Sikur të ishte gjallë heroi Ali Ajeti si do të vepronte?

May 31, 2022
min lexim

Është e vështirë të shkruash përkujtimin për rënien heroike të mikut, bashkëpunëtorit dhe shokut të idealeve pa ndjenjën e fajësisë dhe pyetjen: pse unë shpëtova e ai u vra?

Kjo pyetje më ka ndjekur si një kryq Krishti në këto 33 vite të ndarjes nga Aliu, pavarësisht faktit se ne, Çeta e Llapit, e vazhduam rezistencën tonë sikush me mundësitë e idealet e veta qoftë në Kosovë apo qoftë në mërgimin tonë të dhunshëm. Asnjë hap, asnjë lëvizje në jetën time politike e organizative nuk e kam bërë pa e pyetur veten: sikur të ishte gjallë Aliu si do të vepronte? Kjo pyetje më ka ndjekur për faktin se sa ishte Aliu gjallë, ne njihnim një mizëri njerëzish por shokëve të cilëve mund t`ua besoje jetën ishin të paktë. Aq më tepër kur po vepronim në një kontekst shoqëroro-politik në të cilin lufta ende nuk kishte marrë përmasat e një opsioni të mundshëm për çlirimin e Kosovës. Ishim dallëndyshet e para që filluan të hiqnin iluzionin se me Serbinë do të mund të ndaheshim pa luftë…

Me Aliun ishim njohur pas daljes së tij nga burgu. U kyçëm në organizimet e atëhershme të rezistencës por në shpirtin tonë nuk kishte asnjë premisë ideologjike. E konsideronim veten patriotë të pastër ndonëse u takonim dy grupeve organizative të ndryshme, por bashkëpunimi ynë ishte sikur të ishim një i vetëm.

Në vitin 1989 bashkë me Aliun organizuam demonstratën e 27 marsit në të cilën Aliu ishte pjesëmarrës bashkë me disa shokë të tjerë, i gatshëm të mbrojë demonstruesit në rast të ndonji sulmi nga ana e policisë. Kjo demonstratë e çoi në falimentim aparatin e dhunshëm shtetëror të instaluar pak kohë më parë. Në këto rrethana ishim të vetëdijshëm se policia ishte duke na gjurmuar për të na arrestuar ndaj asnjëherë nuk flinim në të njëjtin vend ndonëse vendet ku mund të strehoheshim ishin të pakta nga shkaku i frikës nga represioni serb. Sidoqoftë, ne asnjëherë nuk hoqëm dorë nga veprimtaria jonë dhe ç do ditë e kishim të mbushur me aktivitete rreth kauzës sonë për çlirim. Në këtë kontekst grupi i njerëzve që filluan të na ndihmonin filloi të rritej dukshëm dhe dëshira për të aderuar tek ne ishte e madhe por ne përmbaheshim dhe pranonim në radhët tona vetëm ata që kërkoheshin nga policia.

Në prill të atij viti(1989) bashkë me Aliun minuam shtyllën e tensionit të lartë në Llaushë të Podujevës por në mungesë të eksplozivit të mjaftueshëm arritëm vetëm ta lakonim. Aty afër ndodhej një kazermë pushtuese ushtarake nga e cila filluan të shtëna por pa na dëmtuar. Pas furnizimit me eksploziv, në Llapashticë, bëmë të njëjtën gjë duke hedhur në erë largpërçuesin e rrymës me tension të lartë me datën 29 prill 1989. Me qëllime denigrimi dhe propagande politike, Agjencia e Lajmeve Jugosllave (TANJUG) e atëhershme këtë ngjarje e paraqiti publikisht vetëm me datën 1 Maj duke na konsideruar si sulmues të fryteve të punës të klasës punëtore. Një ditë përpara bashkë me Aliun, Sabri Kiçmarin e Shaban Mulollin, gjatë orës policore ramë në pritë në fshatin Shajkofc por pasi i mbushëm armët të dyja palët, policisë i mungoi guximi të shtinte në ne dhe ne me kujdes u larguam nga ajo situatë e pafavorshme për ne.

Me 06 maj 1989 unë për herë të parë u kërkova nga policia antiterroriste e Beogradit dhe Njësia speciale e Kosovës në bashkëpunim me Sigurimin Shtetëror Federativ të Kosovës. Kishin zbarkuar në orët e hershme të mëngjesit në Obranqë, 13 autoblinda e mjete të motorizuara dhe një numër i madh policësh. Për fat sapo kisha dalë nga shtëpia për motive të organizimit bashkë me një shokun tim, që të dy të armatosur.

Me Aliun dhe shokët e tjerë të grupit kishim ndërtuar një strategji operimi dhe në rast të plagosjes së rëndë eventuale të ndonjërit nga ne e në pamundësi tërheqjeje ishim dakorduar të merrnim aktin ekstrem të vrasjes së të plagosurit me qëllim që të mos binte i gjallë në duart serbe. Jeta jonë në atë periudhë, në ato kushte klimatike dhe të rrethuar nga rreth 30 000 policë të ardhur nga e gjithë ish-Jugosllavia nuk ishte e lehtë. Duhej lëvizur vetëm natën dhe me peshën e armëve në sup, shpesh e kalonim lumin Llap të hazdisur në pranverë pa i shmangur asnjëherë vrojtimet e qendrave neuralgjike të Podujevës.

Më 30 Maj 1989, pasi kishim kaluar dy netë pa fjetur, në kushte rrethimi të vazhdueshëm dhe me orën policore në fuqi, megjithatë i a dolëm të organizojmë demonstratën për të sinjalizuar parlamentarët evropianë që kishin ardhur për vizitë hulumtuese në Kosovë, me gjendjen e vërtetë të shqiptarëve nën pushtim. Në atë demonstratë kemi hyrë të armatosur vetëm me armë të shkurtra ndërsa ato të gjatat i patëm lënë rrëzë malit. Vetëm Aliu kishte marrë shmajzerin tim kurse unë për arsye strategjike u armatosa me një Parabellum dhe një bombë dore që ma dha Aliu. Për të mbuluar shmajzerin, me Aliun i ndërruam edhe palltot sepse e imja ishte më e gjatë.

Në qytet defiluam me pankarta e flamur kombëtar rreth një orë por demonstruesit ishin më të paktë se sa në demonstratën e 27 marsit. Shkaku ishte se tashmë po kërkoheshim për t u likuiduar nga Serbia me ngulm dhe tensioni në qytet ishte shumë i lartë. Papritmas diku rreth orës 14 00, policia filloi sulmin me bomba shokuese dhe arriti të na ndante në dy grupe. Ishim marrë vesh të rezistonim deri në fund. Një grup të cilit i printe Aliu filloi tërheqjen drejtë fshatit Livadicë ndërsa grupi tjetër u detyruam të tërhiqeshim drejtë fshatit Letanc. Atë ditë mbi kokat tona në ndjekje e sipër u vërejtën edhe helikopterët e forcave serbe. Në tërheqje e sipër grupi i demonstruesve i udhëhequr nga Aliu, i përbërë edhe nga tre shokë tanët si dhe demonstrues të tjerë pa ndonjë përvojë organizative u pikas në një pikë pa mundësi mbrojtjeje (arë gruri). Forcat policore shfrytëzuan rastin për të shtënë kundër tyre. Aliu ndonëse i lodhur e dy ditë i pafjetur ngritet në këmbë dhe fillon të shtënat kundër forcave policore. Të shtënat e tij kishin për qëllim mbrojtjen e shokëve dhe demonstruesve me të cilët po tërhiqej. Në atë moment Aliun e merr një plumb fatal dhe për pak minuta ai ndërron jetë. I vetëdijshëm se po vdes për liri ua dorëzon armën shokëve duke e mbajtur betimin se nuk do të binte kurrë i gjallë në duart serbe.

Ky ishte Aliu i kumtesës sime të shkurtër.

Ka shumë për të thënë e shumë të pa thëna të tjera të cilat do t’i ruaj si kujtimet e mia më të bukura.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, Ju përshëndes përzemërsisht, unë Gani Hoxha, nga Lugano.

Ps. Kumtesë të shkurtër për heroin dhe mikun tim Ali Ajeti

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Trupat e gjetur në fabrikën e çelikut Azovstal ‘do t’i dorëzohen Ukrainës’

Story i radhës

7 veprime me të cilat po dëmtoni smartfonin tuaj

Të fundit nga

ShkoLartë