Türkiye po bëhet shpresë për njerëzit që vuajnë nga kanceri nga zonat veriperëndimore të Sirisë, qoftë në vendin ku ndodhen ose në Türkiye, transmeton Anadolu.
Personat që vuajnë nga kanceri, të cilët ndodhen në zonat që janë pastruar nga terroristët me operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, kanë mundësinë të trajtohen në repartet onkologjike të spitaleve që, me koordinimin Ministrisë së Shëndetësisë të Türkiyes, janë ndërtuar në Al-Bab, Jarabulus dhe Afrin.
Aktualisht në rajon po trajtohen me kimioterapi 271 pacientë, nga të cilët 176 në spitalin në Al-Bab, 45 në Jarabulus dhe 50 pacientë në Afrin.
Gjithashtu, tashmë 460 pacientë me kancer trajtohen në repartet onkologjike që u shërbejnë civilëve në spitalet në Siri.
Në këtë kuadër, një specialist i onkologjisë nga Türkiye ofron shërbime poliklinike një herë në javë në spitalin e Al-Babit në Siri.
Pacientët me kancer, sëmundja e të cilëve kërkon teknika të avancuara trajtimi, referohen në Türkiye nga mjekët specialistë.
Nga ana tjetër, civilët në Idlib, i cili ndodhet në pjesën veriore të Sirisë, ku ushtria siriane dhe mbështetësit e saj shënjestrojnë infrastrukturën shëndetësore, përballen me probleme të mungesës së mundësive për mjekim dhe furnizim me ilaçe.
Në vendin ku lufta civile vazhdon prej më shumë se 12 vitesh, një numër i madh i të sëmurëve me kancer janë prekur nga mangësitë në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Për këtë arsye, disa nga pacientët me kancer, të cilët jetojnë në zonat nën kontrollin e regjimit në Siri, vendosen në Idlib dhe më pas shkojnë në Türkiye për trajtim.
Deri në datën 6 shkurt, kur ndodhën tërmetet me epiqendër në Kahramanmaraş, pacientët e urgjencës dhe kancerit trajtoheshin në Turkiye, por për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në Hatay, transferimi i pacientëve u reduktua.
Por procesi u normalizua sërish dhe transferimi i pacientëve filloi të koordinohet për të vazhduar trajtimin në Adana dhe Mersin për të lehtësuar vuajtjet e pacientëve me kancer në Idlib.