1
Shkup, 8 dhjetor – Shtëpitë e të moshuarve tashmë kanë krijuar lista pritjeje kur bëhet fjalë për t’u kujdesur për këtë kategori qytetarësh. Punonjësi social, Nenad Mihajllov tha se në shtëpinë e të moshuarve “Harmonija” në Shkup të interesuarit presin me muaj ndoshta edhe më gjatë për të siguruar një shtrat dhe shërbimet e tjera ndaj të moshuarve. Përveç kësaj, ajo që shqetëson më shumë drejtuesit e shtëpive për të moshuar është mungesa e stafit, posaçërisht atij ndihmës infermierë.
“Posaçërisht kur bëhet fjalë për ndihmësinfermierë, ato janë personat primarë të punësuar në institucion që japin ndihmën e drejtpërdrejt dhe mbështetje personave të moshuar. Të gjitha objektet e kemi këtë problem, është e vështirë ta gjesh dhe ta mbash këtë staf sepse puna është mjaft stresuese. Mos gënjejmë, e rëndë, voluminoze dhe kërkon shumë sakrifica nga ana e të punësuarve”, tha Nenad Mihajllov, punonjës social.
Dërgimi i prindërve në shtëpi të moshuarish shpesh shihet si zgjedhje jo e lehtë për shumë familje. Të moshuarit thonë se çdo vendim që merret në familje duhet të jetë I përbashkët pa lënduar emocionalisht të moshuarit. Mirëpo, disa nga me të moshuarit që biseduam në këtë objekt thanë se kjo temë nuk duhet më të jetë tabu.
“Mendoj se nuk duhet të jetë ashtu. Kur t’i sjellin në shtëpi të tillë duhet t’ju tregohet se vërtet është shtëpi moshuarish, mos t’ju thuhet se shkojnë në Ent për rehabilitim ose ndonjë vend tjetër. Duhet ta dinë të vërtetën sepse vërtet është bukur, këtu shoqërohemi, jetojmë, ne kemi jetën tonë dhe është shumë e bukur”, tha një e moshuar.
“Duhet te biesh dakord me fëmijët, sido qe të vendosësh, nëna apo babai, të bien dakord bashkë dhe kështu do jetë më mirë. Nuk është refuzim, nuk është asgjë e tillë, por le të jetë me marrëveshje me fëmijët qe ata te jene te lumtur dhe ne këtu te jemi te lumtur. Posaçërisht I jam falënderuese nuses që ma gjeti këtë shtëpi përmes internetit, sepse unë erdha nga Anglia”, shtoi një e moshuar tjetër.
Ndërsa kalojnë ditët në këtë shtëpi, të moshuarit kryejnë shërbimet e parapara me program si dhe bëjnë aktivitete të ndryshme për t’u mos u bezdisur. Dikush luan domino, dikush lexon, një pjesë shikojnë televizor ndërsa shumë të tjerë mbushin fjalëkryqe.
BURIMI: zhurnal.mk