Kombëtarja shqiptare e Futsallit ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në Prishtinë në kuadër të fazës para-eliminatore të Botërorit të Futsallit 2024. Nën drejtimin e trajnerit Erind Resuli kuqezinjtë kanë vijuar seancat stërvitore sipas programit, teksa atmosfera është pozitive dhe lojtarët e thirrur janë në formë të mirë.
Ndërkaq, me skuadrën është bashkuar të hënën edhe kapiteni Roald Halimi, duke plotësuar kështu grupin prej 15 lojtarësh. Skuadra të hënën ka zhvilluar dy seanca stërvitore, ndërkohë që edhe të martën ka vazhduar me të njëjtin program, duke rritur intensitetin e përgatitjes fizike.
Kombëtarja e Futsallit do të zhvillojë më 6 prill një miqësore me një skuadër lokale të Kosovës dhe një ditë më do të udhëtojë drejt Suedisë, ku më 9 prill Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Andorrës, ndërsa një ditë më pas, më 10 prill do të ketë përballë Austrinë.
Ndeshja e tretë dhe e fundit e kuqezinjve që do të përmbyllë këtë fazë do të jetë ajo ndaj vendit organizator, Suedisë, më 12 prill. Sipas rregullores, në këtë fazë kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi.
Shorti e ka vendosur Shqipërinë në Grupin E të fazës para-eliminatore të Kampionatit Botëror të Futsallit 2024 së bashku me Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.