SHBA: Zgjedhjet për Kongresin vendimtare edhe për zgjedhjet presidenciale

min lexim

Në SHBA në shumë shtete dhe zona do të zhvillohen zgjedhjet për Kongresin, që janë vendimtare edhe për presidencialet pas dv jetësh. Presidenti Biden dhe demokratët mund të përjetojnë një humbje të rëndë.

Këtë të martë, më 8 nëntor, amerikanët do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Kongres. Zgjedhjet, të cilat tradicionalisht mbahen ndërmjet dy zgjedhjeve presidenciale çdo katër vjet, “shpesh janë një referendum për presidentin dhe partinë në pushtet”, thotë J. Miles Coleman, analist i zgjedhjeve në Qendrën për Politikë të Universitetit të Virxhinias në SHBA, në një intervistë për DW. “Republikanët, si parti opozitare, janë për momentin më mirë në sondazhe”.

Demokratët aktualisht kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve. Senati përbëhet nga saktësisht 50 demokratë dhe 50 republikanë. Partia Demokratike e Presidentit Amerikan Joe Biden ka një avantazh minimal këtu, sepse në rast ngërçi vendos vota e nënpresidentes demokrate Kamala Harris.

Ky raport i pushtetit mund të ndryshojë pas 8 nëntorit. Të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një e treta e Senatit duhet të zgjidhen ditën e martë. Në 36 shtete dhe tri zona, votuesit zgjedhin edhe guvernatorin e tyre. Një numër vërtet i madh i votimeve, e në shumë vende nuk dihet qartë se kush do të fitojë.

Zgjedhjet e Senatit në Pensilvani, ku nuk dihet fituesi

Republikani Pat Toomey, i cili aktualisht mban këtë post, nuk do të rikandidojë për Senatin në Pensivalni. Atje kandidojnë demokrati John Fetterman dhe republikani Mehmet Oz, i famshëm për shfaqjen e tij televizive pseudo-shkencore, The Dr. Oz Show.

Demokratët kritikojnë Ozin si një të huaj (ai është nga Nju Xhersi) të cilit Pensilvania nuk i intereson. Oz fokuson sulmet e tij në shëndetin e Fetterman. Demokrati pësoi një goditje hemoragjike në maj, dhe thotë se është shëruar në tërësi. Por Fetterman ende nuk e ka rifituar 100% të folurit ose dëgjimin.

Në dy zgjedhjet e fundit presidenciale, fitorja e Pensilvanisë ishte me më pak se një pikë përqindjeje. Fetterman dhe Oz po bëjnë një garë pikë më pikë. Nëse demokratët e fitojnë këtë vend ende republikan, do të ishte një hap i rëndësishëm në garën për shumicën në Senat.

Xhorxhia: Guvernatori dhe vendi i Senatit në pikëpyetje

Në Xhorxhia, demokratja Stacey Abrams po përpiqet për herë të dytë si guvernatore pas një disfate të ngushtë më 2018. Në atë kohë, ajo humbi për pak fitoren. Dy vjet më vonë, ishte ajo që, sipas mediave amerikane, ishte në gjendje të motivonte shumë mbështetës demokratë për të votuar dhe kështu kontribuoi në fitoren e ngushtë të Bidenit në Xhorxhia. Megjithatë, vëzhguesit supozojnë se ajo do të humbasë sërish nga republikani Brian Kemp në garën për guvernator.

Por shumë ekspertë mendojnë se votuesit do të ndajnë votat e tyre dhe të votojnë për guvernatorin republikan Brian Kemp nga njëra anë – dhe kandidatin demokrat të Senatit Raphael Warnock nga ana tjetër, në vend të republikanit Herschel Walker. Dy vjet më parë, Warnock hyri në Senat në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në Xhorxhia, nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, duhet të ketë balotazh. Nëse kjo ndodh, dhe nëse – siç ndodhi dy vjet më parë – varet nga vendi i Senatit në Xhorxhia se cila parti do të ketë shumicën në Senat, atëherë amerikanët duhet të presin deri në balotazhin e 6 dhjetorit për të parë se kush do të fitojë.

Arizona: Zgjedhjet e “vjedhura”

Republikanja Kari Lake, një ish-prezantuese e lajmeve televizive, është përballë demokrates Katie Hobbs. Guvernatori republikan Doug Ducey nuk mund të kandidojë sërish pas dy mandatesh. Lake ka qenë një mbështetëse e  zëshme e Donald Trumpit dhe ka promovuar teorinë e saj se Trumpit iu vodhën votat – një pretendim që është plotësisht i pabazuar.

As Lake dhe as Hobbs nuk kanë arritur deri tani të sigurojnë ndonjë epërsi të qartë në garë. Nëse Lake fiton, Arizona mund të mbështesë kandidatin e ardhshëm republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, që është shumë me rëndësi.

Nevada: Ekonomia në qendër të vëmendjes

Në vitin 2016, demokratja Catherine Cortez Masto u bë latino-amerikanja e parë e zgjedhur ndonjëherë në Senatin e SHBA. Në zgjedhjet e 8 nëntorit, vendi i saj nuk është aspak i sigurt për demokratët. Për shumë votues, çështjet ekonomike janë të një rëndësie vendimtare. Nevada, e cila varet shumë nga të ardhurat nga pikat e nxehta turistike Las Vegas dhe Reno, është goditur veçanërisht rëndë nga pandemia.

Republikanët shpresojnë se votuesit do të votojnë për Adam Laxalt, babai dhe gjyshi i të cilit shërbyen dikur në Senatin e SHBA. Laxalt ka bekimin e Trumpit dhe po përhap edhe gënjeshtrën për zgjedhjet e “vjedhura”.

Virxhinia – votimet për Dhomën e Përfaqësuesve si vendimtare

Për mua, pyetja nuk është se kush e fiton Dhomën e Përfaqësuesve, por sa e madhe do të jetë shumica e republikanëve”, thotë analisti i zgjedhjeve Coleman.

Ai mendon se Virxhinia ka tri zona elektorale vendimtare për Dhomën e Përfaqësuesve – të gjitha me gra demokrate në detyrë. Rezultatet atje mund të jenë një tregues i qartë se sa mirë mund t’ia dalin republikanët në pjesën tjetër të vendit. Në këtë zonë ka shumë njerëz që kanë shërbyer në ushtri. Biden ka fituar atje me një shumicë të ngushtë në vitin 2020. Nga ana tjetër, Biden fitoi zonën e shtatë me gati shtatë pikë përqindjeje.

Nëse republikanët fitojnë mandatin e Dhomës në Distriktin 2 në këto zgjedhje, kjo mund t’ua sigurojë edhe shumicën“, mendon Coleman. E nëse fitojnë edhe zonën zgjedhore 7, atëherë “janë në rrugën e duhur për një rezultat të mirë”.

Por nëse republikanët marrin edhe zonën e 10-të zgjedhore, ku Biden fitoi me 18 pikë përqindjeje në vitin 2020, “atëherë,” thotë Coleman, “ata mund të marrin edhe shumicën më të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve që nga Lufta e Dytë Botërore“./DW

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Detajet nga vdekja e shqiptarit në Selanik/ Pronari grek e plagosi në këmbë me sharrë elektrike dhe…

Story i radhës

Mendimi politik klasicist në regjimin e lashtë evropian

Të fundit nga