Policia e Tiranës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza dhe ka vënë në pranga 3 adoleshentë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Portions” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. M., 19 vjeç, F. Xh., 21 vjeç, dhe A. T., 20 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në rrugën “Tre Dëshmorët”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa, të ndarë në doza, gati për shitje.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit M. M., është gjetur dhe sekuestruar një tjetër sasi lënde narkotike e ndarë në doza.
Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në zonën e Unazës së Re dhe në Yzberisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.