Presidenti Joe Biden u bëri thirrje udhëheqësve botërorë gjatë një takimi lidhur me COVID-19 të enjten, që të ripërtërijnë një angazhim ndërkombëtar të vonuar për të luftuar korovirusin. Takimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara shënuan një moment tragjik në përballjen me pandeminë, rreth 1 milion të vdekur si pasojë e virusit. Presidenti Biden urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtizë dhe kërkoi që situata të trajtohet me seriozitet.
“Pandemia nuk ka mbaruar”, deklaroi Presidenti Biden në takimin e dytë botëror mbi pandeminë. “Janë 1 milion karrige bosh rreth tavolinave familjare“, shtoi ai.
Prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, në SHBA kanë humbur jetën më shumë se 999,000 sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins. Ndërkohë shifrat e paraqitura nga Shoqata Amerikane e Spitaleve, ajo Mjekësore Amerikane, si dhe Shoqata Amerikane e Infermierëve tregojnë se shifra ka arritur në 1 milion.
“Sot ne shënojmë një moment historik tragjik këtu në Shtetet e Bashkuara, 1 milion vdekje nga COVID-i”, tha ai.
Presidenti i bëri thirrje Kongresit që të sigurojë urgjentisht miliarda dollarë më shumë për testime, vaksina dhe trajtime, diçka që ligjvënësit nuk kanë qenë të gatshëm ta ofrojnë deri më tani.
Presidenti Biden ka kërkuar 22.5 miliardë dollarë shtesë në ato që ai i quan para tejet të nevojshme.
Tetë muaj nga mbajtja e takimit të parë ndërkombëtar mbi COVID-in, ku zoti Biden shpalli një zotim ambicioz për t’u dhuruar 1.2 miliardë doza vaksinash vendeve të ndryshme të botës, urgjenca e SHBA-së dhe vendeve të tjera për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje është zbehur.
Presidenti amerikan tha se takimi është një mundësi për të ripërtërirë përpjekjet e përbashkëta për të vendosur nën kontroll pandeminë dhe parandalimin e krizave të ardhshme shëndetësore.
Sipas Departamentit të Shtetit, SHBA-të kanë dërguar gati 540 milionë doza vaksinash në më shumë se 110 vende dhe territore, shumë më tepër se çdo vend tjetër donator.
Udhëheqësit njoftuan rreth 3 miliardë dollarë ndihma të reja për të luftuar virusin, së bashku me një mori programesh të reja që synojnë të rrisin qasjen tek vaksinat e trajtimet në mbarë botën. Por ky ishte një rezultat shumë më modest krahasuar me takimin e vitit të kaluar./VOA