Autoritetet ukrainase bënë të ditur se ka shkuar në 25 numri i viktimave nga një sulm me raketa ruse në një stacion treni, në ditën që shënoi gjashtë muaj nga fillimi i pushtimit të Moskës.
Pesë nga viktimat e sulmit në qytetin lindor të Çapline u humbën jetën pasi automjeti i tyre u përfshi nga flakët. Dy djem të moshës gjashtë dhe 11 vjeç u vranë gjithashtu gjatë sulmit.
Nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi shifrat e përditësuara të viktimave nga sulmi i së mërkurës. Gjithsej 31 persona kanë pësuar lëndime, tha ai.
Sulmi shërbeu si një kujtesë e dhimbshme se Rusia është e aftë të përdorë forcën ushtarake që të shkaktojë vuajtje tek popullsia civile, duke testuar qëndrueshmërinë e Ukrainës pas gjashtë muajve luftimesh.
Në Gjenevë të enjten, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, e përshkroi periudhën që kur Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupa në vendin fqinj si “të tmerrshme përtej imagjinatës”. Ajo i bëri thirrje Putinit “të ndalojë sulmet e armatosura kundër Ukrainës”.
Sulmi vdekjeprurës në stacionin e trenit ndodhi në Çaplinë, një qytet me rreth 3500 banorë në rajonin qendror të Dnipropetrovskut. Ky sulm erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Moska mund të tentojë “diçka veçanërisht mizore” këtë javë pasi të mërkurën Ukraina festonte shpalljen e saj të pavarësisë në vitin 1991 nga Bashkimi Sovjetik dhe gjithashtu shënonte gjashtë muaj nga nisja e pushtimit rus.
Disa orë përpara sulmit në stacionin e trenit, Rusia këmbënguli se po bënte më të mirën për të kursyer civilët, edhe nëse kjo nënkuptonte ngadalësimin e ofensivës së saj në Ukrainë.
Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu, duke folur të mërkurën në një takim me homologë të tij nga një organizatë sigurie e kryesuar nga Rusia dhe Kina, tha se Rusia po kryente sulme me armë precize kundër objektivave ushtarake ukrainase dhe se ” po bëhej gjithçka për të shmangur viktimat civile”.
“Pa dyshim, kjo e ngadalëson ritmin e ofensivës, por ne e bëjmë këtë qëllimisht”, tha ai. Ishte hera e dytë që Shoigu pohonte një pretendim të tillë, ai tha të njëjtën gjë në fund të majit.
Ndërkohë tre persona u vranë në rajonin lindor të Donjeckut të mërkurën dhe një tjetër u plagos, tha në Telegram guvernatori Pavlo Kyrylenko.
Nikopol, një qytet përtej lumit nga centrali bërthamor i Zaporizhias, u bombarda nga rusët gjatë natës, tha Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskut.