Në Shqipëri, 4 muaj pas vendimit të parlamentit për ngritjen e Komisionit të posaçëm të Reformës zgjedhore sot u thirr mbledhja e parë e tij. Komisioni përbëhet nga 18 anëtarë të ndarë në numër të barbartë mes shumicës dhe opozitës. Siç ka ndodhur dhe në të kaluarën, ai do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Enkelejd Alibeaj.
Objekti i punës së Komisionit do të jenë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe ato që nuk u morën në konsideratë para këtyre zgjedhjeve, siç ështe dhe çështja e depolitizimit të komisioneve të votimit.
Janë 23 rekomandime që ekspertët e ODIHR-it paraqitën në raportin e tyre përfundimtar, të cilat përfshijnë thuajse të gjitha aspektet e zgjedhjeve. Janë të paktën 5 rekomandime që cilësohen si përparësore e që lidhen “me nevojën për të rishikuar më tej kornizën ligjore, për të garantuar të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë, për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës, për garantimin e sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve dhe kufizimin e përdorimit në lajme të materialeve elektorale.
Raporti i ODIHR-it, ndërsa vlerësonte procesin zgjedhor, ku “votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore” përmend shqetësimet lidhur me fenomenin e shitblerjes së votes apo dhe “shfrytëzimit nga ana e Partisë socialiste të burimeve që i jep të qënurit në pushtet”.
Komisioni i Reformës, vendoi sot të kërkojë ndihmë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare për të patur pranë tij dhe ekspertë të huaj./VOA