Duke marrë parasysh premtimin e Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump për dëbim masiv të emigrantëve të paligjshëm nga Shtetet e Bashkuara, disa kryebashkiakë në shtetet e kontrolluara nga demokratët, po ndërmarrin hapa për t’u përgatitur për politikat e reja.
Siç njofton koorespondenti i Zërit të Amerikës Aron Ranen nga Nju Jorku, kjo pritet të shkaktojë një përplasje me administratën e re të zotit Trump, e cila vjen në pushtet më 20 janar.
Kryebashkiaku demokrat i Nju Jorkut Eric Adams njoftoi se qendra e strehimit të emigrantëve në Floyd Bennett Field do të mbyllet deri më 15 janar. Ajo ndodhet në një park kombëtar, ku juridiksionin e kanë autoritetet federale, jo zyrtarët e qytetit.
“Ne kemi qenë të shqetësuar për fatin e qendrës në Floyd Bennett Field që nga dalja e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo është e vetmja qendër strehimi për emigrantët në tokë federale dhe ne mendojmë se mund të jetë në rrezik nga administrata e re“, thotë Kathryn Kliff nga organizata Shoqëria e Ndihmës Juridike.
Në intervistat e fundit, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka sinjalizuar se ai do t’i japë përparësi forcimit të kontrolleve në kufi për të frenuar hyrjen e emigrantëve pa dokumente dhe dëbimin e tyre. Udhëheqësit demokratë po bëjnë përpjekje për mbrojtjen e emigrantëve pa dokumente përpara se ai të marrë detyrën.
Ndërkohë, emigrantët pa dokumente kanë shprehur shqetësim nga thirrjet për dëbimin e tyre nga administrate e re.
“E shoh që ai është një njeri që e bën atë që thotë dhe e mban fjalën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
José, një emigrant pa status ligjor thotë se beson se veprimet e disa individëve po dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e të gjithë emigrantëve.
“Ka shumë emigrantë, si bashkatdhetarët e mi, që vijnë për të kryer krime dhe për të vjedhur. Kështu që ndonjëherë për veprimet e një personi paguajnë çmimin gjithë të tjerët.”
José është pjesë e një prej dy valëve më të mëdha të emigrantëve në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjatë administratës së Presidentit Biden, rreth 8 milionë emigrantë hynë në vend. Një valë e ngjashme me të ka ndodhur në vitet 1850, sipas një analize të të dhënave qeveritare të të gazetës New York Times.
“Mendoj se shifrat që kemi parë në dy vitet e fundit janë historike, kemi patur numrin më të madh të emigrantëve në histori, por ndoshta jo për nga përqindja e tyre”, thotë Erin Corcoran nga Universiteti Notre Dame.
Përballë këtyre shifrave të larta, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams po ndjek një qasje më bashkëpunuese.
Së fundmi, ai u takua me zyrtarin e administratës së ardhshme për çështjen e kufirit për të diskutuar mbi çështjen e emigrantëve.
“Biseda ishte e përqendruar në çështjen e kapjes së individëve që po kryejnë krime në qytetin tonë. Atyre që janë këtu, u bëjmë thirrje që të zbatojnë ligjin, të vazhdojnë të përdorin shërbimet që ata kanë të drejtë t’i përdorin, si arsimimi i fëmijëve, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja publike, por ne nuk do të jemi një strehë e sigurt për ata që kryejnë akte të dhunshme”, tha ai.
Veprimet e fundit të kryebashkiakut Adams mund të jenë lëvizje strategjike për të ruajtur një pjesë të kompetencave lokale, sugjeron ekspertja Erin Corcoran.
“Ai ndoshta është duke e kuptuar se mund të mos jetë në gjendje të frenojë të gjitha operacionet për dëbime masive në qytetin e Nju Jorkut, por nëse ai shihet si bashkëpunues, ai mund të marrë një rol më të madh në përcaktimin e përparësive apo në diskutimet se cilat komunitete mund të mbrohen”, thotë ajo.
Ndërsa udhëheqësit e shteteve të kontrolluara nga demokratët përqendrohen në mbrojtjen e emigrantëve, mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë përpjekjet e tyre./VOA
Burimi: botasot.info