DERA. “Industria mund të riciklojë vetëm sasitë që janë në dispozicion. Për shembull 40 vjet më parë, nevojat për bakër në botë ishin tek dhjetë milionë ton. Sot, nevojat janë për 20 milionë ton. ” Përveç käsaj, produke që përmbajnë bakër, mund të jetojnë dekada të tëra. Kjo sasi bakri nuk përdoret për nevoja të tjera.
Për t’u siguruar nga ndalimi i importeve, shumë vende të BE, SHBA dhe Japonia kanë krijuar rezerva të mëdha metalesh dhe lëndësh të para. Në Gjermani janë krijuar deri tani rezerva kryesisht me naftë dhe gaz.
Me gjithë vrarjet e mendjes për rrezikshmërinë e varësisë nga Kina, nuk duhet harruar se „Kina është po ashtu e varur nga importet prej Gjermanisë “, thotë Bleischwitz. “Para shpërthimit të pandemisë, Kina ka pas importuar nga Europa më shumë lëndë të para se sa ka pas eksportuar, për shembull makineri agrare dhe pyjore, ose metale të përpunuara.” Varësia është reciproke./DW