Shqipëri, hije dyshimi mbi vendimin për mbylljen e dy institucioneve arsimore turke

min lexim

Në Shqipëri kolegji turk Mehmet Akif, një istitucion arsimor jopublik dhe kopështi për fëmijë “Zübeyde Hanım”, pjesë e “Turgut Ozal Education”, reaguan sot ndaj vendimit të autoriteteve për mbylljen e aktivitetit të tyre. Ata pretendojnë se vendimi është i padrejtë. Ministria e Arsimit, tha sot, për rastin e kolegjit Mehmet Akif, se shkak ishte bërë fillimi i procesit mësimor në një mjedis të pamiratuar më parë prej saj. Kolegji Mehmet Akif është pjesë e fondacionit Gulistan, i lidhur me klerikun turk Fetullah Gulen. Masa e autoriteteve shqiptare ngre dyshime se pas saj qëndron kërkesa e përsëritur e president turk për të mbyllur të gjitha aktivitetet e financuara nga Gylen në Shqipëri.

Nxënëset e Kolegjit turk “Mehmet Akif” protestuan sot në oborrin e shkollës, pasi një ditë më parë qeveria vendosi mbylljen e saj, pak ditë pas fillimit të sezonit të ri. Atyre, iu bashkuan mësuesit por dhe prindër të ndryshëm, ndërsa ato rreshtuan medaljet dhe vlerësimet e marra nga autoritetet, për rezultatet e larta. Kolegji ushtron veprimtarinë e tij që prej fillimit të viteve ’90 në Shqipëri.

Në një shpjegim për vendimin, ministrja e Arsimit Evis Kushi, vuri në dukje se Kolegji ka nisur procesin mësimor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara nga Ministria dhe se kriteret ligjore nuk janë plotësuar edhe pse është kryer dy herë verifikimi i tyre.

Por drejtori Mustafa Ertekin dha një version të ndryshëm. Sipas tij komunikimi me ministrinë ka nisur që prej më shumë se tre muajsh dhe vërejtjet kanë qenë, në një rast për pozicionin e dërrasës, që kishte rezultuar i papërshtatshëm me këndin e dritës, dhe në një rast tjetër për palestrën. Sipas tij të dyja vërejtjet janë marrë në konsideratë. Ai u shpreh i habitur me vendimin: “Në këto momente nuk mund të bind dot as nxënësit, as prindërit dhe as punonjësit se këto janë kushte për të mbyllur një institucion”

Kolegji është pjesë e fondacionit “Gulistan”, i lidhur me klerikun turk Fetullah Gulen, i shpallur nga autoritetet turke si organizator i grushtit të dështuar të shtetit në korrik të vitit 2016. Që prej asaj kohe, në mënyrë të përsëritur Ankaraja ka kërkuar mbylljen e aktiviteteve të financuara nga Guleni, apo organizata Feto. Kjo kërkesë ishte një refren i deklarimeve publike të presidentit turk Recep Taiyyp Erdogan dhe gjatë vizitës së tij në Tiranë në muajin janar të këtij viti. Madje dhe në fjalën e tij në parlament ai bëri një paralajmërim të hapur, kur tha se kjo çështje shihet si “parakusht i vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik” mes dy vendeve.

Ministria e Arsimit hodhi poshtë dyshimet e forta se pas vendimit të saj qëndronte pikërisht këmbëngulja e Turqisë. Po ashtu dhe kryeministri Edi Rama, në një postim në Twitter, u shpreh se nuk ka vend për teori konspirative dhe se qëllimi i vetëm ka qenë “zbatimi i barabartë i ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më pare”.

Me të njejtën, arsye, atë të mosmiratimit të ndryshimit të vendndodhjes, që prej javës së shkuar është njoftuar dhe mbyllja e aktivitetit të kopshtit për fëmijë “Zybeide Hanim”, pjesë e Turgut Ozal Education. Por në këtë rast, kopështi ndodhet në godinën aktuale që prej vitit 2004, dhe sipas drejtuesve të tij, por dhe avokatit Isuf Shehu, në atë kohë, miratimi i vendndodhjes nuk ishte kërkesë ligjore. Ata shpjeguan se në zbatim të rekomandimeve të inspektimit, kishin paraqitur megjithatë kërkesë në muajin shkurt të këtij viti për miratimin e vendndodhjes, dhe se përgjigja kishte ardhur vetëm javën e shkuar, pas 7 muajsh, ku kërkesa refuzohej, pasi mungonte akti higjieno sanitar.

“Rrethanat na bëjnë të besojmë se jemi sjellë përballë një fakti të tillë nisur nga situata jashtë sferës së zbatimit të ligjit, të cilat nuk lidhen me arsimin”, deklaroi sot Gentiana Burimi, drejtoreshë e kopështit për fëmijë.

Turgut Ozal Education, ka qenë po ashtu pjesë e financimeve të Gulenit, por prej disa vitesh ka ndërruar zyrtarisht pronarë, duke i kaluar një kompanie me bazë në Hollandë e zotëruar megjithatë nga disa shtetas po turq./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Celina: Jam shumë i lumtur që po rikthehem sërish në Mbretërinë e Bashkuar

Story i radhës

Test/ Shprehni një dëshirë dhe zgjidhni një petale të kësaj luleje magjike…

Të fundit nga