Një shtetas turk është arrestuar dhe tre të tjerë janë vënë nën hetim nga policia turke pas shkëmbimit të informacionit me policinë shqiptare për kultivim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim dy shqiptarë dhe një tjetër turk, si pjesë e grupit kriminal që dyshohet se ishin të përfshirë në këtë veprimtari kriminale në Manisa të Turqisë.
Policia bën me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.
Njoftimi i policisë
Operacioni policor i koduar “Përtej kufijve”, falë bashkëpunimit të Policisë shqiptare me Policinë turke.
Sekuestrohen në Manisa të Turqisë, 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.
Është arrestuar 1 shtetas turk, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 shtetas shqiptarë dhe 1 shtetas turk, si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Shtetit siguroi informacion se në Manisa të Turqisë, disa persona ushtronin veprimtari kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Informacioni i siguruar nga Policia shqiptare i është përcjellë menjëherë homologëve turq, të cilët organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përtej kufijve”.
Në kuadër të operacionit, u bë e mundur që në Manisa të Turqisë, të evidentohej vendi ku ishin kultivuar bimët narkotike. Gjatë operacionit, Policia turke sekuestroi 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë 1 shtetas turk dhe u proceduan penalisht 3 shtetas të tjerë turq.
Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim, për veprën penale “Trafikimi i stimulantëve dhe lëndëve narkotike”, 2 shtetas shqiptarë dhe 1 shtetas turk, pasi janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Shtetit është e vendosur që bashkërisht me partnerët të luftojë me profesionalizëm krimin e organizuar, duke zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta, brenda dhe jashtë kufijve.