Sot në Shqipëri kremtohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Kryeqendra e kësaj feste është Elbasani, ndërsa shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.
Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Në Kosovë, kjo ditë festohet në disa zona, si në rajonin e Prizrenit, Zhurit, Vërrinit, përfshirë Opojën në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit më se 1.000 metra, në komunën e Dragashit.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë nuk ka organizime institucionale për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Dita e Vërës është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.
Me rastin e Ditës së Verës në të gjitha qytetet e Shqipërisë organizohen aktivitete të shumta.