Sinjalet që po jep Serbia drejt një lufte të re/ Paralajmërohet i gjithë Ballkani

min lexim

Qeveria Kurti tashmë ka bërë një vit që nga qeverisja e saj në vendin tonë. Që nga fillimi i qeverisjes së saj, një mori vendimesh dhe veprimesh janë ndërmarr në të mirën e vendit.

Kryeministri Kurti çdo ditë e më shumë po e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, që ka qenë prezentë tash e 20 vite.

Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend, mirëpo edhe luftën tashmë Ukrainë – Rusi, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka folur deputeti nga radhët LVV-së, Enver Dugolli.

Deputeti situatën politike në vend e sheh stabile, ani pse lufta në Ukrainë ka arritur të sjellë disa ndryshime jo vetëm në Kosovë po në gjithë botën.

Image

Deputeti nga LVV, Enver Dugolli

Për kërcënimet e vazhdueshme që Serbia po bënë ndaj Kosovës, Dugolli u shpreh se pozicioni që momentalisht Serbia është duke e mbajtur e bën të rrezikshme edhe për Kosovën, mirëpo sipas tij shteti ynë është në një vijë me shtetet ndërkombëtare dhe kjo na mbron.

Ndërsa në lidhje me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Dugolli e sheh të nevojshme që sa më shpejt të bëhet, mirëpo sipas tij duhet të bëhen më shumë investime në siguri dhe mbrojtje.

Kurse në lidhje me operacionin e fundit të policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në pikën kufitare në Morinë (Operacioni “Pika” 2) deputeti thotë që krimi dhe korrupsioni si asnjëherë më parë po luftohet tani dhe se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë edhe më i thellë.

Në fund Dugolli armatimin e vazhdueshëm të Serbisë e sheh sinjal të keq jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin, pasi sipas tij kjo duhet të ndalohet nga fuqitë e mëdha.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Enver Dugolli: Pas përfundimit të suksesshëm të dy palë zgjedhjeve, atyre qendrore dhe lokale, vendi ka shënuar progres në formimin rekord të institucioneve duke siguruar stabilitet të plotë politik dhe institucional. Pra, tani jemi në një pozitë shumë më të favorshme dhe shumë më të mirë të stabilitetit politik, si në aspektin e politikave të brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme.

“Bota sot”: Sa ka ndikuar lufta në Ukrainë në Kosovë?

Dugolli: Agresioni Rus mbi Ukrainën sikurse në gjithë botën, ka ndikuar edhe në vendin tonë. Ndikimi më i madh që ka ndodhur dhe që ndihet gjithandej, ka të bëjë me ngritjen e çmimeve të disa produkteve bazë të ushqimit, energjisë dhe naftës.

“Bota sot”: A mendoni që Kosova është e rrezikuar nga Serbia nga kjo gjendje e krijuar në Ukrainë?

Dugolli: Pozicioni i Serbisë karshi agresionit Rus mbi Ukrainën nuk është në vijën e njëjtë me shtetet e rajonit dhe botës demokratike perëndimore. Pra, Serbia as nuk e dënoi këtë agresion e as që ju bashkua shteteve të BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për vendosjen e sanksioneve. Prandaj, një pozicion i tillë i Serbisë, gjithsesi që është i rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Shto këtu që Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës ku në preambulën e Kushtetutës së saj ende figuron Kosova si pjesë e saj.

“Bota sot”: Si duhet të jetë e përgatitur Kosova në këto kushte që jemi tani?

Dugolli: Kosova është ndër vendet e para në rajon që është rreshtuar drejt dhe ka dënuar agresionin rus mbi Ukrainë, duke ju bashkangjitur nismave të shteteve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, duke shprehur gatishmëri për ndihmë në strehimin e refugjateve nga Ukraina dhe gazetarëve si dhe duke ndarë ndihmë financiare si shenjë solidariteti dhe përkrahje me popullin e Ukrainës. Pra, jemi në koordinim dhe bashkëveprim të plotë me aleatët e lirisë dhe demokracisë, BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të.

“Bota sot”: Kërkesat dhe thirrjet për anëtarësim të Kosovës në NATO janë më të mëdha tani pas luftës në Ukrainë. Sa mendoni se janë shanset që Kosova të jetë pjesë e aleancës së shpejti?

Dugolli: Orientimi i drejtë, i Kosovës për rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, është përcaktimi ynë strategjik i shprehur në vazhdimësi. Mirëpo, situata e përgjithshme e sigurisë, dhe jo vetëm, pas agresionit Rus mbi Ukrainën ka ndryshuar në Evropë e gjithkund në botë. Në këtë rrafsh, ne konsiderojmë që sa më shpejt Kosova të futet në NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar të sigurisë, aq më i sigurt do të jetë Ballkani dhe Kosova. Mos të harrojmë, se ishte pikërisht NATO-ja që u detyrua të intervenonte mbi caqet serbe për të ndalur krimet gjenocidale të Serbisë mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjë Kosova që të pranohet në NATO? A mjaftojnë vetëm thirrjet për anëtarësim?

Dugolli: Kosova, së bashku me aleatët tanë duhet të punojë më intensitet të shtuar me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, e që janë pjesë e NATO-s, dhe të vazhdojë me investimet e qëndrueshme në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut dhe në programin e NATO-s në Partneritet për Paqe, është hapi i parë dhe i mundshëm, tani për tani. Anëtarësimi ynë në NATO, me siguri që është destinacioni ynë i vetëm, mirëpo duhet të punojmë fort në atë drejtim që t’i përmbushim të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara. Një përshpejtim i këtij procesi gjithsesi që është i nevojshëm dhe i mirëseardhur.

“Bota sot”: Z. Dugolli duke qenë që ju jeni pjesë e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, cilat janë zhvillimet e fundit që janë bërë në ushtrinë tonë?

Dugolli: Ne po punojmë me intensitet të madh që të plotësojmë kuadrin ligjor në mënyrë që të lehtësojmë rrugën në përmbushjen e objektivave të qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen dhe fuqizimin e FSK-së. Mbështetja e madhe buxhetore e Qeverisë për MM-në dhe FSK-në, kërkon vendosmëri dhe kreativitet për realizimin e pritjeve, prandaj në këtë kuadër edhe ne si Komision po mundohemi të jemi në të njëjtën vijë.

“Bota sot”: Gjithashtu së fundmi është realizuar një operacion nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, ku u arrestuan shumë zyrtarë policorë për keqpërdorim të detyrës. A është ky edhe një hap që krimi dhe korrupsioni po minimizohen?

Dugolli: Ne inkurajojmë Inspektoratin Policor dhe të gjitha institucionet ligj-zbatuese që të jenë në krye të detyrës duke luftuar krimin, korrupsionin dhe kontrabandën pa dallim. Krimi dhe korrupsioni po luftohet si asnjëherë më parë, prandaj kjo është një shenjë e mirë e funksionimit të hallkave të shtetit, të cilat po e kryejnë detyrën e vet. Organet ligj-zbatuese janë të lira të kryejnë detyrat dhe obligimet ligjore sepse askush më nuk guxon të ndërhyjë apo ti pengojë. Vullneti politik i shprehur i kësaj qeverie për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, po tregohet i suksesshëm sepse rezultatet janë ato që po na flasin më së miri.

“Bota sot”: A ka rritje të bashkëpunimit me institucionet e mbrojtjes së Shqipërisë, pas konfliktit në Ukrainë?

Dugolli: Bashkëpunimin me Shqipërinë ne e konsiderojmë si tepër të nevojshëm dhe po angazhohemi që ky bashkëpunim të jetë sa më i thellë dhe përmbajtjesor, mirëpo për këtë bashkëpunim duhet që të dyja palët të jenë të përkushtuara maksimalisht. Gjithmonë ka mundësi edhe më shumë, edhe më mirë.

“Bota sot”: Si i vlerësoni kërcënimet e Serbisë, a mund të ketë invazion në veri të vendit?

Dugolli: Gara e Serbisë për armatim, ku herë blen e herë merr donacione nga Rusia e Bjellorusia e nga Kina, nuk është sinjal i mirë për Ballkanin e sidomos për Kosovën. Bota duhet ta kuptoj që Serbia vazhdon të jetoj me mentalitetin e së kaluarës dhe me luftërat qe zhvilloj Millosheviqi. Bilës, presidenti i Serbisë Vuçiqi kur fliste për të (Millosheviqin), thoshte që e meta e tij është që nuk arriti t’i mbaronte projeksionet e tij… Pra Serbia nuk ka ndryshuar, ajo vetëm sa po forcohet.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Këto janë arsyet pse Rusia ka emëruar një komandant të ri lufte në Ukrainë

Story i radhës

Lajmet më të fundit nga Ukraina

Të fundit nga