Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë ditës së sotme janë ndjekur 9 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit.
Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave operacionale nga toka dhe ajri, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë situatë problematike apo rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt, pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, ADZM-së dhe mbështetjes së helikopterit të Forcës Ajrore, zjarri raportohet i fikur dhe zona po mbahet në monitorim. Në Priskë, vatra është shuar plotësisht.
Në Çikallesh, bashkia Kavajë, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga ajri me avionin “Air Tractor”, bëri të mundur izolimin e plotë të vatrës. Zona po mbahet në monitorim.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, bashkia Mallakastër, zjarri është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri i favorizuar nga era kishte zgjeruar perimetrin dhe kishte rrezikuar banesa dhe infrastrukturën elektrike. Pas angazhimit të forcave zjarrfikëse të disa bashkive, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura, situata është vendosur nën kontroll.
Në Kostren 2, bashkia Berat, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe forcave mbështetëse. Është shuar plotësisht edhe vatra në Uruç, bashkia Peqin.
Në Alikomemaj, bashkia Memaliaj, është raportuar një vatër në një sipërfaqe me pisha dhe në terren janë dërguar forcat e MZSH-së Memaliaj.
Në tërësi, situata paraqitet e stabilizuar, pa vatra problematike që të rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara.
Burimi: botasot.info


