​“Sjellje adoleshente”, Gjergji për situatën në veri: Kujdes me aleatët, duhet paqe e pajtim

July 15, 2023
min lexim

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress duke komentuar situatën e tensionuar të muajit të fundit në veri kërkon të ndërmerren veprime të matura pasi nuk duhet të rrezikojmë atë që e kemi fituar më 1999. Gjergji shprehet se deri më tani janë parë “sjellje prej adoleshenti të një shteti” që bën gabim të mendojë se nuk ka nevojë për ndihmën e atyre që e sollën deri në këtë ditë.

Kreu i Kishës katolike në Kosovë tregon edhe idenë e parealizuar të komunitetit fetar për të ndihmuar në lidhje me situatën në veri, ndërsa pyetet rreth dyshimeve të ngritura se Kisha ortodokse serbe po kontribuon në destabilizimin e vendit dhe për raportet e acaruara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Më 26 maj kryetarët e zgjedhur të komunave Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq tentuan të hyjnë në objektet komunale për të filluar punën, por hasën në rezistencën e protestuesve serbë. Nga ajo ditë pasuan akte të dhunshme në drejtim të policëve, trupave të KFOR-it dhe gazetarëve. Një situatë e brishtë ende po mbretëron në atë pjesë.

Imzot Gjergji thotë se situata e krijuar në komunat më veriore të Republikës duhet të zgjidhet me urtësi.

“Unë mendoj që më së pari është një situatë e dhimbshme, ne vazhdojmë të përcjellim më kujdes atë se çfarë po ndodhë, lusim Zotin që paqja të mbretërojë atje në zemrat e njerëzve dhe urtia njerëzore të jetë më e shpërfaqur në rrethanat, në të cilat gjendemi, ashtu që të gjendet një dalje jo vetëm e zgjuar por edhe njerëzore, të zgjidhet ajo situatë me urtësi, drejtësi dhe dashuri, sepse edhe sjelljet sigurisht nga ana jonë janë më shumë sjellje adoleshente të një shteti që mendojmë se nuk kemi më nevojë për prindërit, mund dhe dimë vetë, megjithatë më vonë do të kuptojmë që gjërat do të zgjidhën me harmoni, bashkëpunim dhe me një kujdes të veçantë”, deklaron Gjergji.

Kreu i Kishës katolike, duke nënkuptuar aleatët kur përmend figurën e “prindërve” thotë se ndonjëherë “njeriu duhet të heqë dorë nga e drejta vetë për të mirën e përgjithshme”

“Po mendoj që në figurën e prindërve e nënkuptova shumëçka nuk është e zgjuar që ne tani të mendojmë që nuk kemi nevojë për ata, të cilët na kanë mbështetur dhe na kanë ndihmuar, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm që në vitin 1999 është rikthyer edhe një here dinjiteti, paqja dhe liria edhe shansi për një të ardhme të mirë të popullit tonë që nga koha e Skënderbeut. Prandaj, në asnjë mënyre nuk duhet të rrezikojmë paqen dhe të marrim veprime të ngutura sepse në fund ne mund të kemi të drejtë, por njeriu duhet të heqë dorë nga e drejta e vetë për të mirën e përgjithshme dhe për paqen me të tjerët…Jo nuk është që të bëjmë lëshime apo të marrim më shumë, por të jemi më konsekuentë dhe të jemi më të gatshëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, ashtu që të bisedohet sa të gjendet zgjidhja”, vijon Gjergji.

Ipeshkvi Gjergji tregon edhe iniciativën e parealizuar të klerikëve që të lutën te ura e Ibrit. Megjithëse, nuk tregon se kush e pengoi një iniciativë të tillë, Gjergji shprehet se e vetmja rrugë për të dalë nga situata është paqja dhe pajtimi.

“Ne e kemi pasur si një iniciativë jo si ide që të bashkohemi të gjithë liderët fetarë në urën e Mitrovicës dhe të lutemi për paqe dhe t’i ftojmë besimtarët dhe popullin tanë që të pajtohen… Vullneti ka qenë që të bëhet një gjë e tillë, por jo të gjithë kanë qenë të gatshëm që të marrim një hap kaq të madh…. Kush nuk ishte i gatshëm? Mendoj që nuk është e rëndësishme kush është e dhimbshme që nuk ka ndodhur… Mendoj që e vetmja rrugë për të dalë nga situata në të cilën jemi është paqja, pajtimi, sepse nuk duhet të rrezikojmë atë që kemi fituar”, deklaron Gjergji.

Gjergji beson se shqiptarët dhe serbët do të gjejnë rrugën e pajtimit dhe se për këtë ka edhe një vullnet të ndërkombëtarëve.

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë nuk shprehet i shqetësuar as me obligimin që ka marrë Kosova në marrëveshje me Serbinë për atë që është interpretuar si më shumë autonomi për Kishën serbe.

Megjithëse është i shkurtër dhe i kujdesshëm në fjalët që zgjedh, Gjergj thotë se do të ishte e papranueshme nëse Kisha ortodokse serbe po shfrytëzohet për destabillzim të vendit, siç u pretendua së fundmi edhe në Parlamentin britanik nga deputetja Alicia Kearns, që deklaroi se armët e kontrabanduara nga Serbia në Kosovë po mbahen në kishat ortodokse.

“Mendoj se kjo nuk është pyetje për mua, kjo është pyetje për njerëzit që janë kompetentë për të parë situatat e veçanta, të cilat ndodhin në realitet. Nuk është punë e jona që të diskutojmë lidhur me mundësinë e një deklarate të një deputeti ose të një situate, sigurisht që po të ishte e vërtetë, shumë e trishtueshme dhe e papranueshme”, thotë Gjergji.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur edhe për raportet mes liderëve, Gjergji u shpreh se “duhet të ulen gjakrat” dhe të mësohemi të flasim edhe me ata që mendojnë ndryshe.

Mendoj që është më shumë shpërfaqje karakteri të individëve se sa që janë politika në mes dy vendeve tona, por kështu janë njerëzit nuk jemi të gjithë njëjtë, ne i dimë edhe situata, të cilat i kemi pasur përpara me lojën e fjalëve vëlla, mikë, dua, nuk dua, bënë, nuk bënë, ndoshta duhet të jemi më racionalë dhe duhet të ulim më shumë gjakun të mendojmë për nevojën e të ardhmes dhe të bashkëpunojmë, sepse njeriu në të vërtet në tërësi nuk është mësuar të komunikojë dhe me kundërshtarë, sepse ne duhet të gjejmë aftësinë të bisedojmë më njerëzit që kanë mendime të ndryshme, duhet të bashkëpunojmë më njerëzit që nuk na duan dhe duhet të gjejmë forcën të punojmë për të mirën të ardhmen të përbashkët edhe kur nuk na pëlqen dhe kur është kundër mendimeve dhe qëndrimeve tona sepse më e rëndësishme dobia e përbashkët se realizimi i qëllimeve tona”, thotë ndër të tjera Gjergji.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Rama pyet Gentian Toshkëzin: Si të duket masa për studentët e mjekësisë? Përgjigja e mjekut më të mirë të Amerikës

Story i radhës

Rebelimi ishte vetëm fillimi, komandanti i Wagner bën paralajmërimin e frikshëm: Jemi gati për trazira globale

Të fundit nga

Duke u bërë gati për fundin e TikTok-ut

Në më pak se një muaj, TikTok mund të ndalohet në Shtetet e Bashkuara – dhe fati i një ekonomie krijuese me vlerë miliarda dollarë është tashmë në rrezik. Pse është e

​Drita kampion vjeshtor i Kosovës

Me ndeshje e zhvilluara në fundjavën që sapo ka kaluar është mbyllur zyrtarisht stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani fitoi 0:2 në derbin lokal ndaj Suharekës, kurse Drita me
ShkoLartë