Shumica kanë ikur, gjysma e pakicës që kanë mbet do të ikin!

8 shkurt – Ikja e qytetarëve nga vendi është një temë që ka filluar dhe nuk po mbaron dot, fundi nuk i dihet mbase po parashihet se kjo temë do të përflitet deri sa të ikë edhe qytetari i fundit. Flasim për një ikje e largim masiv në kushte paqësore, që mbase është krijuar sikurse shprehi e rutinë që po erdhe në moshën madhore duhet të largohesh nga ky vend. Kjo ikje nuk ka të ndalur do të vazhdojë ende, e këtë nuk po e thonë klientët e “çajtoreve” por rezultatet e hulumtimeve mbi këtë temë. Shifër tmerruese ku 42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme. Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association. Kjo flet për realitetin që shihet në terren, ku kjo pakicë që ka mbet për një kohë të shkurtë do të përgjysmohet në masë shumë të madhe. E kjo situatë nuk është krijuar papritmas e as nuk ka ardhur befasisht, por jemi në këtë gjendje si pasojë e situatës së rënduar gradualisht dhe heshtjes kolektive përballë fenomeneve të këqija, shkruan Zhurnal.

Shifër alarmante, 42% e qytetarëve do të ikshin nga Maqedonia e Veriut-

42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme. Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association.

Përqindja e qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi është më e lartë se ajo botërore, e cila është 36 për qind. Nëse, nga ana tjetër, shikojmë vendet e rajonit, një gatishmëri të madhe për imigrim mbi mesataren botërore tregojnë të anketuarit nga Bosnja dhe Hercegovina, ku 48 për qind deklaruan se do të shkonin jashtë vendit, në Greqi, ku kjo përqindje është 40, kurse në Kosovë 39 për qind.

Përqindje më të vogël, nën mesataren botërore ka Kroacia, ku 35 për qind e të anketuarve deklaruan se do të emigronin, Bullgaria me 25 dhe Sllovenia me 21 për qind, janë më të ulëta se mesatarja botërore. Anketa nuk është kryer në Serbi dhe Shqipëri.

Nga analiza e rezultateve të hulumtimit rezulton se faktori kryesor motivues për emigracion janë të ardhurat mesatare në vend, pra, sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më e ulët është dëshira për t’u larguar dhe anasjelltas.

Të rinjtë po ikin nga RMV-ja me një hov të jashtëzakonshëm-

Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport në RMV, e realizuar nga periudha janar-mars 2022, çdo i treti i ri do që ta lëshojë vendin pas mbarimit të shkollimit. Si arsye kryesore llogariten, mos pasja e mundësive të barabarta, mungesa e drejtësisë, nepotizimi, si dhe mungesa e arsimit cilësorë në të gjitha nivelet etj.

Rinia nuk po largohet vetëm për shkak të papunësisë dhe kushteve ekonomike, arsye të tjera për largimin e rinisë nga vendi janë edhe shumë të tjera duke filluar nga mungesa e një arsyeje të vetme pse të qëndrojnë. Në vendin që rastet montohen, persona të pafajshëm viktimizohen, padrejtësi në organet e drejtësisë, institucione arsimore të mbushura me njerëz të pa arsimuar, spitale që edhe vizitorët e pacientëve sëmuren e lëre më të sëmurit që shpresat e shërimit i kanë te lutjet lartë në qiell…!

Këto dhe shumë faktorë të tjerë dëshmojnë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti ashtu si duhet, dhe personave të dëbuar nuk u kërkohet llogari për mos qëndrimin e tyre në vendin e dëbimit.

Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.

Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit.

Nevojat e mëdha për fuqi punëtore në Gjermani po largojnë rininë nga vendet e Ballkanit-

Gjermania ka nevojë të madhe për fuqi punëtore. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur gjatë vitit 2022 se ky vend ka nevojë çdo vit për rreth 400.000 punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera, në veçanti në ekonomi, shëndetësi dhe profesione të tjera. Ndërsa Ballkani Perëndimor shihet si një rezervuar i lakmueshëm i fuqisë punëtore. Por kjo njëkohësisht thellon problemet me emigrimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore në vendet e kësaj zone pra në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa më shumë rritet nevoja për punëtorë në Gjermani aq më shumë rritet numri i të rinjve që lëshojnë vendet e tyre amë, tashmë çështja e shkuarjes në Gjermani ka mbet vetëm çështje teknike sepse pothuajse numri dërrmues i të rinjve ka ndarë mendjen dha ka marr një vendim të tillë.

Pasojat do të vërehen në një të ardhme jo të largët, pasi veçmë janë paraqitur nevojat e para për punëtorë në vendet e Ballkanit Perëndimor që nëse para 10 viteve ka qenë e vështirë për një vend pune tani në çdo cep të çdo qyteti shihen letrat e vendosura nëpër biznese duke kërkuar punëtorë. Sektorët që kanë vërejtur simptomat e para të këtij fenomeni janë gastronomia dhe investitorët e jashtëm që realisht nuk mund të zhvillojnë bizneset e tyre edhe përkundër investimeve që kanë bërë.

Dhe, tani kur shihen ndryshime që bëhen në drejtim të lehtësimit për punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Gjermani, shihet lehtësisht edhe e ardhmja e rajonit që do të zbrazet për një kohë shumë të shkurtë, duke u shndërruar në një zonë ku mungon perspektiva, dhe si pasojë e dëshpërimit nga zgjatjet e integrimit evropian kolektiv si shtete, të rinjtë po ndajnë mendje të integrohen si individë, më shpejt dhe më mirë. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Alternativa: Pas zyrtarizmit të koalicionit të ri do të marrim vendimtar përfundimtar

Story i radhës

Ndihmë shtesë për Turqinë me 36 pjesëtarë të Armatës, 32 persona nga DMSH dhe 10 automjete

Të fundit nga