Në literaturën juridike të së drejtës penale, dënimi si nocion nënkupton jo vetëm reagimin e shoqërisë, përkatësisht të shtetit ndaj kryesit të veprës penale në shoqërinë klasore por edhe institutin juridik me të cilin shoqëria pretendon t’arrijë qëllimin (e përgjithshëm e të veçantë) duke parashikuar, shqiptuar dhe ekzekutuar dënimin. Rrjedhimisht, dënimi paraqet privimin e dhunshëm apo kufizimin e të drejtave e lirive, por njëkohësisht edhe pasqyron gjykimin moral të shoqërisë ndaj kryesit të veprës penale. sistemet pluraliste të sanksioneve në kuadër të legjislacioneve penale bashkëkohore, dënimi paraqet sanksionin kryesor të cilin e karakterizojnë një varg tiparesh. Kështu, dënimi duhet të jetë: legjitim; human; personal; proporcional me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale; të arrij qëllimin e parandalimit special, gjeneral, …, dhe të jetë i revokueshëm.
Matja e dënimeve në drejtësinë penale nënkupton procesin e caktimit të dënimit kryesit konkret për veprën e kryer penale, brenda kufijve të parashikuar ligjërisht. Natyrisht, këtu vijnë në shprehje dy parime: i ligjshmërisë në përcaktimin e dënimeve dhe i individualizimit të dënimit Kështu, ligji parasheh mundësinë që një dënim të jetë ose i butë ose i ashpër për ata që janë vënë para përgjegjësisë penale. Parashikimi ligjor i kufirit të poshtëm dhe të sipërm të dënimit për çdo vepër penale në pjesën e veçantë të kodeve penale, njihet me togfjalëshin terminologjik: sistem relativ i dënimeve të caktuara. Kësisoj, legjislacionet moderne penale synojnë që, pas një gjykimi të drejtë, dënimi për kryesin e veprës penale të matet në mënyrë “elastike”. Këtu, rëndësi më të madhe teorike dhe praktike ka pikërisht matja e dënimit të privimit nga liria sepse kështu realizohet funksioni legjislativ, përkatësisht politika ndëshkuese e një shteti. Së këndejmi, çështja e matjes se dënimit paraqet edhe njërin ndër sfidat më të rëndësishme në shkencën e së drejtës penale e cila pretendon se faktorë krucial për matjen e dënimit është trinomi: vepra, faji dhe kryesi..
Kodi Penal i Republikës së Kosovës i publikuar më 14 janar 2019 në “Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës” nr. 06/L-074, që hyri në fuqi tre muaj pas, më 14 prill 2019 (në vijim: KPK), n’aspektin struktural, materien e matjes se dënimit e inkorporon në pjesën e katërt (të fundit) të Kapitullit III (Dënimet). Kësaj pjese i paraprijnë këto tri pjesë: Dënimet kryesore; Dënimet alternative dhe Dënimet plotësuese.
Në pjesën Matja e dënimit që ma grishi kureshtjen për këtë shkrim, përmes një mozaiku parimesh themelore, promovohen: Parimi i përgjegjësisë penale që paraqet bazën e matjes së dënimit; parimi i individualizimit të dënimit i cili i lë hapësirë gjykatës për të realizuar këtë individualizim duke caktuar dënimin adekuat me veprën konkrete penale dhe kryesin e saj; ’parimi i preventivës speciale; parimi i resocializimit, drejtshmërisë, gjendjes biopsikike, rrezikshmërisë së kryesit, fajësisë, vlerave sociale dhe etike, etj. Ç’është e vërteta, individualizimi i dënimit duhet shtrihet edhe në fazën e ekzekutimit të dënimit dhe jo vetëm. Ndryshe, KPK i jep autorizime të gjëra gjyqtarit sepse i mundëson përzgjedhjen e llojit të dënimit si dhe lartësinë e tij që dënimi të jetë në proporcion me veprën penale dhe kryesin. Kësisoj, gjyqtari njihet me personalitetin e kryesit për çka i ofrojnë ndihmë arritjet e shkencave të mjekësisë, psikologjisë, etj. sepse me to studiohen sjelljet e kryesve të veprave penale dhe impakti i zbatimit të sanksioneve penale në ato sjellje. Ndonëse krijon bagazh të larmishëm për personalitetin e kryesit të veprës penale, gjyqtari nuk guxon të cenoi integritetin e kryesit të veprës penale. Madje, normat materiale penale të KPK parashohin edhe parimin e zbutjes e të ashpërsimit të dënimit, madje edhe të lirimit nga dënimi.
KPK, përkatësisht legjislacioni ynë penal niset nga rrethanat e natyrës objektive dhe subjektive për matjen e dënimit. Asnjërës prej këtyre rrethanave nuk i jep prioritet KPK ngase i konsideron të pandara e të ndërlidhura ngushtë njërën me tjetrën.
Matja gjyqësore e dënimit te ne shpërfaq vetëm një funksion gjyqësor që realizohet nga gjyqtarët me njohuri profesionale, përgatitje të nevojshme dhe përvojë. Ushtrimi i këtij funksioni, nuk anashkalon të arriturat shkencore në Kriminologji, Politikë penale (kriminale), Penologji, Kriminalistikë, Mjekësi gjyqësore (forenzike), Psikiatri gjyqësore (forenzike), Psikologji gjyqësore, etj.
Matja e dënimit del në pah si njëra ndër funksionet gjyqësore më të ndërlikuara dhe më të përgjegjshme, sipas legjislacionit penal kosovar. Kësaj i kushton vëmendje të posaçme KPK me norma materiale-penale të shpalosura përgjatë neneve prej 69-80 të Kapitullit III, që është objektivi kryesor i këtij opinioni.
Fillimisht, kemi Rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit që përmbajnë detyrimin e gjykatës për ta matë dënimin brenda minimumit dhe maksimumit të dënimit për një vepër; pastaj të merrë parasysh qëllimin e dënimit dhe në fund t’i vlerësoi të gjitha rrethanat e karakterit rëndues e lehtësues. Kësisoj, dënimi duhet të jetë në përpjesëtim si me peshën e veprës dhe me sjelljet e rrethanat e kryesit.
Me rastin e matjes së dënimit, bazuar në KPK, gjykata merr parasysh një gamë rrethanash: shkallën e përgjegjësisë penale, motivet e kryesit, intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur, rrethanat në të cilat është kryer vepra, sjelljet e kryesit para dhe pas veprës së kryer, pranimin e fajësisë. Thelbi i matjes së dënimit, gjithnjë bazuar në KPK, është se gjykata nuk kufizohet vetëm në këto rrethana ligjore. .
Rregullat e përgjithshme për zbutjen apo ashpërsimin e dënimit, në fakt, hedhin dritë mbi një spektër rrethanash të natyrës rënduese dhe lehtësuese. Mozaikun e rrethanave rënduese sipas KPK sajojnë: shkalla e lartë e pjesëmarrjes së kryesit në vepër penale; shkalla e lartë të dashjes së kryesit, përdorimi i dhunës apo kanosjes me dhunë për t’realizuar vepër penale; mizoria; prania e disa viktimave, viktimat e ndjeshme, etj. Ndërkaq, në shumësinë e rrethanave lehtësuese radhiten: aftësia e zvogëluar mendore e të pandehurit; provokimi nga viktima; rrethanat personale të të pandehurit; etj.
Në kuadër të zbutjes së dënimit, që nuk paraqet obligim për gjykatën sepse varet nga vlerësimi diskrecional i gjykatës dhe respektimi i dispozitave ligjore, sanksionohen këto tri mundësi ligjore: e para – nëse vet ligji parasheh zbutjen; e dyta – nëse ka rrethana të tilla që mund të cilësohen të posaçme (të veçanta) lehtësuese dhe e treta – nëse i pandehuri pranon fajin apo ka marrëveshje për pranim fajësie. Vetëm shkarazi të themi se, KPK zbutjen e dënimit e parasheh te Mbrojtja e nevojshme (neni 12.3 KPK, Nevoja ekstreme (neni 13.3 KPK) dhe Tentativa (neni 28.3 KPK).
Për zbutjen e dënimeve, KPK përcakton kushte konkrete, p.sh.: kur për veprën konkrete penale parashihet minimumi i veçantë – burgimi së paku 10 vjet, dënimi zbutet deri në 5 vjet; kur për veprën konkrete penale është paraparë minimumi i veçantë – dënimi me burgim prej së paku 5 vjet, dënimi zbutet deri në 3 vjet; kur për veprën e caktuar penale është paraparë minimum i veçantë – së paku 3 vjet burg – dënimi zbutet deri 1 vit; etj. Mirëpo, në të tilla raste, gjykata duhet arsyetoi hollësisht vendimin e saj për shqiptimin e dënimit më të butë për të parë se është në përputhje me normat respektive penale.
Te lirimi nga dënimi nuk preket ekzistimi i veprës penale. Gjykata bien aktgjykim me të cilin kryesin e shpall fajtor për veprën penale, por e liron nga dënimi. Por, me këtë rast, mund t’i shqiptoi dënim plotësues. KPK parashikon si kusht vetëm kur ligji shprehimisht parasheh lirimin, p.sh. te mbrojtja e nevojshme dhe nevoja ekstreme. Këtej, është gjykata ajo që vlerëson në raste konkrete kur kryesin mund ta liroi nga dënimi.
Tutje, KPK parashikon mundësi lirimi nga dënimi edhe për vepra penale të kryera nga pakujdesia nën këto dy kushte: së pari – se vepra penale godet aq rëndë kryesin sa dënimi është i panevojshëm që të realizohet synimi i tij dhe, së dyti – kur sapo është kryer vepra penale kryesi është përpjekur t’i evitoi apo zvogëloi pasojat dhe kur ka kompensuar dëmin tërësisht apo në masë të madhe. Lirimi nga dënimi për vepra penale të kryera nga pakujdesia ndodh shpesh te aksidentet në trafik kur ngasësi shkakton vdekje apo lëndime trupore personave të tij të afërm (fëmijëve, bashkëshortit, prindërve, etj).
KPK parasheh disa kushte që kryesi i veprës penale mund të cilësohet recidivist i shumëfishtë, (pavarësisht nëse është homogjen apo heterogjen) për ashpërsimin e dënimit nga gjykata, shqiptimin e dënimit më të rëndë nga ai i paraparë ligjërisht: kur ky ka qenë i dënuar dy apo më shumë herë prej së paku 1 vit burgim për vepra penale të kryera me dashje dhe nëse nga lirimi i dënimit apo mbarimi i dënimit paraprak deri në veprën e re penale kanë kaluar së paku 5 vite. E për ekzistimin e recidivizmit të shumëfishtë nuk do të thotë që vepra penale duhet të ketë përfunduar. Mjafton t’ketë patur tentim apo përgatitje nga kryesi apo bashkëkryesi. Ky ashpërsim dënimi nuk ka të bëj me dënimin – burg i përjetshëm.
Po ashtu, KPK-ja parashikon dënimin edhe kur bashkohen veprat penale: kur me një apo shumë veprime kryhen disa vepra penale për të cilat gjykohet në të njëjtën kohë, gjykata fillimisht shpall dënime për çdo vepër veç e veç e më pas për të gjitha. Ky dënim unik shqiptohet në bazë të disa rregullave, p.sh.: kur për ndonjë vepër gjykata ka shqiptuar dënim të përjetshëm, atëherë e shqipton vetëm këtë dënim; kur për çdo vepër ka shqiptuar dënim burgu dënimi unik duhet të jetë më i madh se secili prej tyre veç e veç, por dënimi unik nuk duhet arrijë shumën e tyre as të tejkaloi 25 vite burg, (sistemi i asperacionit) etj.
KPK parashikon dënime edhe me rastin e veprave të vazhduara penale nga një person nëse ekzistojnë së paku dy prej këtyre kushteve: të jetë viktima e njëjtë e veprës penale; objekti i njëjtë i veprës penale; shfrytëzimi i situatës apo marrëdhënies së njëjtë kohore; vendi apo hapësira e njëjtë e kryesit ose dashja e njëjtë e tij. KPK parashikon shqiptimin e dënimit unik nëse i pandehuri gjykohet për vepër penale të kryer para fillimit të mbajtjes së dënimit të shqiptuar me dënimin e mëparshëm apo për veprën penale të kryer gjatë mbajtjes së dënimit me burg. Kur gjykohet i dënuari pasi aktgjykimi ka marrë formë të prerë, e para fillimit të mbajtjes se dënimit për veprën e re penale, nuk ka bashkim real, por recidivizëm (përsëritje).
KPK përmban dispozita edhe llogaritjen e paraburgimit, arrestit shtëpiak dhe çfarëdo heqje lirie si në dënimin me burgim ashtu edhe në dënimin me burgim për të mitur, masën edukative institucionale e dënimin me gjobë si dhe llogaritjen e paraburgimit dhe dënimeve të mbajtura në juridiksione të huaja.
ë themi se instituti juridik i matjes së dënimit është trajtuar në Udhëzuesin e politikës ndëshkimore në Kosovë (2018), miratuar (me shumicë votash) nga Gjykata Supreme e Kosovës si ndihmesë fakultative për sqarimin e problemeve, rrjedhimisht edhe të standardeve në proceset gjyqësore kosovare.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO