Në koordinim me faktorin ndërkombëtar, respektivisht me shtetet më të zhvilluara dhe demokratike të botës, në krye me SHBA-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 17 Shkurt 2008, me aklamacion shpallën Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, që pasoi me njohjen e mbi 118 shteteve.
Serbia e kontestoi pavarsinë e Kosovës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, si organi më i lartë juridik në suaza të Kombeve të Bashkuara, e cila refuzoi kërkesën e saj, rrjedhimisht me 10 vota pro dhe 4 kundër, kjo Gjykatë vendosi se shpallja e pavarsisë së Kosovës nuk ka shkelur të Drejtën Ndërkombëtare. Po ashtu kjo Gjykatë, në Vendimin e saj, thekson se shpallja e Pavarsisë së Kosovës nuk e ka shkellur as Rezolutën 1244 e as Korrnizën Kushtetuese të UNMIK-ut, në të cilat thirret Serbia.
Mirëpo Qeveria e Kosovës në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaqi, nuk e kundërshtoi kërkesën e Serbisë për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi, siç thuhej « për çështjet jetike të serbëve », dhe si pasojë e kësaj u hartua Projektrezoluta të cilën Hashim Thaqi prap nuk e kundërshtoi, e që më vonë u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ës, duke e instaluar dialogun si proçes të domosdoshëm. Këto (mos)veprime të Hashim Thaqit si kryeministër, e më vonë edhe si kryetar shteti, ishin në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që dëmtuan rëndë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Mirëpo me ardhjen e garniturës së re politike, me Vjosa Osmanin presidente të shtetit, Glauk Konjufcës kryeparlamentar e sidomos Albin Kurtit si kryeministër, dialogu Kosovë-Serbi rrënjësisht ndryshoi, respektivisht prej një dialogu nënshtrues dhe nënçmues, ku flitej për ndarjen e Kosovës, ajo u shndërrua në biseda mes dy palëve të barabarta, duke ia kthyer edhe dinjitetin dhe autoritetin Kosovës si shtet.
Me përfshirjen në dialog të këshilltarit të kancelarit gjerman, Jens Plötner dhe këshilltarit të presidentit françez, Emmanuel Beaune, si dhe së fundmi kontaktet intenzive të « diplomacisë fluturuese » mes të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit special të SHBA-ve Gabriel Escobar, me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë, dialogu ka marrë një dinamikë serioze dhe po hyn në një fazë kritike, me propozime konkrete që çojnë drejt arritjes eventuale të një marrëveshje mes palëve.
Lidhur me dialogun dhe « Zajednicën », në opinion qarkullojnë shumë »dokumente » jo zyrtare që nuk përkojnë me realitetin. Në këtë kontekst vlenë të theksohet se, përveç kërkesës së njohur nga pala e Kosovës për arritjen e një Marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke, është edhe një nismë franko-gjermane, e cila nuk është bërë ende publike, por vlenë një kujdes të veçantë.
Nga qarqe diplomatike mësohet se kjo nismë ka të bëjë me arritjen e një Marrëveshje, me të cilën Serbia de jure nuk do t’a njohë Kosovën, por se nuk do t’i bëjë pengesa në anëtarësimin e saj në të gjitha organizmat ndërkombëtare duke përfshire edhe ulësen në OKB-ë. Kjo nismë i është propozuar palëve, të cilat duhet t’a shqyrtojnë dhe më pas të bëhet temë diskutimi me përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së.
Nëse analizojmë hisorikun e zhvillimeve në Serbi, që nga paslufta, do të konstatojmë se përherë në pushtet kanë qenë radikalët nacionalist që, sa i takon Kosovës, kanë vazhduar me politikat nacionaliste dhe hegjemoniste duke e indoktrinuar opinionin serb. Sidomos dekadën e fundit në krye të institucioneve serbe janë Vuçiqi dhe Daçiqi, që në kohën e Millosheviqit, ishin ministra të tij. Por edhe tani kryetar i shtetit serb është Vuçiqi dhe në Qeverinë e re që do t’a votojë së shpejti Kuvendi i Serbisë, Ivica Daçiqi propozohet për kryediplomat.
Po ashtu, edhe deklaratat e Vuçiqit se, kurrë nuk do t’a njeh Kosovën si shtet, është shumë e pritshme që Serbia edhe përkundër presioneve që do t’i bëhen, edhe përkundër ndihmave financiare dhe premtimin e anëtarësimit sa më të shpejtë në BE, nuk do t’a njeh Kosovës si shtet, sepse kështu Vuçiqi do t’i jepte fund karrierës politike, për të cilën nuk është aspak i gatshëm. Prandaj propozimin franko-gjerman, që ende nuk është bërë publike pa e marrë dritën jeshile nga palët, është një nisme, që për momentin realisht duhet të merret seriozisht parasysh, sepse nëse insistohet vetëm në njohjen reciproke, ky proçes mund të zgjas me vite, por edhe mund të ndryshojë konstalacioni politik ndërkombëtar , që do të ishte në dëm të Kosovës.
Në gjykimin tim, nisma franko-gjermane për momentin është më realiste, e cila do ti mundësonte Kosovës njohjen nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur, dhe jo vetëm, ajo do të anëtarësohej në të gjitha organizatat ndërkombëtare, kurse njohja nga Serbia nuk është e domosdoshme, kjo do të mund të ndodhte më vonë, në një momentum tjetër.
Në këtë drejtim, opozita duhet të jet e përgjegjshme dhe të bashkpunojë me Qeverinë, e jo t’a kundërshtojë duke ia refuzuar takimet e kryeministrit me krerët e opozitës, sepse dialogu gjindet në një fazë delikate ku çdo deklaratë e pamatur mund t’a kompromitojë proçesin.