Tre persona që po ngjiteshin në Malin Dukono në Indonezi kanë vdekur, pasi vullkani atje shpërtheu të premten në mëngjes.
Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihet vullkan që ndodhet në ishullin e Malukusë Veriore duke nxjerrë hi dhjetë kilometra lartësi në qiell, raporton televizioni BBC.
Tri viktimat ishin pjesë e një grupi prej 20 shtetasve të Indonezisë e Singaporit që po ngjiteshin në mal pavarësisht kufizimeve. Pjesa tjetër e grupit u lokalizua nga ekipet e shpëtimit dhe u evakuua nga mali.
Vullkani ka shpërthyer më shumë se 200 herë nga marsi i kaluar. Zyrtarët më parë kishin lëshuar paralajmërime kundër ngjitjes në mal për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë.
Zyrtarët indonezianë thanë se dy shtetas të Singaporit dhe një banor lokal nga qyteti Ternate kanë vdekur. Dy viktimat e huaja besohet se janë meshkuj të moshës 30 dhe 27-vjeçare. Viktima vendëse besohet se është grua, por nuk u dhanë hollësi të tjera.
Trupat e tre të vdekurve ndodhen ende në mal, sipas zyrtarit policor, Erlichson Pasaribu.
Burimi: botasot.info


