Qeveritë fashiste të Serbisë pas përfundimit të luftës në Kosovë, qershor 1999, si dhe regjimi aktual ne krye me A. Vuçiqin, kur është fjala për mitin serb për Kosovën dhe refuzimin kategorik për mosnjohje të pavarësisë së saj, si një kor kukuvajkash kanë mbajtur qasje unike në qëndrimin, se Serbia kurrë nuk do ta pranon “shkëputjen” e Kosovës nga të qenit pjesë e shtetit të tyre sllavo-ortodoks por as pavarësinë e saj !
Dhe, nëse i analizojmë mirë taktikat politike, diplomatike dhe ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008, qëndrimet zyrtare të Beogradit ndaj Planit të Ahtisarit, ndaj dialogut të zhvilluar në Bruksel dhe pranimit të marrëveshjeve të nënshkruara për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë këtu pjesëmarrjen e partive politike të komunitetit serb në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Republikës së Kosovës, kyçja e përfaqësuesve të tyre në qeverinë lokale dhe Kuvendin e Kosovës me 10 deputet, etj., i gjithë ky angazhim i tyre ishte vetëm një skenar i sofistikuar me prapavijë antishqiptare. Sepse, duke marrë poste zyrtare në organet dhe institucionet e Kosovës, ata si qëllim kanë pasur shkatërrimin e Kosovës nga brenda si dhe realizimin e skenarit për kthimin e Kosovës nën pushtimin e Serbisë, duke mos e njohur në asnjë formë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës!
Se është kështu, flasin fakte të shumta, ndër më kryesorët është tubimi i serbëve lokal në veriun e Kosovës rreth “Srpska lista”, gjithnjë sipas udhëzimeve të Beogradit zyrtar, përmes të cilës, siç dihet, në mënyrat më të poshtra e kanë shantazhuar shtetin e Kosovës, qoftë brenda qeverisë, qoftë Kuvendit të Kosovës, si kolonë e pestë e planeve kriminale serbe për rikthimin Kosovës nën pushtimin e Serbisë.
Pra, e gjithë kjo strategji e tyre antishqiptare është parë ashiqare gjatë 10 viteve të fundit, se qëllim kryesor kanë de-funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës si dhe pengimin me çdo kusht të forcimit të Kosovës si shtet me vete dhe dëmtimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare, siç bënte para ca viteve krimineli Ivica Daçiq për t’i bindur disa shtete të Afrikës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si dhe duke i dekurajuar vazhdimisht serbët etnikë në Kosovë që mos të integrohen në jetën dhe shoqërinë e Kosovës si shtet i pavarur!
Mirëpo, ngjarjet dhe hapat e fundit diplomatik të cilët i ka ndërmarrë BE-ja së bashku me amerikanët për përshpejtimin e dialogut dhe arritjen sa më shpejtë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti tani propozimi gjermano-francez për marrëveshjen finale në të cilin përfshihet njohja e ndërsjellë, regjimin e Beogradit e ka vënë para aktit të kryer, i cili duke mos pasur rrugëdalje tjetër përveç njohjes së realitetit, se Kosova është e pavarur, presidenti i Serbisë A. Vuçiqi, do ndërmerr akte të rreme siç ishte ai për dronin e ardhur nga Kosova, ndërsa në anën tjetër, siç tha hapur për media Rada Trajkoviq, kryetare i Lëvizjes Evropiane serbe, “në veriun e Kosovës krimineli Radoiçiq ka futur banda të armatosura, krahas të cilave edhe grupi i armatosur ‘Vagner’, mercenarë të cilët aktualisht luftojnë për rusët në Ukrainë”, me qellim për të shkaktuar konflikt të armatosur në veri të Kosovës..!?
Ndërsa, tërheqja e mbi 576 policëve dhe gjyqtarëve serb në veri nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës nga qeveria dhe Kuvendi, siç u bë e qartë këto ditë, është bërë pikërisht sipas skenarit ogurzi të Beogradit zyrtar për marrjen nën kontroll te të gjitha stacioneve policore në veri, të pikave kyçe të kontrollit rrugorë, etj., me qëllim të pushtimit të tyre, e që në një moment të volitshëm ta shpallin autonominë e serbëve në veri të Kosovës.
Vetë fakti se disa stacione policore ende janë nën kontrollin e ish policëve serb, tani civil, flet për këtë skenar tejet të rrezikshëm, i cili falë ushtarëve të KFOR-it amerikan, po dështon me turp historik për Serbinë dhe gjithë kriminelet serbë, të cilët për 23 vite e kishin marrë peng shtetin e Kosovës.
Dashtë Zoti që ky të jetë fundi i hegjemonisë serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, që njëherë e përgjithmonë të marrin fund tragjeditë shekullore shqiptare, të shkaktuara nga regjimet kriminale të Serbisë fashiste gjatë dy shekujve të fundit (1844 – 2022)..!?