Më 15 gusht mbushet 1 vit nga ardhja në pushtet e talibanëve. Afganistani ndodhet para sfidave të mëdha, bota nuk duhet ta lerë vetëm këtë vend.
Kur talibanët më 15 gusht 2021 pushtuan Kabulin dhe nuk hasën në ndonjë rezistencë të madhe të forcave të sigurisë të presidentit, Ashraf Ghani, bota u habit. Fundamentalistët islamistë ia dolën të vinin sërish në pushtet, 20 vjet pasi SHBA hyri në Afganistan dhe e rrëzoi regjimin e talibanëve.
Sipas ekspertëve rrëzimi i qeverisë së Ghanit ishte i pashmangshëm, kur trupat e NATO-s në maj 2021 filluan të tërhiqeshin nga vendi i shkatërruar nga lufta. Kjo erdhi pas Uashingtoni negocioi një marrëveshje me talibanët në shkurt 2021, por shumë pak vetë e kishin pritur që vendi të dorëzohej kaq shpejt në duart e talibanëve. Ka pasur shumë kritika ndaj qeverive afgane, që qeverisnin që nga largimi i talibanëve në vitin 2001 me mbështetjen e SHBA. Megjithatë në 20 vitet e fundit ky vend i bëri disa hapa përpara. Mediat e pavarura u shtuan nën presidentët Hamid Karsai dhe Ashraf Ghani, gjendja e të drejtave të njeriut u përmirësua ndjeshëm, gjithnjë e më shumë vajza shkuan në shkollë dhe universitet, dhe shtresa e mesme afgane arriti një nivel mirëqenieje pak a shumë të mirë. Të gjitha këto arritje u shkatërruan në 12 muajt e fundit.
Zëvendëskryeministri taliban Abdul Ghani Baradar
Kthim pas
Shumica e premtimeve që talibanët bënë në Doha në vitin 2021 në marrëveshjen me amerikanët nuk u përmbushën. Një qeveri gjithëpërfshirëse nuk është bërë realitet. Vajzat më të mëdha se 12 vjeç nuk mund të shkojnë në shkollë, gratë nuk lejohet të punojnë në shumicën e degëve të ekonomisë, parqet publike ato lejohet t’i vizitojnë vetëm në ditë të caktuara. Ekonomia e Afganistanit është në rënie të lirë dhe Kombet e Bashkuara paralajmërojnë nga një katastrofë humanitare.
Që nga ardhja në pushtet talibanët kërkojnë njohjen si qeveri legjitime e Afganistanit, një hap me rëndësi për ta, për të penguar kolapsin e plotë ekonomik të vendit. Miliona afganë janë të papunë dhe xhirollogaritë e tyre bankare janë të ngrira. Në janar OKB bëri thirrjen më të madhe në historinë e saj për të dërguar ndihma humanitare në Afganistan. Duhen 3,9 miliardë euro kërkoi OKB, që të pengohet një nga “krizat humanitare që po krijohet me shpejtësi të madhe”. Bashkësia ndërkombëtare heziton të dërgojë direkt fonde tek talibanët, sepse i trembet përdorimit të tyre për blerjen e armëve. Për këtë arsye Uashingtoni nuk jep as dritën jeshile për depozitat bankare të bankave të Afganistanit.
Të drejtat e grave janë shkelur
Sipas OKB Afganistani është i vetmi vend, në të cilin vajzat nuk lejohet të vizitojnë shkollën pas asaj fillore. Shumë gra që punonin dikur në zyrat shtetërore apo si ndihmëse u dërguan në shtëpi pas ardhjes në pushtet të talibanëve. Shumë gra protestuan kundër vendimeve kufizuese të talibanëve, por protestat u shtypën dhunshëm. “Në më pak se 1 vit pas ardhjes në pushtet të talibanëve miliona grave dhe vajzave i është marrë e drejta për një jetë të sigurtë, të lirë dhe të realizuar për shkak të politikës ekstremisht të ashpër të tyre”, është shprehur Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e Amnesty International.
Protestat e grave, Kabul gusht 2022
Megjithatë disa grupime të të drejtave për vajzat e gratë janë ende aktive. Disa prej tyre e ngrenë zërin kundër politikës së talibanëve në mediat sociale, kundër arrestimeve arbitrare, zhdukjes me dhunë të grave dhe torturave fizike dhe psikike. Aktivisja Zholia Parsi është shprehur, se ka vendosur të vazhdojë protestat për të ardhmen e fëmijëve të saj. “Një nga vajzat e mia do duhej të studiojë në universitet, tjetra duhej të ishte klasën e 11-të. Kur e shoh gjendjen e tyre psikike, nuk kam rrugë tjetër veç të protestoj.”
Mediat në rrezik
Mediat e pavarura shikohen si armiq nga talibanët. Ky sektor bëri përparime në vitet 2001-2020, por tani shumë gazetarë afganë janë në ekzil ose kanë humbur punën. Sipas “Reporterëve pa kufij” 43% e mediave afgane janë mbyllur në tre muajt e fundit. Edhe aksionet e ashpra kundër mediave pas ardhjes në pushtet të talibanëve bënë që të shuhej peizazhi i gjerë mediatik në vend. “Talibanët i vendosën mediat nën një censurë të fortë, pavarësisht nëse bëhej fjalë për lajmin apo për shou”, thotë Mohamad Zia Bumia nga Asociacioni i Mediave të Azisë Jugore, përgjegjës për Afganistanin për DW. Më shumë kanë vuajtur gazetaret femra, thotë ai.
Mediat në rrezik
Gjendja është serioze, por bashkësia ndërkombëtare i kushton shumë pak vëmendje Afganistanit. Konflikti në Ukrainë dhe tensionet me Tajvanin dominojnë axhendën politike aktuale. Shumë vëzhgues bëjnë krahasime me situatën në fund të viteve 90-të. Në vitin 1996 talibanët erdhën në pushtet, por bashkësia ndërkombëtare kishte vështirësi të kuptonte pasojat. Larg vëmendjes ndërkombëtare si edhe për shkak të mungesës së interesit ky vend u kthye në një vatër për grupet militante lokale dhe ndërkombëtare. “Talibanët kanë lidhje me terroristë ndërkombëtarë. Rikthimi i tyre në pushtet u ka dhënë hov organizatave xhihadiste. Në një kohë që ato konsolidohen më tej, lidhjet e tyre strategjike dhe taktike me sponsorizuesit e terrorizmit do të forcohen dhe kështu rrezikohet siguria dhe paqja në rajon e më tej”, thotë ish-zyrtari i qeverisë afgane, Farid Amiri./DW