Ndërsa Presidenti i zgjedhur Donald Trump vazhdon emërimet për postet kyçe në administratën e tij, rreth gjysma e të rriturve amerikanë “nuk janë aspak të sigurt” tek aftësia e tij për të emëruar njerëz të kualifikuar për kabinetin e tij dhe poste të tjera qeveritare të nivelit të lartë, sipas një sondazhi të ri nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studime publike NORC.
Procesi dhe shpejtësia marramendëse e emërimeve, janë në përputhje me premtimin e zotit Trump ndaj votuesve se do të jetë një forcë për ndryshimin e status-quo-së në vend dhe një kthim në stilin e paparashikueshëm të qeverisjes që karakterizoi mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Por vetëm rreth 3 në 10 amerikanë janë “jashtëzakonisht” ose “shumë” të sigurt se zoti Trump do të zgjedhë njerëz të kualifikuar për të shërbyer në administratën e tij. Shumica e republikanëve thonë se kanë besim të lartë.
Zoti Trump ka premtuar ta reformojë Uashingtonin me një qasje agresive, përfshirë krijimin e një Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë, ose DOGE, një grup pune joqeveritar i ngarkuar me gjetjen e rrugëve për të shkurtuar radhët e punonjësve dhe programeve federale, si edhe për të minimizuar rregulloret federale, që do të drejtohet nga miliarderi Elon Musk dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy.
Sondazhi arrin gjithashtu në përfundimin se edhe besimi tek aftësia e zotit Trump për të menaxhuar shpenzimet qeveritare dhe për të kryer detyra të tjera kyçe presidenciale, përfshirë mbikëqyrjen e ushtrisë dhe Shtëpisë së Bardhë, është i ulët.
Demokratët dhe të pavarurit më të prirur për dyshime në udhëheqjen e presidentit të zgjedhur
Ky besim i ulët mbizotërohet në përgjithësi nga demokratët dhe të pavarurit. Një pjesë e madhe e demokratëve janë mosbesues ndaj aftësive të zotit Trump në të gjitha këto fronte – rreth tre të katërtat thonë se ata “nuk janë aspak të sigurt” se ai do të jetë në gjendje të menaxhojë në mënyrë efektive Shtëpinë e Bardhë, shpenzimet e qeverisë ose ushtrinë, ose të zgjedhë njerëz të kualifikuar për Kabinetin e tij.
Ndërkohë, rreth 4 në 10 të pavarur thonë se janë “pak” ose “aspak” të sigurt në aftësinë e zotit Trump për të ekzekutuar këto përgjegjësi, ndërsa rreth 2 në 10 janë “jashtëzakonisht” ose “shumë” të sigurt.
Besimi mes republikanëve më i lartë, por jo shumë i madh
Besimi mes republikanëve është më i lartë, por jo aq i madh sa niveli i dyshimeve të demokratëve. Rreth 6 në 10 republikanë janë “jashtëzakonisht” ose “shumë” të sigurt në aftësinë e zotit Trump për të zgjedhur njerëz të kualifikuar për të shërbyer në kabinetin e tij dhe për të menaxhuar Shtëpinë e Bardhë, ushtrinë dhe shpenzimet qeveritare.
Rreth 2 në 10 republikanë janë “mesatarisht të sigurt”, dhe 2 në 10 të tjerë janë “pak” ose “aspak” të sigurt.
Presidenti Biden u përball me sfida të ngjashme në fillim të mandatit
Kur zoti Biden mori detyrën në vitin 2021, publiku kishte gjithashtu disa dyshime lidhur me aftësinë e tij për të menaxhuar disa nga përgjegjësitë kryesore – por ndryshe nga zoti Trump, ku shqetësimi është në nivele të ngjashme për përgjegjësi të ndryshme, ata ishin më të sigurt tek aftësia e zotit Biden më disa drejtime dhe më pak në disa të tjera.
Kur hyri në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden kishte shërbyer tetë vjet si nënpresident i Presidentit Barack Obama, si dhe dekada në Senat dhe ai bëri fushatë duke e vënë theksin tek ato vite përvojë.
Një sondazh i veçantë i AP-NORC i kryer pak pasi zoti Biden mori detyrën – ku formulimi i pyetjes ishte pak më i ndryshëm – gjeti një nivel më të lartë besimi në aftësinë e zotit Biden për të emëruar njerëz të kualifikuar për kabinetin e tij dhe për të menaxhuar Shtëpinë e Bardhë sesa tek aftësia e tij për të menaxhuar ushtrinë dhe shpenzimet qeveritare./VOA
Burimi: botasot.info