VARSHAVË – Shënim redaksional: Gazetari Brent Renaud u vra në qytetin ukrainas të Irpinit të dielën. Kolegu i tij Juan Arredondo, i cili ishte me të kur u sulmuan, mbeti i plagosur. Në Uashington, shefja e Zërit të Amerikës për Evropën Lindore, Myroslava Gongadze, reflekton për mikun dhe kolegun e saj.
Brent Renaud nuk ishte një njeri që mund ta harrosh lehtë. I qetë, zakonisht vetëm, nuk ishte kurrë ai që të fliste i pari.
Brent Renaud mund të mos ketë qenë një njeri me shumë fjalë, por kisha ndjesinë se ai ishte jashtëzakonisht perceptues. Edhe pa shumë biseda, mund të kuptonte mendimet më të thella të një personi.
Hera e parë që kuptova thellësinë e ndjeshmërisë dhe kuriozitetit të tij ishte në një klasë të shrimit krijues, kur lexoi një ese për gjyshen që e rriti.
Ishte viti 2018. Së bashku me Brent Renaudin ishim ndër studentët e përzgjedhur për programin Nieman Fellow të atij viti në Universitetin e Harvardit, së bashku me Juan Arredondon, i cili ishte me Brent Renaud kur u sulmuan në Irpin.
Brent Renaud, një regjisor dokumentarësh me përvojë, shpesh në vijën e parë të frontit, mbulonte ngjarjet që të tjerët do të donin më mirë t’i harronin.
Ai përshtatej lehtësisht dhe i bënte subjektet e dokumentarëve të tij të ndiheshin aq të qetë sa njerëzit harronin se ai ishte i pranishëm dhe e pranonin.
Atij i pëlqenin njerëzit, por preferonte qentë. Ishim shokë klase, por nuk flisnim shumë.
Kështu që u befasova kur ishte ai që më dha një analizë dhe sugjerime kaq të thella dhe të plota për esenë që shkrova në Harvard për bashkëshortin tim, George Gongadze, i cili u vra në Ukrainë në vitin 2000.
Tani Ukraina, në mënyrë tragjike, i lidh ata të dy.
Bashkëshorti im u vra dhe iu pre koka teksa zbulonte korrupsionin e nivelit të lartë në Ukrainë. Brent Renaud ishte në Ukrainë për të treguar historinë e atyre që u sulmuan dhe u vranë nga ushtria ruse.
Të dy i donin njerëzit dhe të vërtetën.
Që kur filloi kjo luftë, ndjenja e humbjes, konfuzionit, pafuqisë dhe zemërimit është me mua gjatë gjithë kohës.
Ashtu si 22 vjet më parë kur humba bashkëshortin tim, sot po humbas miqtë dhe familjen time ukrainase.
E di që shumë nga kolegët e mi me origjinë ukrainase në Zërin e Amerikës ndajnë të njëjtën ndjenjë. Ata po përpiqen të qëndrojnë të qetë dhe të raportojnë për lajmet duke mos ditur se çfarë do të ndodhë me të dashurit e tyre në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, ndihem e vendosur dhe krenare për ukrainasit, për përballimin e agresionit rus dhe për kolegët e mi të guximshëm, gazetarë si Brenti që sakrifikojnë jetën e tyre për t’i treguar botës të vërtetën./VOA