Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë, FSB, akuzoi të hënën shërbimet sekrete të Ukrainës për vrasjen e Darya Duginas, vajzës së një ultra-nacionalisti rus.
Ajo u vra të dielën në mbrëmje, nga shpërthimi i një bombe në makinën e saj, sipas hetuesve rusë.
I jati i saj, 60 vjeçari Alexander Dugin, është një ideolog i njohur rus, i cili e ka përkrahur agresionin rus ndaj Ukrainës, që sipas tij synon bashkimin e banorëve rusishtfolësve dhe territoreve të tjera në një perandori të re ruse.
Darya, e cila shfaqej rregullisht në televizionin shtetëror rus, po ashtu ishte një mbështetëse e fortë e veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Ukraina e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm.
Në deklaratën e tij të parë publike për vdekjen e vajzës së tij, ai tha se Darya ishte vrarë në mënyrë të egër para syve të tij nga Ukraina.
Shërbimi i sigurisë të Rusisë, FSB, u citua nga agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë se sulmi u krye nga një grua ukrainase e lindur në vitin 1979, identiteti, fotografia dhe informacionet personale të së cilës u shfaqën në faqet e internetit me lajme në rusisht.
Këto faqe interneti e lidhën atë me shërbimet e sigurisë të Ukrainës dhe e akuzuan atë si anëtare të batalionit Azov, një njësi e ushtrisë ukrainase që Rusia e ka cilësuar si një grup terrorist.
Sipas FSB-së, kjo grua dhe vajza e saj adoleshente, kishin mbërritur në Rusi në korrik dhe kaluan një muaj duke përgatitur sulmin, pasi kishin marrë me qira një apartament në të njëjtin lagje si Darya.
Sipas njoftimit, ajo përdorte një makinë Mini Cooper rreth Moskës, për të ndjekur viktimën, duke përdorur tre grupe të ndryshme targash.
Gruaja kishte marrë pjesë në një ngjarje jashtë Moskës të shtunën në mbrëmje, në të cilën ndodheshin edhe Darya Dugin dhe babai i saj, përpara se të kryente një “shpërthim të kontrolluar” që e vrau Daryan. Ajo iku nga Rusia në Estoni me të njëjtin makinë “Mini Cooper”, citohet të ketë thënë FSB.
Ende nuk ka patur reagime nga Ukraina ndaj kësaj deklarate të FSB-së./VOA