Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një xhami në kryeqytetin afgan, Kabul përgjatë lutjeve në mbrëmje më 17 gusht, kanë thënë dëshmitarët dhe zyrtarët.
Policia afgane ka thënë se ka viktima, por ende nuk dihet numri i saktë.
Një zyrtar i inteligjencës së talibanëve i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se 35 njerëz mund të jenë plagosur apo janë të vdekur, dhe se shifra mund të rritet edhe më shumë.
Mediumi Al Jazeera ka cituar një zyrtar të paidentifikuar, i cili ka thënë se 20 persona kanë vdekur.
Dëshmitarët i kanë thënë Reuters-it se shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në lagjen në veri të Kabulit dhe për pasojë janë thyer xhamat e dritareve në ndërtesat në afërsi.
Ambulancat janë parë shpejt në vendin e ngjarjes.
Një zyrtar i inteligjencës së talibanëve, duke folur në kushte anonime, ka thënë për Reuters-in se shpërthimi ka ndodhur në një xhami në rajonin Khair Khana në Kabul.
Sipas burimit, imami i xhamisë është në mesin e të vdekurve.
Ekipet e inteligjencës janë duke hetuar rastin./REL