Shitja e ONE shkon për autorizim në Autoritetin e Konkurrencës

February 1, 2022
min lexim

Pasi mori autorizimin për blerjen e Albtelecom, kompania hungareze 4iG ka paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe njoftimin për blerjen e operatorit tjetër të komunikimeve në vend, One Telecommunications.

Blerja do të bëhet nëpërmjet marrjes së kontrollit të shoqërisë holding Albania Telecom Invest (ATI), që zotëron 99.9% të aksioneve të ONE.

Aktualisht, ATI kontrollohet nga tre shoqëri të tjera, përkatësisht Adarna Eood, Guri Enterprises dhe River Styxx Capital. Përfitues dhe pronarë fundorë të kompanisë janë biznesmenët bullgarë Elvin Guri dhe Atanas Dobrev.

Marrja e autorizimit për blerjen e ONE, do të jetë, në fakt, një hap kyç për hyrjen e 4iG në tregun shqiptar. Blerja e parë, ajo e Albtelecom, nuk sillte përqendrim të tregut të komunikimeve elektronike, sepse 4iG nuk ishte ende e pranishme në këtë treg. Për këtë arsye, marrja e autorizimit nga Autoriteti i Konkurrencës ishte një formalitet.

Blerja e ONE, pas asaj të Albtelecom, do të sjellë një përqendrim të konsiderueshëm, sepse do ta ulë numrin e operatorëve celularë nga tre në dy. Të marra së bashku, Albtelecom dhe ONE zotërojnë rreth 57% të tregut të komunikimeve celulare, sipas numrit të përdoruesve aktivë. Realizimi i këtij transaksioni do ta kthente numrin e operatorëve në dy për herë të parë që nga viti 2008, kur nisi aktivitetin operatori i tretë, Eagle Mobile.

Në vitin 2018, kur Albtelecom ishte një nga kompanitë në garë për blerjen e Telekom Albania (sot ONE) grupit Çalik iu la të kuptohej nga qeveria se një operacion i tillë nuk do të miratohej, me argumentin se kjo do të ulte konkurrencën në tregun celular. Kjo i hapi rrugë blerjes së Telekom Albania nga konsorciumi bullgar ATI.

Sot, Albtelecom po shkon sërish drejt bashkimit me ONE por këtë herë nën ombrellën e një investitori të ri, kompanisë hungareze 4iG. Në kushte normale, një përqendrim i tillë do ta kishte të vështirë të merrte autorizimin e entit përgjegjës për Konkurrencën. Megjithatë, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet Albtelecom, që ka rezultuar vazhdimisht me humbje që prej privatizimit të saj në vitin 2008, një ulje e numrit të operatorëve celularë mund të jetë e pashmangshme dhe mënyra e vetme që ky operator të mbijetojë në treg. Sipas burimeve nga tregu, gjithsesi besohet se hungarezët kanë marrë garanci joformale nga qeveria shqiptare se blerja e dy kompanive të rëndësishme të telekomunikacioneve nuk do të pengohet nga rregullatorët e tregut.

Në fakt, përqendrimi i tregut të komunikimeve celulare është një tendencë e vërejtur edhe në vendet e tjera. Një process i tillë ndodhi në vitin 2015 në Maqedoninë e Veriut, me bashkimin mes operatorëve ONE dhe Vip. Ky bashkim e uli numrin e operatorëve në dy, MakTel dhe One.Vip, të kontrolluara përkatësisht nga Deutsche Telekom dhe Telekom Austria.

Deri tani, blerja e parë e 4iG, ajo e Albtelecom është autorizuar nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive. Miratimi më i rëndësishëm, ai nga Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ende nuk është zyrtarizuar. Megjithatë, 4iG ka nisur procedurat e njoftimit pranë Autoritetit të Konkurrencës edhe për blerjen e ONE.

Nëse transaksioni do të marrë miratimet e nevojshme, kjo do të jetë shitblerja e dytë brenda tre vjetëve e operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare në vend.

Bullgarët e ATI e blenë Telekom Albania në fillim të vitit 2019, për 50 milionë euro. Vlera e marrëveshjes për shitjen te 4iG nuk është bërë publike nga palët, por burime nga tregu vlerësojnë se këtë herë ONE mund të jetë shitur për një shifër më të lartë se 100 milionë euro.

4iG zyrtarizoi arritjen e marrëveshjeve për blerjen e Albtelecom dhe ONE Telecommunications gjatë muajit dhejtor 2021. Muajin e kaluar, kompania hungareze mori edhe miratimet finale për blerjen e operatorit më të madh celular në Mal të Zi, Telenor. /Monitor

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shaqiri: Nuk ka numër të madh të rasteve pozitive te nxënësit dhe mësimdhënësit

Story i radhës

Shaqiri: Nuk ka numër të madh të rasteve pozitive te nxënësit dhe mësimdhënësit në Maqedoni

Të fundit nga

Rikthehet furnizimi me energji elektrike në Gjilan

Operatori i Sistemit, Transmisioni dhe Tregut (KOSTT), njofton se furnizimi me energji elektrike në Gjilan është rikthyer pas përfundimit të punimeve në asetet 110 kV në Nënstacionin Gjilani 1. “Punimet, të cilat
ShkoLartë