Republikanët siguruan të mërkurën numrin e mjaftueshëm të vendeve për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, duke përgatitur terrenin për dy vjet qeverisjeje të ndarë në kushtet kur Partia Demokrate e Presidentit Joe Biden ruajti kontrollin e Senatit.
Fitorja u jep republikanëve mundësinë që të frenojnë programin e zotit Biden, si dhe të hapin hetime që mund të jenë të dëmshme politikisht për administratën dhe familjen e zotit Biden, megjithëse kjo fitore është shumë larg nga “vala e kuqe” që partia kishte shpresuar.
Parashikimi përfundimtar për fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas më shumë se një jave numërimi votash, kur organizata Edison Research arriti në përfundimin se republikanët kanë fituar 218 vendet që u duheshin për të kontrolluar Dhomën./VOA