shqiperia nis perafrimin me be ne per inteligjencen artificiale hidhet per konsultim projektligji i ri 6a19b5ef09793

Shqipëria nis përafrimin me BE-në për Inteligjencën Artificiale, hidhet për konsultim projektligji i ri

May 29, 2026
min lexim

Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë drejt rregullimit të teknologjive të reja përmes hartimit të projektligjit “Për Inteligjencën Artificiale”. Nisma, e cila ka hyrë zyrtarisht në fazën e konsultimit publik për periudhën 29 maj – 26 qershor 2026, synon të vendosë një kuadër të rreptë ligjor mbi zhvillimin, vendosjen në treg dhe përdorimin e këtyre sistemeve në vend, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, shkruan rtsh.al.

Përafrimi me legjislacionin evropian dhe nevoja për rregullim

Sipas relacionit shpjegues që shoqëron draftin, ky projektligj është një detyrim që buron nga Kapitulli 10 i integrimit, “Transformimi Digjital dhe Media”. Mungesa e një kuadri të tillë deri më sot është vlerësuar si një rrezik për pasiguri juridike dhe cenim të të dhënave personale.

Për të adresuar këtë boshllëk, autoritetet kanë marrë si model bazë Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale. Relacioni i projektligjit thekson specifikisht:

“Projektligji është hartuar në përputhje me strukturën dhe parimet e Rregullores (BE) 2024/1689 (AI Act) dhe është i organizuar në 9 krerë, disa seksione tematike, 106 nene dhe 13 anekse, të cilat rregullojnë në mënyrë të plotë zhvillimin, vendosjen në treg, përdorimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në Republikën e Shqipërisë.”

Dokumenti argumenton se ndërhyrja ligjore është e pashmangshme për shkak të dinamikave teknologjike, duke nënvizuar se:

“Zhvillimi i shpejtë i sistemeve të inteligjencës artificiale ka krijuar nevojën për një kuadër të posaçëm ligjor që garanton përdorimin e sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të këtyre teknologjive.”

Klasifikimi i rrezikut dhe ngritja e autoriteteve mbikëqyrëse

Një nga shtyllat kryesore të draftit është ndarja e sistemeve të Inteligjencës Artificiale bazuar në nivelin e rrezikut që ato paraqesin për qytetarët. Ligji i ri parashikon ndalimin e praktikave të papranueshme të IA-së, si dhe vendosjen e kërkesave strikte teknike dhe organizative për sistemet e klasifikuara me “rrezik të lartë”. Gjithashtu, do të krijohen të ashtuquajturat “sandbox-e rregullatore” për të nxitur inovacionin në një mjedis të kontrolluar.

Për zbatimin e këtij legjislacioni, drafti ngarkon me përgjegjësi disa institucione kyçe. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të shërbejë si autoritet koordinues, ndërsa procesi i mbikëqyrjes do të përfshijë edhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut, si dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Konsultimi me grupet e interesit

Sipas planit të përgatitur nga hartuesit, i cili i drejtohet shoqërisë civile dhe institucioneve të interesuara, procesi i konsultimit do të zhvillohet përmes platformës e-konsultimi dhe takimeve publike. Nuk parashikohen efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit për zbatimin e kësaj nisme. Të interesuarit kanë afat deri në fund të muajit qershor për të dërguar sugjerimet e tyre përpara se drafti të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

ne moshen 92 vjecare u nda nga jeta skender doci 6a19b57341c09
Lajmi i mëparshëm

Në moshën 92-vjeçare u nda nga jeta Skënder Doçi

dyshohet se spiunoi ne favor te nje sherbimi inteligjent iranian arrestohet greku ne britani 6a19b65e94878
Lajmi i radhës

Dyshohet se spiunoi në favor të një shërbimi inteligjent iranian, arrestohet greku në Britani

Të fundit nga

ShkoLartë