Estonia, Letonia dhe Lituania do të kufizojnë hyrjen e qytetarëve rusë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Masa ndëshkuese, e rënë dakord në një takim të ministrave të jashtëm nordikë dhe baltikë, pritet të hyjë në fuqi në javët e ardhshme. Megjithatë, do të ketë përjashtime për arsye humanitare ose familjare.
“Vendimet kombëtare janë efektive kur koordinohen dhe harmonizohen. Me fjalë të tjera, ne zbatojmë të njëjtat rregulla në të gjitha shtetet. Në mënyrë që një person që ka tentuar të hyjë në një vend dhe ka marrë një reagim negativ, një refuzim, nuk do të mund të udhëtojë dyqind kilometra në veri ose në jug dhe të kalojë kufirin me sukses,” tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
Në një mbledhje të fundit të BE-së për të njëjtën çështje, vendet anëtare ranë dakord të pezullonin një marrëveshje për dhënien e vizave qytetarëve rusë, por nuk arritën një ndalim të drejtpërdrejtë të hyrjes.
Disa përfaqësues në bisedimet e sotme, përfshirë ministrin e Jashtëm danez, thanë se kjo nuk shkoi aq larg sa duhet.
“Unë mendoj se është një provokim të shohësh turistë rusë, për shembull, në plazhet e Evropës ose në kafenetë e kryeqyteteve evropiane, kur ata bombardojnë qytetet e Ukrainës dhe vrasin civilë e kryejnë krime lufte,” tha Jeppe Kofod.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit, rreth një milion qytetarë rusë kanë hyrë legalisht në BE, sipas agjencisë kufitare evropiane Frontex.
Shumica e bënë këtë nëpërmjet Finlandës ose Estonisë. Pasi të jenë në Evropë, nëse janë me vizë Shengen, ata mund të lëvizin të lirë në 26 vende të tjera, duke përfshirë edhe ato jo-anëtare të BE-së.