Si po e transformon Gjermaninë Lufta e Ukrainës!?

min lexim

Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi në shkurt se do të ndryshonte rrënjësisht politikat e vendit të tij, në kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Gjashtë muaj pas kësaj Zeitenwende – pike kthese – ai po ecën më mirë se sa priste shumëkush, edhe pse më keq se sa shpresonin disa të tjerë.

Në fjalimin e tij befasues para ligjvënësve gjermanë në Bundestag më 27 shkurt, 3 ditë pasi filloi pushtimi i Vladimir Putin në Ukrainë, Scholz njoftoi fillimin e 3 transformimeve. Së pari, Berlini do të ri-investonte tek ushtria e tij për të përmbushur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, dhe konkretisht do ta përdorte atë për të përmirësuar pajisjet e ndryshme siç janë avionët luftarakë.

Së dyti, Gjermania do ta trajtonte politikën energjetike si një çështje të sigurisë kombëtare, dhe do të hiqte gradualisht dorë nga gazi natyror rus. Së treti, Berlini nuk do të kishte më një qasje diplomatike të pamend vetëm për hir të diplomacisë, sidomos në raport me udhëheqësit autokratë.

Sado thelbësore që ishin këto premtime, zbatimi i tyre do të kërkonte ndryshime shumë më të mëdha në kulturën publike, biznesin dhe në politikën gjermane. Ndërkohë ndërtimi i mbështetjes së votuesve për ndryshime të tilla radikale, kërkon një rivlerësim të plotë të interesave të Gjermanisë dhe rolit të saj në botë.

Çuditërisht, Gjermania ka filluar që ta ndërmarrë këtë proces. Zhvillimi më i rëndësishëm është diçka që nuk ka ndodhur. Çmimet e larta të energjisë si rezultat i shantazhit energjetik nga Rusia perspektiva e një dimri të ftohtë dhe të errët, nuk po i nxisin gjermanët të pyesin nëse mbështetja për Ukrainën ia vlen këtë sakrificë.

Rreth 70 për qind e të anketuarve në një sondazh muajin e kaluar për televizionin publik ZDF, thanë se Gjermania duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën. Kjo mbështetje mund të zbehet disi kur të mbërrijë dimri, por falë Putin kjo gjë është më pak e mundshme se dikur.

Momenti kyç ishte publikimi në fillim të prillit i fotografive rrëqethëse që përshkruanin mizoritë ruse në qytetin e Bucha, në periferi të Kievit. Mbërritja e luftës në truallin evropian, pasuar nga provat grafike të brutalitetit të konfliktit, duket se i ka nxitur votuesit gjermanë që të bëjnë llogaritje të reja kosto-përfitim për rolin e tyre në botë.

Si pjesë e këtij ndryshimi, Gjermania duket se po e rivlerëson seriozisht se si të peshojë interesat e veta tregtare. Varësia energjetike nga Rusia nuk është gjysma e saj. Me përjashtim të karburantin, marrëdhënia tregtare e Gjermanisë me Rusinë nuk është aspak thelbësore. Vendosja e sanksioneve ndaj Moskës, e dëmton ende Gjermaninë ekonomikisht, por me vetëm 26.6 miliardë euro vitin e kaluar, eksportet gjermane në Rusi barazuan dërgesat e saj në Suedi. Çështja kryesore përfshin Kinën, e cila përbën 104 miliardë euro eksporte vjetore dhe 142 miliardë euro importe.

Tani ka nisur të duket sikur pushtimi i Ukrainës, ka sjellë një ndryshim konceptual në Gjermani rreth pazareve me autokratët. Për dekada me radhë, Gjermania e ka parë tregtinë si një mjet diplomatik nën moton “Wandel durch Handel”, “ndryshim përmes tregtisë”.

Por gjithnjë e më shumë ka aktualisht një vetëdije se tregtia mund të shndërrohet në një cënueshmëri strategjike, në rast se tregohen të pakujdesshëm kompanitë dhe politikanët. Në Berlin nuk ka oreks për t’u tërhequr menjëherë nga Kina, dhe në fakt as nuk duhet të ketë. Por gjermanët kanë filluar që ta kuptojnë se duhet të përgatiten që tani për t’u larguar nga tregtia me Kinën, në vend se të surprizohen më vonë, në rast se këtë e imponojnë ngjarjet, siç mund të jetë një pushtim kinez i Tajvanit.

Sa i përket politikës, një tipar i dukshëm i kthesës së zotit Scholz është mungesa e rolit të tij si kancelar. Ai nuk u zgjodh vitin e kaluar për të qenë udhëheqës i kohës së luftës, dhe nuk është rritur ende në lartësinë e sfidës aktuale. Stili i tij, i nxitur nga konsensusi, ka lënë një vakum aty ku duhet të angazhohet një kancelar.

Kështu Scholz mungon në debatet kryesore të politikave, sidomos për energjinë dhe të ardhmen e termocentraleve bërthamorë që ende ekzistojnë dhe që mbeten shumë  të diskutueshme, duke e lënë Berlinin pa një timonier. Sërish, aq e fortë është “era” kulturore dhe ekonomike që ka përfshirë Gjermaninë, saqë një transformim politik është duke ndodhur edhe pa lidership të vërtetë në krye.

Dy politikanët më të njohur në qeverinë e koalicionit të zoti Scholz, janë gjithashtu më të ashprit ndaj Rusisë, Kinës dhe çështje të tjera të jashtme. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe Ministri i Çështjeve Ekonomike dhe Veprimit Klimatik Robert Habeck, që të dy nga Partia e Gjelbër.

Vlerësimi i qëndrueshëm në sondazhe i Habeck është një sukses i jashtëzakonshëm për të, duke qenë se i bie atij detyra e vështirë e shpjegimit ndaj votuesve gjermanë, se si mungesa e energjisë ruse do t’i dëmtojë këtë dimër të gjithë ata. Në këtë rast ndihmon fakti që votuesit janë vënë në dijeni tashmë mbi një sërë skandalesh që përfshijnë edhe ndikimin e Moskës ndaj politikës gjermane.

Kjo përfshin edhe ripërtëritjen e lidhjeve të biznesit të ish-kancelarit Gerhard Schröder me Kremlinin, dhe skandalin e financimit me lidhjet e supozuara midis pronarëve rusë të gazsjellësit “Nord Stream 2” dhe qeverisë së landit verilindor Mecklenburg-West Pomerania.

Objekt debati në lidhjet me politikat e reja janë edhe çështje të tilla sa i përket asaj nëse Gjermania duhet të fillojë nxjerrë gazin e vet argjilor. Ndërkohë, Unioni Kristian Demokrat (CDU) në opozitë, mendon se është më mirë në aspektin politik që të distancohen nga trashëgimitë e ish-kancelares Angela Merkel, e cila ishte përgjegjëse për shumë nga politikat katastrofike ekonomike, energjitike dhe të jashtme, nga të cilat tani po hiqet dorë.

Nën udhëheqësin e saj të ri, Friedrich Merz, CDU-ja i është rikthyer ashpërsisë së saj tradicionale. Merz ishte tejet agresiv, duke këmbëngulur që buxheti i shtuar ushtarak i Scholz të shpenzohet vërtet për pajisje ushtarake dhe jo për marrëzitë e pushtetit të butë, si ndihma në vende të tjera.

Votuesit po reagojnë në mënyrë të favorshme. CDU del shpesh mbi socialdemokratët e Scholz në sondazhet e opinionit publik, dhe duke i thelluar diferencat. Është gati e sigurt se zoti Scholz nuk i kishte parashikuar forcat që ai vuri në lëvizje më 27 shkurt, shumë prej të cilave tani mund të jenë të pakthyeshme, dhe disa prej të cilave e rrezikojnë të ardhmen e tij politike.

Po kjo s’ka rëndësi. Ai premtoi një pikë kthese, dhe kjo është ajo që po bën Gjermania, edhe nëse do të duhen vite për ta mësuar saktësisht se çfarë forme ka marrë përfundimisht kjo kthesë. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Malick Thiaw të hënën prezantohet si lojtar i Milanit

Story i radhës

Tre gjëra që asnjë grua nuk duhet të bëjë pas seksit

Të fundit nga