Protesta qytetare mbylli ditën e 84-t, me qytetarë të shumtë që edhe sot u mblodhën në bulevard me kërkesën kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Protesta nisi në Sheshin “Skënderbej” dhe me pas marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit janë artikuluar edhe kërkesa për ndryshime politike, ligjore dhe institucionale.
Gjatë fjalimeve, aktivistë dhe qytetarë kanë deklaruar se kjo rezistencë është shndërruar në një lëvizje përtej individëve dhe partive politike.
Një prej protestuesve tha se pas dorëheqjes së Ramës kërkohet krijimi i një qeverie tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të ndërmarrë ndryshime ligjore dhe kushtetuese për garantimin e zgjedhjeve të lira.
Në listën e kërkesave janë përfshirë edhe ndryshimi i amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura, anulimi i ligjit për investimet strategjike dhe shfuqizimi i “Paketës së Maleve”.
Nga podiumi i protestës nuk kanë munguar kritikat për korrupsionin, ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin.
Gazetari Osman Stafa deklaroi se kjo protestë është e veçantë për shkak se nuk është organizuar nga një parti politike. Ai tha se qytetarët kërkojnë një Shqipëri “pa korrupsion”, me shëndetësi, arsim dhe paga më të mira.
Stafa tha se duhet bërë vettingun i politikanëve dhe se SPAK duhet të hetojë pasurinë e pushtetarëve.
Edhe aktivistë të tjerë e kanë lidhur protestën me pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe shpërndarjes së pasurisë publike.
Ndërkohë, protestuesit kanë shpalosur edhe pankarta me mesazhe ironizuese për qeverinë dhe situatën ekonomike.
Gjatë protestës janë dëgjuar vazhdimisht thirrje kundër kryeministrit dhe qeverisë, ndërsa një prej aktivistëve u shpreh se “ditët e rezistencës shtohen, të qeverisë pakësohen”.
Një tjetër protestues kërkoi dorëheqjen e Ramës “pa negociata” dhe u bëri thirrje qytetarëve në të gjitha qytetet që t’i bashkohen protestës.
Protesta u mbyll me thirrjet “Nesër më shumë”, “Ju erdhi fundi”, “Shqiptarët e bashkuar, pushteti i tmerruar”.
Burimi: botasot.info


