Kur Dardan Molliqaj tha se Qeveria e Kosovës sillet me minoritetin serb njësoj siç u soll Milosheviçi me shqiptarët në vitet 1990, mbërriti kulmin e tij protagonizmi politik pro-serb i disa politikanëve dhe analistëve e gazetarëve shqiptarë! Politikanët në rastin e vendimit për targat të qeverisë e etiketuan kryeministrin e vendit si destabilizues, për të mos thënë edhe “luftë-nxitës”! Ndaj deklaratës së Molliqajt, njëherësh kryetar i PSD-së së Kosovës, nuk reagoi asnjë parti politike opozitare. As edhe ndonjë politikan opozitar!
Heshtja dhe indiferentizmi po e legjitimojnë tradhtinë!
Pas përpjekjeve për ta ndarë Kosovën përmes ndryshimit të kufijve, kjo sjellje politike e mediatike është më e paprecedentë për natyrën, karakterin, parimet, rregullat, kodet dhe normat që zbatojnë shqiptarët. Ndërsa, deklaratës së Molliqajt i shkon në harmoni vetëm deklarata e para katër viteve e Baton Haxhisë për faljen e krimeve dhe gjenocidit serb dhe ndarjen e Kosovës! Asokohe nuk reagoi asnjë prej partive në pushtet, të cilat sot janë në opozitë! Kjo dëshmon se Kosova është futur në një lloj intrige të rrezikshme!
Futja e Kosovës në këtë kurth deklarimesh e qëndrimesh kundër kujtdo qoftë, (jo vetëm kundër zotit Kurti), më së pari është jashtë çdo logjike. Nga ana tjetër nuk është reale! Pra është gënjeshtër! Dhe nëse një politikan shqiptar me gënjeshtra bëhet interpret i politikave dhe akuzave të Serbisë, atëherë kemi të bëjmë me tradhti ndaj atdheut. Por nuk e kam fjalën për këtë. Ne jemi në dilemë, nëse në Kosovë ka ose nuk ka tradhtarë! Jemi në udhëkryq, sepse heshtja dhe indiferentizmi ndaj këtij fenomeni po e legjitimojnë tradhtinë! Ne na duhet të ristrukturojmë konceptin tonë për vendin, për shtetin, për territorin, për institucionet, për lirinë dhe demokracinë!
Imagjinoni të ngrihet dikush në Serbi e t’i thotë presidentit të vendit, se ajo çfarë ai po bën kundër Kosovës është e njëjta gjë çfarë Milosheviçi ka bërë kundër shqiptarëve?! Ose t’i thotë se „në këmbim të krimeve dhe gjenocidit që kemi bërë në Kosovë, ne duhet t’ia japim Luginën e Preshevës asaj, pa këmbyer asnjë m2 territor“! A mund të ndodh kjo në Serbi? Në Kosovë ama ndodh. Ndodh diçka e paimagjinueshme! Në emër të luftës kundër qeverisë ose të opozitarizmit, apo edhe në spekulim të qëndrimeve të një ose dy Fuqive të Mëdha!
Ndodh për shumë shkaqe! Dhe nëse i analizojmë këto shkaqe, nuk mund ta thjeshtëzojmë fenomenin me tradhtinë ose me shërbime që shpërblehen nga Beogradi. Nuk është kjo ajo që e shpjegon qëndrimin e jo pak shqiptarëve publikë pro-politikave dhe interesave serbe. Së paku indiferentizmi i publikut, i qytetarëve, nuk mund të shpjegohet aspak me këtë aspekt. As indiferentizmi i institucioneve të shtetit, i opozitës dhe organeve të ligjit nuk shpjegohet me këtë! Po çfarë po ndodh? Për këtë na vjen në ndihmë periudha e fund viteve ’80 dhe viteve ’90!
Ashtu si sot, edhe asokohe në Kosovë kishte bashkëpunëtorë të Serbisë. Por, Milosheviçi nuk mundi ta detyrojë thuajse asnjë prej tyre t’i shërbejë atij në mënyrë të hapur! Ibrahim Rugova me qasjen dhe filozofinë e tij politike e nacionale e homogjenizoi popullin e Kosovës në atë masë, sa askush nuk guxonte t’i shërbente në mënyrë publike pushtuesit dhe sunduesve serbë! Harmoninë dhe homogjenizimin e shqiptarëve në Kosovë në kohën e të madhit Rugova e kanë nostalgji shumica dërmuese e shqiptarëve!
Në narkozën e propagandës
Sot është krejt ndryshe. Okupuesit e djeshëm, sot në krye të shtetit serb, duan të rikthehen e të sundojnë në territorin e Kosovës! Edhe pse ata janë të njëjtët, ish-ministra të Qeverisë dhe administratës së dhunshme të Milosheviçit, nuk ndalen në aventurën e tyre anti-shqiptare! Megjithatë sot jo vetëm guxojnë tipa të tillë si Dardan Molliqaj e Baton Haxhiu të dalin hapur me parulla beogradase, por edhe mburren me deklarimet e tyre pro-serbe! Në fakt, gjitha kjo ndodh, për shkak se shoqëria shqiptare, edhe në Kosovë, drejtohet nga politikanë që punojnë për neoliberalizmin. Punojnë për të zbehur konceptet dhe qëndrimet ndaj familjes e kombit si dhe besimin te Zoti! Jo pak qytetarë shqiptarë janë në narkozën e propagandës dhe nuk shohin se rreziku i dekompozimit të idesë kombëtare e të kodit të familjes është kërcënues!
Valët e liberalizmit kanë nxitur indiferentizmin! Ndjenja e rehatisë personale ka zëvendësuar dhe zhbërë përgjegjësinë për fatet e atdheut! Rendja pas pasurisë dhe famës ka shtuar numrin e të korruptuarve, mafiozëve, trafikantëve dhe grabitqarëve! Sa më shumë predikohet për shoqërinë pa komb, pa familje e pa Zot, aq më shumë shtohet kategoria e njerëzve që motivohen nga krimi. Dhe sa më shumë shtohen këto grupe shoqërore, aq më shumë ndikohen kompromiset me fjalën dhe me aktet e përmendura si në rastin Molliqajt e Haxhiut! Sa më shumë përhapen idetë perverse të jetesës, aq më të guximshëm bëhen edhe spiunët e armiqve tanë!
Dekadenca anti-komb, anti-shtet, anti-familje shoqërohet me perversitetin e njerëzve publikë në politikë, në medie, në organizatat jo qeveritare e kështu me radhë! Derisa nuk na bënin më përshtypje rrenat, mashtrimet, e gjithçka tjetër, edhe kur dikush gënjen e shtrembëron realitetin e raporteve midis qeverisjes dhe minoritetit serb në Kosovë! Edhe kur ky raport krahasohet me gjenocidin, dhunën, krimet kundër njerëzimit dhe masakrat e Milosheviçit në Kosovë!
Dikush duhet ta ndalë këtë maskaradë! Po nuk e ndalëm sot, nesër do të jetë vonë, shumë vonë!