Shefi i ushtrisë së Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka mbërritur në Port Sudan nga qyteti Atbara në provincën e Lumit Nil, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja ‘Sudan Tribune’, vizita e tij e djeshme erdhi disa orë pasi vizitoi qytetin Omdurman, duke shënuar paraqitjen e tij të parë jashtë komandës së përgjithshme të ushtrisë në 130 ditë, pas përleshjeve me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në muajin prill.
Raportohet se udhëheqësi ‘de fakto’ i Sudanit do të nisë një turne në Egjipt dhe Arabinë Saudite.
Dje, ushtria sudaneze publikoi një video të al-Burhanit, i cili mbante një armë dhe inspektonte ushtarët në disa zona ushtarake në Omdurman.
Paraqitja e fundit e al-Burhanit daton më 18 korrik kur ai u pa duke mbajtur një mitraloz, një pistoletë dhe një granatë dore derisa drejtonte një takim ushtarak në qendrën e komandës dhe kontrollit të ushtrisë në qendër të kryeqytetit Khartoum.
Që nga fillimi i luftës midis RSF-së dhe Forcave të Armatosura të Sudanit (SAF) më 15 prill, mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 4 milionë janë zhvendosur, veçanërisht në Khartoum dhe Darfur.