S’ka më gjakderdhje financiare, s’ka më afera korruptive / Do ta ndalojmë ikjen e mjekëve

min lexim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli në një intervistë për “Bota sot” duke folur për situatën aktuale në vendin tonë, thotë se jemi me fat që në krye të institucioneve kemi njerëz të pakompromituar.

Ai për sigurinë në vend thotë se situata është stabile edhe pse në veri është një problem i trashëguar, por që gjatë kësaj kohe të qeverisë Kurti, organet e rendit kanë kryer vazhdimisht aksione në të cilat kanë ndaluar krimin dhe kriminelët, duke e shtrirë zbatimin e ligjit në tërë territorin e vendit.

Për opozitën Agusholli ndjen keqardhje që fati i Kosovës ka qenë i lidhur me ta.

Për çështjen aktuale, tërheqjen e Trustit, deputeti thotë se më mirë është të bëhen pako të reja të mbështetjes nga ana e Qeverisë, se sa të preket Trusti përsëri, duke e krijuar një praktikë problematike.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, ai shprehet se kjo mbetet një prej sfidave kryesore të kësaj Qeverie, por që sipas tij, fati jonë është se në krye të dialogut kemi një person, i cili nuk ka hipoteka e borxhe ndaj askujt, rrjedhimisht që interesin e vendit e ka primar.

Kurse, për rikorrigjimin e kufirit me Malin e Zi, Agusholli konsideron se diskutim i kësaj teme është shumë problematik, përderisa dëmi është shkaktuar.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend, sulmet ndaj policisë në veri, thirrjet për protesta, kërcënimet me bomba etj?

Gramos Agusholli: Situata politike në vend është stabile, sepse kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme, e cila përkundër një mori sfidash, në një vit punë ka bërë shumë punë. Kryesorja, dhe boshti i këtij ekzekutivi është se nuk kemi afera korruptive, e gjakderdhje financiare, dhe në anën tjetër secili problem po merret parasysh, e po shqyrtohet me kujdes. Situata në veri është një problem i trashëguar, për shkak të kompleksitetit që e ka ajo pjesë, të cilën Serbia vazhdimisht tenton që ta mbajë në tension, si strategji e saj, që Kosovën ta bëjë të duket jofunskionale, me qëllim që ta paraqes si projekt të dështuar. Por, krahas kësaj, gjatë kësaj kohe të qeverisë Kurti, organet e rendit kanë kryer vazhdimisht aksione në të cilat kanë ndaluar krimin dhe kriminelët, duke e shtrirë zbatimin e ligjit në tërë territorin e vendit. Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera. E drejta për të protestuar. Protesta është njëra nga shenjat dalluese të një demokracie të shëndetshme, si mundësi e shprehjes së pakënaqësisë. Për kërcënimet me bomba që erdhën një pas një me radhë, besoj se institucionet e sigurisë po i marrin masat e nevojshme, që Kosova të ketë mekanizma përmes të cilave do të evitohej secili rrezik që i kanoset vendit tonë, qoftë edhe kërcënimet e tilla.

“Bota sot”: Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën. Së fundi janë bërë edhe disa sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri. Ҫfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto raste?

Gramos Agusholli: Retorika e Serbisë ka qenë vazhdimisht agresive përballë Kosovës. Problemi i shtetit fqinj qëndron se politika në Beograd asnjëherë nuk e ka pranuar realitetin e ri, respektivisht shtetin e pavarur të Kosovës. Përderisa nuk ka arritur ta pengojë shtetësinë tonë, ajo tenton që veriun e vendit ta mbaj të destabilizuar, që ta ketë sa më të lehtë pazarin në dialog. Politika serbe ka mbështetur edhe fuqizimin dhe rritjen e krimit të organizuar dhe kriminelëve në pjesën veriore të Kosovës, duke shantazhuar e kërcënuar edhe banorët serbë që kanë vendosur që fatin e tyre ta lidhin me Prishtinën zyrtare. Detyrë primare dhe kryesorja e institucioneve të Kosovës është zbatimit i ligjit në secilin cep të vendit, dhe ruajta e mbrojtja e integritetit territorial, të cilin e parashohin ligjet e Kushtetuta jonë.

“Bota sot”: Opozita vazhdimisht kritikon punën e qeverisjes së Vetëvendosjes, cila është përgjigja juaj për opozitën?

Gramos Agusholli: Sinqerisht unë do të isha befasuar nëse opozita do ta lavdëronte punën e qeverisë. Mua më vjen keq që fati i Kosovës ka qenë i lidhur me ta, për më tepër se dy dekada. Problemet që janë trashëguar janë aq të mëdha, e aq të komplikuara, sa që pasojat po i vuajmë tash, e nuk do të jetë aspak e lehtë të rikuperohen dëmet e shkaktuara.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vizitën e kryeministrit Kurti në Amerikë, e cila madje është kritikuar ashpër, për shkak të kohëzgjatjes ?

Gramos Agusholli: Vizita e kryeministrit Kurti, ka qenë në kohë dhe kohëzgjatje, ashtu si është thënë nga ai vet “që në SHBA nuk mund të shkoj për dy – tri ditë”. Për herë të parë një kryeministër i Kosovës ka takuar biznese që sot mbajnë barrën e ekonomisë globale, sidomos ato që lidhen me teknologjinë dhe botën digjitale, si mundësi që të krijohen kontakte për potencialet që i ka Kosova për të investuar. Edhe shumë vite të qëndronin në pushtet, mundësia që pararendësit e Kurtit ta vizitonin Silicon Valley-in, ishte minimale, për të mos thënë nuk do të ndodhte. Më pas takimi me një mori senatorësh, të cilët e kanë ndikimin dhe peshën e tyre në politikën amerikane padyshim që ka qenë një element tjetër meë rëndësi në këtë vizitë. Derisa kemi vatrën e krizës në dyert e Evropës, agresionin e brutalitetin rus, Kosova është rreshtuar saktë e drejtë me aleatin strategjik e vendimtar të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Bota sot”: Kosova së fundi ka aplikuar në Këshillin e Evropës, cilat janë gjasat që Kosova të jetë anëtare e KiE-së?

Gramos Agusholli: Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Pranimi i Kosovës në një organizatë kaq të fuqishme si Këshilli i Evropës, do të thotë shumë për fuqinë e Kosovës si shtet në të ardhmen. Duke qenë anëtare e Këshillit të Evropës, Kosova përfundimisht e fuqizon më tepër atë që është subjektivitet juridik i Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku do të trajtohet ndryshe nga ata që e njohin dhe ata që nuk e njohin si shtet.

“Bota sot”: Pse Vetëvendosje nuk po voton për tërheqjen e Trustit? Sa % mendoni se do të ishte legjitime të tërhiqej?

Gramos Agusholli: Jam i vetëdijshëm për nevojën që e kanë qytetarët që t’i marrin këto mjetet. Mirëpo, ne para se të veprojmë diçka duhet t’i shohim dobitë dhe pasojat. Shumica e qytetarëve të Kosovës, kontributet në Trust i kanë shumë të vogla, e që nuk do t’iu bëhej ndonjë zgjidhje afatgjate. Në anën tjetër vitin e kaluar janë tërhequr 10 për qind të Trustit, derisa këtë herë po kërkohet 30 për qind. Unë nuk e di se kur do të mund të përfundonte kjo praktikë. Ose ndoshta derisa të zbrazej ky fond. Ne mund t’i lëshojmë këto para, duke bërë politika populiste, duke e shkatërruar pleqërinë e shumicës. Më mirë është të bëhen pako të reja të mbështetjes nga ana e Qeverisë, se sa te preket Trusti përsëri, duke e krijuar një praktikë problematike.

“Bota sot”: Nëse do të terhiqej 10-15% të Trustit, a do ta mbulonte qeveria e Kosovës në shenjë ndihme për shkak të krizës?

Gramos Agusholli: Unë ashtu siç e theksova edhe më lartë, të gjitha bashkë, ne si deputetë, kategoritë e ndryshme shoqërore, në bashkëpunim me institucionet e vendit, do të mund të propozonim, më pas edhe të hartohej një pako e re e mbështetjes nga Qeveria, si formë e mbështetjes për qytetarët e vendit, e ajo të preken paratë e Trustit.

“Bota sot”: Cili është vizioni i juaj, i VV-së për daljen nga kriza ekonomike, e cila duket se po bëhet një krizë botërore për shkak të luftës në Ukrainë, pushtimit rus?

Gramos Agusholli: Kriza në një pjesë të Evropës është evidente, e që nuk e lë pa e prekur edhe vendin tonë. Ne sapo i lamë telashet e mëdha që i kishim me importimin e energjisë elektrike në muajt e dimrit. Dua të them që ekonomia është e ndërlidhur, dhe se është e vështirë të qëndrosh imun përballë krizave. Qeveria e Kosovës. Ne kemi këtu edhe rezervat shtetërore, e që në këtë drejtim është punuar padyshim nga kjo Qeveri. Më tutje nuk mund ta flas më tepër, sepse kemi të bëjmë me një sekret shtetëror. Sasia, lloji dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet. Kaq mund të them. Ne sapo kemi kaluar pakon prej 100 milionë eurosh, të cilat ndihmojnë sado pak buxhetin e individëve dhe familjeve kosovare.

“Bota sot”: A ka presione të jashtme ndaj qeverisë, që të bëjë lëshime në bisedime?

Gramos Agusholli: Ajo që është e rëndësishme është se vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtarë, krahas arritjes së marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, është theksuar paprekshmëria e territorit të Kosovës. Kjo do të thotë se idetë për shkëmbim të territoreve, kanë vdekur, dhe se tash bisedimet nuk do ta përfshijnë këtë pjesë. Pa diskutim, kjo mbetet prej sfidave kryesore të kësaj Qeverie, por fati jonë është se në krye të dialogut është një person, i cili nuk ka hipoteka e borxhe ndaj askujt, rrjedhimisht që interesin e vendit e ka primar.

“Bota sot”: A do ta pranoni me kusht që edhe ndërkombëtarët ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin?

Gramos Agusholli: Secili organizim, qoftë ai edhe asociacion i komunave, përderisa e respekton kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk mendoj që paraqet problem.

“Bota sot”: A ka shanse që të korrigjohet seriozisht gabimi i bërë në vijën kufitare në demarkacionin me Malin e Zi?

Gramos Agusholli: Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës, e kishte ratifikuar demarkimin e kufirit, gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, edhe pse ky i fundit e kishte kundërshtuar shenjëzimin e vijës kufitare që ishte përcaktuar nga Komisioni për përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, komision i drejtuar aso kohe nga Murat Meha. Konsideroj se kthimi në diskutim i kësaj teme është shumë problematik, përderisa dëmi është shkaktuar.

“Bota sot”: Si do të realizohen reformat në arsim, që të rritet cilësia në të gjitha nivelet?

Gramos Agusholli: Arsimi është njëri nga problemet kryesore me të cilin jemi ballafaquar që nga paslufta. Rritja e cilësisë, lidhja e arsimit me tregun e punës, shkollat profesionale, matja e performancës, kurikulat – që në qendër të saj e kanë mësimin praktik – janë disa prej sfidave me të cilat po ballafaqohemi. Ne kemi mbështetur me 2 milionë euro me bursa për sektorin e IT-së, maturantët, të cilët përmes kurseve disa mujore, mund të bëhen direkt pjesë e tregut të punës.

“Bota sot”: Si do të bëhen dhe cilat janë reformat në shëndetësi, që do të mund ta shpëtojnë apo ulin ikjen e mjekëve dhe të stafit mjekësor nga vendi?

Gramos Agusholli: Besoj që shumë shpejt ministri respektiv dhe Qeveria do të dalin me një strategji, përmes së cilës do ta sqarojnë se cilat janë hapat për t’i bërë reformat e nevojshme në shëndetësi, duke parandaluar edhe ikjen e mjekëve nga Kosova.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kishat e lidhura me Rusinë në Ukrainë kritikojnë udhëheqësin me bazë në Moskë për mbështetjen e luftës

Story i radhës

“Ky do me na bë budallenj me zor”, gazetarja ironizon Ramën, harron se është live në emision

Të fundit nga