Atë ditë kur nisi bashkëpunimin me njeriun që e njihte më mirë se kushdo tjetër Sali Berishën, Edi Rama ishte shumë i lumtur. Kanë kaluar gati 20 vite nga ajo kohë. Të dy kishin të njëjtën armiqësi dhe kërkonin hakmarrje kundër tij. Të dy u bënë bashkë, sepse udhëhiqen nga e njëjta kauzë e përçarjes kombëtare! Lufta kundër Berishës është e gjatë, me intensitetin më të lartë që ka njohur ndonjëherë një konflikt politik e përtej politikës në Shqipëri e në rajon. Është një luftë e projektuar me urrejtje dhe hakmarrje, me ndarje dhe përçarje, megjithëse këtyre njerëzve Berisha iu ka dhënë njëmijë herë më shumë sesa ka marrë prej tyre. E them publikisht: – Ata që nuk kanë marrë prej Berishës, nuk e kanë tradhtuar asnjë ditë atë! Edhe nëse e kanë kritikuar, kanë dashur që ta shohin atë dhe Shqipërinë gjithnjë e më mirë! Dhe këta janë idealistët, njerëzit me parime, me rregulla dhe me kode të forta morale e familjare!
U përpoqën të rekrutojnë ndonjë verior
Por, le të kthehemi te çështja! Kush e projektoi atentatin kundër Sali Berishës të martën e shkuar? Pa asnjë dyshim që e projektuan ata që lobuan fort për ta shpallur atë non grata. Ndër ta dhe një gazetar i përkushtuar ndaj kryeministrit që kur më takon në rrugë më thotë se “Ti ishe komunist në rini dhe unë u bëra në pleqëri”! Është gjithashtu vetë Edi Rama!
Çfarë ndodhi konkretisht? Le ta përshkruajmë skenarin e hartuar pikë për pikë. Që në fillim po ju them se ky skenar që do ua prezantoj është real ose shumë, shumë afër reales, sepse unë kam shembuj tjerë të njohur për fabrikime, trillime dhe falsifikime me linçime nga ana e bashkëpunëtorit të ngushtë të Ramës, me të cilin i bashkon përkatësia e zonës operative dhe armiqësia kundër Sali Berishës!
Në momentin që PD shpalli protestën ditën e 6 dhjetorit, kur në Tiranë do të ishin shefat e qeverive dhe shteteve të Bashkimit Europian dhe PB, Rama është ndjerë shumë keq. Ai do të jepte miliona që ajo ditë të ishte plotësisht e tija! Por, milionat tashmë nuk i shkonin në PD. Atëherë thirri në ndihmë gazetarin e famshëm anti-Berishë dhe Fugën. Iu vu detyrë që të sajonin planin e diversionit, manipulimit dhe devijimit të protestës së shpallur. Këta projektuan atentatin kundër liderit të opozitës. Thashë këtë arsyetim nuk e bazoj vetëm te fakti që mediat e Fugës e gazetari i afërt anti-Berishë i Ramës bën të pamundurën që ngjarja të shitej si “armiqësi personale”!
Këta të dy hodhën në letër disa variante. U përpoqën të rekrutojnë ndonjë verior, mundësisht tropojan dhe në stilin e Fatos Klosit, ta shisnin atentatin si konflikt midis familjeve maloke bazuar në kodin e kanunit. Ka qenë dhe është objeksion i Edi Ramës që gjithçka ta kryejë me dorën e veriorëve kundër Sali Berishës. Edhe partitë politike të dala si fraksione të PD-së i donte dhe i dëshiron me personazhe nga veriu. E bëri këtë me Kreshnik Spahiun dhe Bamir Topin. Nuk e di nëse Josefina ra viktimë apo jo e kësaj skeme. Por, Lulzim Bashën e ushqen me idenë e përçarjes së PD-së ngaqë është nga veriu. Vetëm veriorët mund ta dobësojnë Partinë Demokratike, sipas pikëpamjes së Edi Ramës! Në rastin e atentatit në fjalë duket se nuk kanë gjetur asnjë kamikaz të tillë. Jo se nuk ka njerëz që nuk e duan Berishën në veri të vendit, por se askush nuk rriskon kaq shumë. Duke qenë se koha ishte e shkurtër, bashkëpunëtori-gazetar i Ramës ka propozuar emrin e një njeriu, të cilin ai e ka njohur prej kohësh. Jo thjesht se e ka nga ana e tij!
E dinte se atentatori do ta kryente detyrën me përpikëri. Dhe pikërisht këtë person ia rekomandoi shefave! Pasi bien dakord, ata bënë gjithashtu llogaritë për diskreditimin e protestës e të opozitës. Kishin besim të padiskutueshëm në atë që projektuan. Donin që Berisha të dëmtohej fizikisht në atë masë sa të mos kishte mundësi të dilte para protestuesve. Madje besonin se lideri demokrat nuk do të dilte para tyre edhe me plagë në fytyrë, sepse siç e paragjykojnë skenaristët “ai nuk pranon të paraqitet para tyre i lënduar”! Por ndodhi e kundërta!
Nëse Berisha nuk do të dilte para protestuesve, fusha do të ishte e lirë për spekulime. Ishin përgatitur plane për të përhapur thashetheme në masën e tyre, edhe përmes ndonjë portali të Fugës e këshilltarëve të Ramës, se “Berisha ishte në gjendje të rëndë në spital”, ose se “ai kishte ndërruar jetë”! Qëllimi themelor ishte irritimi i demokratëve dhe shtytja e tyre në dhunë. Gazetari, bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës, e argumentoi këtë variant me shembullin e reagimit kur u vra Azem Hajdari. Dhe Rama e besoi plotësisht këtë variant të diskreditimit të opozitës dhe kreut të saj, Sali Berisha. Prej gati 20 vitesh bashkëpunëtori anti-Berishë i Ramës i ka shkëputur lidhjet me Doktorin dhe ai, për fatin e keq të tij, e projekton atë si të kohëve të viteve 1990. Nuk mund ta besojë faktin se sot Rama ka përballë një Berishë krejt tjetër. Të urtë dhe vigjilent deri në detaje për të vlerësuar ngjarjet dhe provokimet!
Irritimi i masës së njerëzve në protestë ishte synimi themelor i këtij atentati. Përmes irritimit vinte diskreditimi dhe deklaratat e dënimit të dhunës edhe nga Këshilli i Europës. Skenari është shumë i qartë, por dështoi. Dështoi kryesisht për shkak të pjekurisë, mençurisë dhe maturisë politike të Sali Berishës! Dështoi se ai nuk lejoi as të ushtrohet dhunë fatale ndaj atentatorit, gjë që po e prisnin me padurim organizatorët e tij!
Ata janë goditur në identitet dhe në trashëgiminë e tyre
Dështoi ish-bashkëpunëtori i Berishës, tani bashkëpunëtor besnik i Ramës, sepse ka shkëputur lidhjet me Berishën e sotëm. Ka humbur nuhatjen e evoluimit të tij! Ka krijuar në kokën e vet e të Edi Ramës shabllone, sipas të cilave “njeriu nuk ndryshon”!
Personi në fjalë është paguar nga kompania që paguan me porosi të Ramës edhe bashkëpunëtorin në komplote e intriga të kryeministrit të Shqipërisë. Gazetari komplotist ishte autor u qypit me guraleca, autor i mandateve fiktive të tërheqjes së dollarëve nga PS në Bankën e Kursimeve të parave të firmave piramidale dhe njëmijë falsifikimeve të tjera. Deri te koka e Gramoz Ruçit mbi trupin e Prokop Murrës! Kurthet, intrigat komplotet dhe skenarët e tmerrit shumëfishohen kur bashkohen njerëz me të njëjtin karakter dhe me të njëjtën mendësi urrejtjeje ndaj Sali Berishës! Aq më tepër njerëz me pushtet e të kalibrit të Edi Ramës!
Me të njëjtin skenar e nga të njëjtët persona është hartuar edhe projekti i dezinformimit për shpalljen e Sali Berishës non grata. Për mua që nuk jam shkëputur asnjë ditë nga dinamika e ngjarjeve të 32 viteve të fundit, kjo është një e vërtetë e padiskutueshme! Megjithatë atentati kundër liderit demokrat të opozitës si çdo e keqe pati disa efekte pozitive: – Mediat botërore e konfirmuan Sali Berishën si kryetar të opozitës, pavarësisht përpjekjeve për emërimin e kësaj opozite nga Edi Rama. Bota demokratike pa se nuk është e vërtetë që “Berisha është destruktiv”, siç asaj i ka thënë me lobingje e pa lobingje Edi Rama! Demokratët e dyzuar brenda opozitës janë bashkuar tashmë me PD-në. Mobilizimi e motivimi i demokratëve dhe shqiptarëve për ta rrëzuar këtë regjim është shumë më i madh!
Por, atentati ndaj Doktor Berishës është gjithashtu paralajmërim se mafia në pushtet e në të gjithë infrastrukturën e Shqipërisë përbën rrezik serioz për jetën e tij dhe të ardhmen e Shqipërisë. Dështimi I Edi Ramës nuk do ta bëjë kryeministrin më paqësor e më human. Përkundrazi, ai si kapobanda mafioze e këtij vendi, do të projektojë atentate të tjera kundër opozitës, kundër demokracisë dhe kundër Shqipërisë. Opozita duhet ta dijë se nuk ka përballë një regjim pa asnjë kacidhe në arkën e shtetit, si në vitin 1991. Por, ajo përballet me një regjim që përdor taksat e shqiptarëve dhe asetet e mafies për ta dhunuar e denigruar atë!
Shkrova këto rreshta për të diagnostikuar të keqen që po kap Shqipërinë dhe jo vetëm opozitën. Për të paralajmëruar se skenarë të tjerë do të ketë kundër opozitës dhe kundër Shqipërisë. Por këto shpjegime të miat kanë gjithashtu për qëllim që të nxisin edhe më tej për maturi e gjakftohtësi. Rama dhe bashkëpunëtorët e tij tmerrohen kur nuk funksionon kurtha që ai ngre! Atentati ndaj Sali Berishës është provokim i rëndë i demokratëve. Ata janë goditur në identitet dhe në trashëgiminë e tyre, jo vetëm në të sotmen e të ardhmen që synojnë. Por ky atentat duhet të jetë mësim për ta! Lufta është veçse politike. Dhe me asnjë njeri tjetër, përveçse kundër Edi Ramës. Ai është regjisori, skenaristi, sponsori dhe porositësi i të gjitha atentateve kundër opozitës dhe kreut të saj, Doktor Berishës! Mbrojeni opozitën, mbrojeni Sali Berishën nga këto kurthe. Dhe bashkohuni që ta çoni për skrap Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij të ndyrë!
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO